Shpërthen përplasja civile në rrugët e Podgoricës
Shpërthen përplasja civile në rrugët e Podgoricës
1 SHTATOR 2020
Tensioni i lartë i manifestuar pas zhvillimit të zgjedhjeve në Mal të Zi është derdhur në rrugë ku ka pasur përplasje me gurë e mjete të forta ndërmjet civilësh. Gjithçka ka ndodhur në orët e vona të natës në rrugët e kryeqytetit të Malit të Zi.
Është dashur ndërhyrja e policisë që të ndalojë sherrin e nisur nga përkrahës të opozitës filoserbe dhe nacionalistëve malazezë që kanë manifestuar me flamuj të vendit të tyre.
Përplasja erdhi pasi në sheshin e Podgoricës përpara Katedrales Ortodokse kanë ardhur nga të gjitha qytetet e vendit mbështetës të opozitës filoserbe, duke valëvitur flamuj të Serbisë, ngritur tre gishtat si simbol serb dhe kënduar këngë për Serbinë e Madhe.
Manifestimi në Podgoricë ka ardhur pasi njerëz në ekstazë me makinat e tyre dhe të ngarkuar nga pija e tepërt kanë shpërthyer në festime në Tivar, Budva dhe disa qytete të tjera të vendit.
Në Podgoricë është goditur edhe një furgon që transmetonte live i televizionit publik malazez RTCG.
Në lagjen “Siti Kvart” të Podgoricës kanë dalë duke festuar një grup maklazezësh me flamuj të vendit të tyre, që kanë thirrur pro Milo Gjukanoviçit duke thënë se jemi parti e parë. Menjëherë kanë mbërritur në vend manifestantë të irrituar me flamuj serb dhe aty ka nisur përplasja me gurë e sende të forta. Mediat malazeze raportojnë se ka disa të plagosur.
Ka ndërhyrë policia duke ndaluar sherrin. Por sërish tensioni nuk ka rënë, atëherë krerët e opozitës, Krivikapiç dhe Abazoviç u kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre të festojnë nëpër shtëpitë e tyre, duke lënë sheshin.
Nga partia në pushtet nuk ka reaguar asnjë zyrtar i lartë, përveç zëdhënësit të Partisë Demokratike të Socialistëve, Millosh Nikoliç. Ai deklaroi në orët e vona se është ankuar në misionin e OSBE-së për këtë sjellje të opozitës që “në një mënyrë agresive, duke provokuar qytetarë – madje edhe gazetarë – duke thirrur parulla nacionaliste, duke fyer institucionet malazeze, duke provokuar zyrtarë të policisë, duke përdorur flamuj të huaj dhe duke bllokuar rrugët po rrezikojnë paqen civile në Mal të Zi dhe provokojnë reagimin e qytetarëve me një orientim tjetër politik”.
“Gjatë ditës, huliganët sulmuan anëtarët e popullsisë Boshnjake-Myslimane dhe dëmtuan objektet e tyre në Pljevlja. Në disa raste, ata hynë në lokalet e degës së DPS-së dhe shkatërruan pronën. DPS gjithmonë respekton vullnetin demokratik të qytetarëve.
“Por egërsia, huliganizmi dhe sulmi ndaj pasurisë, anëtarëve të partive të tjera, bllokimi i rrugëve dhe qyteteve nuk mund të kryhen në Malin e Zi civil, ndërsa ne jemi në pushtet”, përfundoi Nikoliç.
Gazeta Shqip