Shpërthen skandali, Anastas Angjeli ka punuar si pedagog i brendshëm në universitetin e tij duke shkelur ligjin, në diskutim mandati i deputetit

25/04/2019

Nuk kanë fund skandalet e deputetit socialist Anastas Angjeli. Përveç faktit se drejton një universitet privat, po teton të kapë Akademinë e Shkencave dhe synon të bëhet kryetar i KLSH, Angjeli është përfshirë dhe në paligjshmëri. Gazeta falë një investigimi, ka zbuluar se deputeti socialist Anastas Agjeli ka shkelur ligjin nr .9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar. Por çfarë ka ndodhur realisht? Gazeta ka zbuluar se gjatë vitit akademik 2015-2016, deputeti Anastas Anagjeli ka dhënë mësim si pedagog i brendshëm në universitetin e tij privat (Universiteti Mesdhetar). Por në bazë të ligjit për konfliktin e interesit, asnjë deputet nuk mund të ushtrojë detyrë tjetër me kohë të plotë. Në nenin 28 të ligjit thuhet se, deputeti: nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse; nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, të noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër. Deri më sot, në Parlamentin shqiptar kanë hyrë me dhjetra pedagogë. Por sapo kanë marrë mandatin, ata kanë hequr dorë nga detyra dhe kanë ushtruar veprimtari mësimdhënëse vetëm me kohë të pjesshme. Dy emrat më të njohur së fundmi janë profesorët Shezai Rrokaj dhe Valentina Duka, të cilët vetëm pasi dogjën mandatet u rikthyen në auditore me kohë të plotë.

Skandali i Angjelit

Gazeta “Sot”, në saj të një investigimi, ka siguruar raportet e akreditimit që janë bërë nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë në bashkëpunim me kompaninë britanike, për Universitetin Mesdhetar të Tiranës, i themeluar nga Anastas Angjeli. Në çdo raport akreditimi të realizuar nga ASCAL, jepen me detaje dhe të dhënat e stafit pedagogjik, ku ndahen pedagogët efektivë, ose ata me kohë të plotë dhe pedagogët me kohë të pjesshme ose të njohur si personel akademik me kontratë. Edhe në rastin e Universitetit Mesdhetar janë dhënë të gjitha informacionet në bazë të konstatimeve që janë bërë nga grupi i akreditimit, i cili ka vizituar personalisht universitetin. Por në raportin e akreditimit për profilin “Master i Shkencave Financë-Bankë”, viti akademik 2015-2016 rezulton se pedagogë efektivë (të brendshëm) janë: Mimoza Ahmeti (lektor); Niko Pano (lektor); Vladimir Mici (lektor); Ira Gjika (lektor); Rudina Qurku (lektor) dhe Anastas Agjeli (lektor). Në vitet e tjera, Angjeli rezulton si pedagog me kontratë, pra i jashtëm, por në periudhën 2015-2016 ai figuron i brendshëm, që do të thotë se ka qenë i dypunësuar me kohë të plotë. Në nenin 28 të ligjit për konfliktin e interesit, në fund të pikës 2, thuhet qartë se asnjë deputet nuk mund të ushtrojë funksion tjetër me kohë të plot, përfshirë dhe mësimdhënia.

Praktika deri më tani ka treguar se ka shumë deputetë që japin mësim në fakultete, por të gjithë janë me kontrata të përkohshme dhe jo me kohë të plotë. Pra kanë qenë si pedagogë të jashtëm, pasi ligji nuk e lejon. Kolegët e tij, Ilir Beqaj e Koço Kokëdhima, kanë lanë mandatet pikërisht për shkak të përcaktimeve në nenin 28, i cili ndalon deputetët që të përfitojnë fonde shtetërore. Pra sipas ligjit, nëse një deputet, është anëtar dhe drejtues i organizatave fitimprurëse, ushtron veprimtari që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ushtron funksionin e avokatit, noterit, ekspertit të licencuar, agjentit, apo konsulentit, punon me kohë të plotë në një detyrë tjetër dhe ka aksione në një kompani me pozita dominuese në treg, atëherë ai shkarkohet. Ajo që e ngushëllon Agjelin është se ai ka shkelur ligjin në legjislaturën e kaluar parlamentare dhe jo në këtë aktual, megjithatë mandati i tij është në diskutim, pasi ka shkelur hapur ligjin dhe duhet të largohet.

Kliti Topalli

/Agjensia e Lajmeve Sot News/