Shpërthimi i murtajës afrikane të derrave në Shqipëri, Presidenti i Urdhrit Veterinar: Ja ku është dëmi më i madh
29 Nentor 2024
Presidenti i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli, për shpërthimin e murtajës afrikane në Shqipëri, ku në malin e Torovicës janë konstatuar 12 derra të ngordhur,
I ftuar në një intervistë televizive, ai deklaroi se sëmundja dëmin më të madh e ka në njësitë ekonomike, pasi nëse bie në tufën e derrave gati i ngordh të gjithë.
Sipas tij, fakti që ka ndodhur në zonën e Veriut, bën një ngarkesë në situatë dhe e ngre shërbimin veterinar në një lloj alarmi.
“Normalisht nuk këshillohet konsumi i mishit të derrave të infektuar, nuk është i shëndetshëm nga ana higjienike, por si sëmundje nuk transmetohet nga kafshët te njerëzit.
Problem është neglizhenca apo përgjigja e strukturave shëndetësore që nuk janë në lartësinë e duhur për t’iu paraprirë dëmeve të fermerëve, që nga masat paraprake dhe raportimin e rastit në kohë.
Po mbahet e fshehtë nga autoritetet. Mjekët veterinarë që janë në varësi të ministrisë së Bujqësisë janë aty për të parandaluar problematikat.
Ne jemi më afër fshehjes së problemit se sa zgjidhjes së tij. Ka një fshehje nga ministria e Bujqësisë për të mos përhapur panik.
Kjo bën që të kalojmë në këtë situatë ku kemi fshehje të situatës. Fermerët sa herë konstatojnë në fermën e tyre të derrave, si shenja, pulla apo shenja të murtajës, ta sinjalizojnë te veterineri më i afërt.
Për sa kohë që ministria e Bujqësisë raporton në faqen e saj festën e mandarinës, ka një mungesë serioziteti dhe këshillimi.
Veterinerët e Lezhës, janë heronjtë e momentit, se kanë mungesë kapacitetesh dhe logjistike dhe ne nuk e dimë se sa është dëmi.
Ka një karakteristikë të mbarështimit të derrave në Lezhë, se i lëshojnë derrat në mal dhe i mbledhin në darkë.
Krehja e malit do ishte një nga mënyrat më të mira për të monitoruar dëmin real. Se situata në pyll apo në një zonë të thellë e bën situatën më alarmante.
Veterinerët e Lezhës me mjete rrethanore po marrin masa, edhe pse nuk kanë qenë të mbështetur ndër vite.
Shërbimi veterinar në vitet e fundit nuk është marrë asnjëherë seriozisht, prandaj kemi vështirësi për të menaxhuar situatat.”
Ndër të tjera ai ngriti si shqetësim dështimin e vaksinimit të kafshëve për brucelozën, duke deklaruar se aktualisht është në gjendje të lirë. Ai kërkoi që Prokuroria të hetojë se pse nuk po bëhet vaksinimi.