Shpirti i shqiptarit – Krist Maloki. –
Shpirti i shqiptarit – Krist Maloki.
*Krist Maloki lindi në Prizren (prill 1900) dhe ndërroi jetë në Grac të Austrisë (nëntor 1972). Kreu shkollën e mesme dhe studimet e larta për filozofi e muzikë në Austri e më pas edhe për drejtësi. Në vitet 1940–1966 ishte profesor i letërsisë shqipe e ballkanike në Universitetin e Gracit. Në vitet ’30 –’40 u bë i njohur me një varg shkrimesh në shtypin periodik në Shqipëri dhe jashtë, sidomos në fushën e kritikës letrare. Ka studiuar edhe letërsie popullore dhe traditat kombëtare shqiptare. U angazhua në debate e polemika për orientimin e shoqërisë shqiptare drejt qytetërimit dhe kulturës europiane. Eseja “Shpirti i Shqiptarit” është nxjerrë nga botimi “Albanisches Lesebuch” (Lajpcig, 1948), i albanologut Maximilian Lambertz, që e ka përkthyer edhe gjermanisht. Kjo ese me vlera të veçanta për antropologjinë kulturore dhe për gjuhësinë ngjall shumë kureshtje e interesim te studentët e mi të gjermanistikës që ndjekin lëndën “Albanologjia në gjuhën gjermane” në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës.
Në visarin gjuhësuer tonin kemi tri fjalë, të cilat, sikur “Heim” i Gjermanëvet, “gentleman” i Englezëvet, me të vështirë përkthehen në gjuhët e tjera. Këto janë: “Besa”, “Ndera” e “Burrnija”.
“Besa” në gjuhë e në zemër të Shqiptarit përfshin fjalën e dhanun e të mbajtun, armëpushimin, besnikinë, paprekninë, nderën e sa e sa të tjera, që s’âsht nevoja t’i rendojmë, mbassi mâ parë e mâ lehtas i kuptojmë se i numrojmë. Babat tonë, kur jepshin a lidhshin besë në mjes njeni-tjetrit a me kedó të huej, mik a anmik nënkuptojshin nji lidhje me të tana rrethanat, të cilen e mbajshin me të tanë fuqit’e veta e të robvet të vet; po t’ishte nevoja shkrîheshin me pasuni, rob e robi për mos me e thye atê besë, kështu që ishin të zotë për “besë të dhanun” me humbë gjithshka, edhe jetën, por besën mos m’e thye.
Fuqija morale e therorisë dhe e vetmohimit që permblidhen në fjalën “Besë” me të vështirë kuptohen prej kujdohit, e mâ me të vështirë mund të gjinden me ndonji popull, që t’i dallojë në këtë mënyrë si populli shqiptar.
“Ndera” e “èrzi” per Shqiptarin âsht gjithshka mund të jetë mâ e madhe e mâ e çmueshme mbi faqe të tokës. “Aj, të cilit i mirret ndera, âsht i dekun mbas Kanunit.” Me fjalën “nderë” Shqiptari nënkupton jo vetëm largimin prej shka ka të përpjekun me flligshti, por gjithshka i siell nderim faqe të tjerëvet dhe ja nalton çmimin dinjitetit personal të tij.
Fjala “nderë” përmbledh në shpirt të Shqiptarit nji sumë ndiesish të veçanta, të cilat kanë lidhní me gjithshka e rrethon e i përket atij drejt për së drejti a terthoras: person, familje, gjak e gjini, votër e vend-lindje e sidomos doket e të parevet. “Dy gisht nderë në lule të ballit na i njiti Zoti i Madh.”
Shqiptari e njeh vedin per nderëhupun a të koritun, në qoftë se i thotë kush se rren faqe burravet në kuvend, në qoftë se e pshtyn, i matet, e shtyn a i bie kush; në qoftë se ja prish ndërmjetësinë a ja thyen besën, ja dhunon gruen a e ban me hikun, ja marron (turpënon) armët e krahit a të brezit; në qoftë se ja dhunon buken tue ja nga mikun a puntorin; në qoftë se thyen shtëpinë, vathin, kotecin, a çarranikun n’oborr; në qoftë se ja ndalin uhan a detyrën, ja luejnë rrasën e vegshit në votër, ja marrin rendin e të lames së duervet, kur ulet me hangër me ndonji darsëm a festë, mort, etj.
Në nderë e gjêjmë rrâzën e asaj ngjitjeje të pashmangun të Shqiptarit për të ruejtë doket e të parëvet e të gjuhës. Mâ se dy mijë vjet stuhí e krajata kalojnë, kamba e ushtrivet të panumërta të popujvet të ndryshëm shklet e përshkohet në këtê tokë shqiptare, lufta mizore, rrenon ç’mos, zgjedha e robnija e pamëshirshëme randon mbi krye të Shqiptarit, e me gjithë këtê Shqiptari gjatë këtyne njizet e mâ shekujve ruen karakter, doke e gjuhë. Çdo gjâ të huej që gjejmë në gjuhën tonë âsht transformue e njeshë aqë fort me shqipen, sa vetëm ndonji hulumtues i hollë mund t’ja gjêjë rrjedhën a burimin.
“Burrnija” âsht nji fjalë së cilës i njihet rrjedha pa të vështirë: del prej fjalës burrë-i. Por kjo fjalë në gjuhë tonë ka nji veshtrim aqë të hapun, sa âsht jeta dhe të përpjekunit e tij me shka e rrethon. Vetëm tue vrojtë përshëndetjen kryesore të Shqiptarit malsuer: a je burrë! nji psikolog i hollë gjen krejt shprehjen e dinjitetit njerëzuer. Kjo përshëndetje përkthye ndër gjuhë të gjalla a të dekuna, del e paveshtrim e qesharake, por Shqiptari përmbledhë në tê krejt shka mund të ketë e shka mund të veprojë mashkulli: vullndesë, guxim, qindresë, bujari e çdo virtyt që e plotson shpirtnisht e njerëzisht.
Burrnija nuk kallzon vetëm sjelljen e jashtme për ball t’anmikut; për këtê kemi fjalën trimní. Burrnija difton zotnimin e vetvedit, nderimin për nder të vet e të tjerëvet, qetësin’e duresën ndër të paprituna e rreziqe, papërkulninë e pathyeshminë kundrejt të mitosunash. Për Shqiptarin âsht burrni me mbetë në luftë, me i dalë zot atij që i bie ndore, me mprojtë të drejtat e veta dhe të shoqit, me falë anmikun, mos me ja xanë frymën të ligshtit, kur ja rrëfen ligshtin’e vet, me pritë e me përcjellë miq, me dalë në kushtrim për çdo rasë që ka nevojë shoqi, lagja, katundi, bajraku etj.
Vetëm burrnija e shtyni Shqiptarin e vërtetë me zgjedhë për banesë të vet e me kalue jetën vorfënisht ndër shpella të malevet e curra të thepisuna mâ parë se me ja sjellë shpinën virtytevet të të parëvet e me fitue plang e pasuni, sikur i zotohej pushtuesi anadollak.
Prap, burrnija e bani Shqiptarin guximtar me ja hî e me i dalë në krye disa punëve të kapërthyme e gadi të pamrrijshme, si ajo e ngrehjes së dinastisë së Misirit prej nji tregtarit shqiptar; si punimi i nji Krispi shqiptar për bashkimin e Shtetit italian; të mkambunit e Turqisë së re prej nji Shqiptari; e n’Austri nji Karlo Gega Shqiptar ja del me zgidhë problemën aqë të vështirë të hekurudhës së Semeringut.
Nga: Emil Lafe