Shpjegimi. Pse Putin e krahason veten me Pjetrin e Madh të Rusisë

11 Qershor 2022

Admirimi i Vladimir Putinit për Pjetrin e Madh është i njohur, por tani ai duket se po admiron edhe “madhështinë” e tij.

Ai e ka krahasuar hapur veten me carin rus, duke e barazuar pushtimin rus të Ukrainës sot me luftërat ekspansioniste të Pjetrit rreth tre shekuj më parë, dhe duke bërë më të qartë se lufta synon zgjerimin e territoreve të Rusisë.

Ambiciet e dukshme të Putinit për rikthimin e perandorisë kanë acaruar fqinjët e tjerë, përfshirë Estoninë, e cila i quajti komentet e tij “plotësisht të papranueshme”.

Presidenti rus ishte në takim me shkencëtarë dhe sipërmarrës të rinj kur bëri krahasimet. Para se të fliste për zhvillimin e teknologjisë, ai foli për politikën dhe pushtetin: betejën e re që ai sheh për dominimin gjeopolitik. Audiencës së zgjedhur i tha se Pjetri i Madh ishte një model.

“Ju mund të mendoni se ai po luftonte me Suedinë, duke rrëmbyer tokat e tyre,” tha Putin, duke iu referuar Luftërave Veriore që Pjetri nisi në kapërcyell të shekullit të 18-të, ndërsa ai farkëtoi një Perandori të re Ruse.

“Por ai nuk pushtoi asgjë; ai thjesht rikuperoi territoret!” tha Putin, duke argumentuar se sllavët kishin jetuar me shekuj në këto zona.

“Duket se edhe ne, na ka rënë për pjesë që të rikuperojmë dhe forcohemi”, përfundoi Putin, me një buzëqeshje që gati-gati nuk linte asnjë dyshim se ai i referohej Ukrainës dhe qëllimeve të tij atje.

Sundimi i Pjetrit, sugjeroi ai, ishte provë se zgjerimi i Rusisë e kishte forcuar atë.

Kohët e fundit, Putin ka marrë përsipër të përmendë shpesh të kaluarën e Rusisë, gjithmonë të kuruar me kujdes për t’iu përshtatur kauzës së tij të sotme. Disa muaj përpara se të sulmonte Ukrainën, ai prodhoi një ese gjigante në të cilën, në thelb argumentoi të drejtën historike të vendit për të ekzistuar.

Kur Rusia pushtoi fqinjin e saj më 24 shkurt, Putin fillimisht pretendoi se ishte një “operacion special” i kufizuar në rajonin lindor të Donbasit për të “denazifikuar” Ukrainën dhe për të zvogëluar kërcënimin e supozuar ndaj Rusisë.

Por ndërkohë që ai po i thoshte ato fjalë, trupat ushtarake po lëviznin në Kiev dhe po bombardonin tokën edhe më në perëndim. Më shumë se 100 ditë më vonë, një e pesta e territorit ukrainas është nën kontrollin ushtarak rus, me administrata marionete që flasin për referendume për bashkimin me Rusinë.

Dhe tani Putin ndihet mjaft i guximshëm për të pranuar se “operacioni” i tij është në fakt një okupim.

Ai gjithashtu duket se beson se Perëndimi do të pranojë përfundimisht realitetin që trupat e tij po luftojnë për të krijuar në terren.

“Në atë kohë, “asnjë vend evropian” nuk e njohu pretendimin e Rusisë për tokën ku Pjetri krijoi Shën Petersburgun si kryeqytetin e ri të guximshëm të Rusisë. Tani e bëjnë të gjithë” tha Putin.

Komentet e tij kanë tronditur gjithashtu vendet baltike. Ministria e Jashtme e Estonisë thirri ambasadorin rus për të dënuar referimin e tij për sulmin e Pjetrit të Madh ndaj Narvës, tani në Estoni, pasi Rusia “rikthehet dhe forcon” territorin e saj.

Përdorimi i historisë nga Putini është selektiv.

Pjetri i Madh, ndonëse një autokrat i pamëshirshëm, ishte një admirues i madh i ideve, shkencës dhe kulturës perëndimore, duke ndërtuar me bujë Shën Petersburgun si një “dritare në Evropë”. Ai udhëtoi në Europë i etur për dije, për të ndihmuar në tërheqjen e Rusisë drejt modernitetit.

Sundimi gjithnjë e më represiv i Putinit e ngushtoi ngadalë atë dritare në Perëndim; lufta kundër Ukrainës e ka mbyllur fare. Ideja që lideri rus të udhëtojë në Holandë ose Greenëich në kërkim të ideve dhe frymëzimit, siç bënte dikur Cari, tani duket e pamundur.

Ndërsa Putin u jepte leksion sipërmarrësve të rinj për një car të shekullit të 18-të, pas tyre u ndezën një sërë fjalësh: ‘e ardhme’, ‘i sigurt’, ‘fitore’.

Rusia është e vendosur të sfidojë sanksionet perëndimore dhe vetë Putini sigurisht u shfaq i qetë dhe aspak dyshues për synimet e tij.

Por ndoshta ka një mësim tjetër nga librat e historisë.

Pjetri i Madh vërtet pushtoi toka nga Balltiku deri në Detin e Zi. Por Luftën e Madhe Veriore zgjati për 21 vjet./BBC përshtati Gazeta Shqiptare