Shpopullimi dhe Alibashët, koalicioni antikombëtar i Ramës
Nga Klevis Balliu
Në një moment historik për vendin, shqiptarët përballen me vështirësi të rënda ekonomike, politike dhe shoqërore, të mbushura me drama të pafundme njerëzore, nga ndarja e fëmijës nga nëna te tradhtia e zyrtarëve që duhet t’i mbrojnë dhe deri te mungesa e sigurisë për jetën.
Rama sot ka përmbushur një nga skemat me antikombëtare të të gjitha kohërave, që është shpopullimi i Shqipërisë.
Sigurisht, kjo është një ngjarje dramatike dhe ne sot mund të analizojmë pjesën e ajsbergut që duket, por koha që vjen dhe rënia e Ramës nga pushteti do të zbulojë korridore të errëta të “frymëzimit” të këtij akti antikombëtar që ka goditur palcën e vendit.
Rreth kësaj teme, analizat mund të jenë të thella dhe sigurisht që nuk ka një përfundim deri në zbulim dhe dokumentim të faktit.
Shpopullimi i shqiptarëve është një mision i vjetër i interesave sllave veçanërisht Serbe. Shqiptarët janë pala pro europiane, pro perëndimore, pro amerikane dhe sllavët përfaqësojnë interesat ruse në rajon.
Shpopullimi i Shqipërisë është favori më i madh që mund t’i ndodhë interesave ruse në Europën Juglindore.
10 vite më parë, largimi i shqiptarëve quhej tanimë si një fazë e kaluar dhe e pamundur për t’u rikthyer, pasi ndër vite jo vetëm emigrimi ishte në rënie, por kthimi i shqiptarëve nga vende të ndryshme të Europës në atdhe ishte fakti i pamohueshëm për rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe zhvillimit të shoqërisë. Sot 10 vite më pas 35 për qind e shqiptarëve janë larguar dhe vazhdojnë të largohen.
Nuk ka diskutim që shpopullimi ishte një plan i mirëmenduar i qeverisjes Rama për interesa politike, por dhe si rrjedhojë e lidhjes gjenetike të së majtës në Shqipëri me politikën e Kremlinit dhe Beogradit.
Interesi politik i Edi Ramës ishte ngritja e gjerë e një ushtrie të mirëpaguar militantësh që do të prodhonin një sasi të mjaftueshëm votash.
Kjo kërkonte zgjerimin e administratës, e cila arriti në kuotat më të mëdha historike afro 260 000 punonjës për të prodhuar 650 000 mijë vota deri në 700 000 vota, të cilat pa shpopulluar një pjesë të mirë të vendit do të ishin të pamjaftueshme për mbajtjen e pushtetit.
Për shpopullimin e vendit, Rama goditi ekonomikisht dhe juridikisht zonat rurale dhe më pas qytetet me opozitare. Goditi bujqësinë duke larguar subvencionet, goditi qytete të tëra që i shikonte si rrezik për pushtetin duke larguar gjykatat dhe vendosi vëmendje vetëm në qendrat e qyteteve ku kishte interes elektoral për të shitur fasadën dhe njëkohësisht për të ngritur një skemë qindramiliona euroshe korruptive që e quajti Rilindja urbane.
Njëkohësisht, ngritja masive e taksave, mosrritja e rrogave dhe pensioneve, censura mediatike dhe dhuna policore çoi qytetarët drejt protestave.
Këtu fillon faza e dytë, e projektit rusoserb që ekzekutohet nga Rama.
Blerja e opozitës nëpërmjet bizneseve të korruptuara, tenderëve të korruptuar.
Blerja e opozitës në radhë të parë kishte synim goditjen e shpresës tek qytetarët dhe natyrisht hiqte ndalimin e mundshëm të kësaj strategjie.
Lulzim Basha, njeriu i cili shqiptarët i besuan për të shpëtuar nga plani fatkeq i shpopullimit, vendosi të bëhej pjesë e biznesit duke tradhtuar kauza si: Unaza, Teatri dhe shumë të tjera në këmbim të një pozite financiare që i ndryshonte atij rolin dhe misionin. Ai jo vetëm nuk i thoshte jo shpopullimit, po i hapi derën e pasme qeverisë për ta vazhduar projektin.
Janë pa numër faktet e përfitimit financiar të tij.
Por dhe kjo nuk e shpjegon të gjithë çështjen.
Ai u kthye në një tren tradhtie duke kaluar nga shinat e opozitës në shinat e qeverisë.
Sot në e konstatojmë kaq, nesër do kuptojmë se si Basha dhe Rama kishin të njëjtët dispeçer.
Prandaj protestat ishin thjesht arma e Lulzim Bashës për rritjen e gjobave ndaj oligarkisë dhe qeverisë.
Sot kjo marrëdhënie vazhdon nëpërmjet Enkelejd Alibeajt. Njeriu më i afërt i tij merr tendera të pafundme korruptive nga qeveria aq sa janë xhelozuar edhe vetë socialistët që mbështesin Edi Ramën.
Blerja e opozitës krijoi mungesën e besueshmërisë së shqiptarëve të cilët gjetën zgjidhje te mërgimi. Sot faktorët e pushtetit të Ramës nuk janë as mbështetja, as politika, mbase as paraja që derdhet ditën e zgjedhjeve por në fakt janë shpopullimi dhe Alibashët.
Shpresa e Ramës është se tanimë ka larguar mjaftueshëm njerëz dhe Alibashët do të arrijnë e të përçajnë votën opozitare mjaftueshëm për të mbajtur Ramën në pushtet me 40 për qind të votave.
Faktori që ata mendonin se do t’i shkatërronte, ishte Sali Berisha dhe për këtë arsye në plan ishte goditja e tij. Nëpërmjet një skeme korruptive non gratash me një zyrtar të lartë që sot është arrestuar në SHBA që quhet Charles Mcgonigal, i cili vinte dhe hiqte non grata në këmbim të parave.
Rama dhe Basha mendonin se shpallja nongrata e Sali Berishës do ta ekzekutonte atë dhe opozitën e vërtetë politikisht.
Ajo për çka ata nuk ishin përgatitur ishte besimi, fuqia e së vërtetës dhe ndjeshmëria njerëzore si dhe logjika kombëtare e popullit shqiptar, të cilët arritën që në një tunel të errët korrupsioni dhe dezinformimi kombëtar dhe ndërkombëtar, ku mashtrimi shitej si i vërtetë, ku armiku shitej si mik dhe miku si armik, ata shpërthyen tunelin dhe nxorën në pah të vërtetën nën dritën e diellit me aksionin e vërtetë politik kombëtar.
Sot, pavarësisht kushteve të vështira ekonomike dhe politike, duket qartazi që plani për eliminimin e opozitës nuk funksionoi, pa diskutim për meritë të Sali Berishës dhe demokrateve.
Të vërtetën dhe të drejtën të padrejtët nuk e shohin dot.
Ne si popull mund të kemi shumë mangësi, por për një gjë nuk mund të na akuzojë askush, jemi të vërtetë, jemi të pastër, jemi të drejtë në mënyrën tonë, shpeshherë në gabim, por gjithçka, çdo aksion, çdo vendim e marrim mbështetur mbi parime që besojmë dhe mbarë kombi beson te besa dhe urren tradhtinë.
Ishin ndjenjat tona, traditat tona kombëtare që arritën të mbrojnë opozitarizmin si institucioni më i lartë i demokracisë nuk ishte politika, por ishin qytetarët.
Partia Demokratike, e cila përbëhet nga njerëz, të cilët dhe paqen dhe luftën e bëjnë mbi parime të panegociueshme si dashuria për vendin, për lirinë, për demokracinë nuk u shkatërrua dot falë anëtarëve të saj largpamësisë së tyre, por mbi të gjitha pastërtisë dhe dashurisë së tyre për kombin shqiptar.
Tv Ora