6 Maji 2024

Numri i nxënësve ka rënë me 36 mijë për dy vite, ku përfshihet gjimnazi dhe nëntë vjeçarja. Të dhënat konfirmohen nga tabelat e publikuara prej INSTAT ku rënie kanë shënuar edhe kopshtet

Instituti i Statistikave në publikimin e të dhënave mbi shkollat raporton një ulje të ndjeshme të të regjistruarve në arsimin parauniversitar dhe në atë universitar.

Më konkretisht nga në vitin akademik 2023-24, janë 416.538 nxënës  nga klasa e parë deri në të 12 me një ulje prej 3,8 %, krahasuar me një vit më parë.

Në tabelë shihet se me një vit më parë janë rreth 16 mijë të regjistruar më pak dhe me dy vite më parë janë 36 mijë më pak

Sa i përket çerdheve dhe kopshteve, numri ka rënie edhe më të madhe ku janë gjithsej 66.711 fëmijë ose 4,4 % më pak dhe e shprehur në shifra me 6 mijë më pak se dy vite më parë.

Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 258.072 nxënës, 54,7 % në arsimin fillor dhe 45,3 % në ciklin e lartë të arsimit bazë.

Krahasuar me vitin shkollor 2022-23, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 3,4 % më pak nxënës.

Sa i përket Arsimit të Mesëm, u regjistruan 91.755 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3 %.

Tendenca në rënie është dhe për regjistrimet në universitete, por tendenca mbetet e njëjtë për ata që kërkojnë të marrin Doktoraturën. Po ashtu shtohet se fakultetet publike zënë mbi 80 për qind të studentëve.

Në fakt prej disa vitesh është nënvizuar se ulja e lindshmërisë por edhe emigrimi i lartë ka sjellë tkurrje të popullsisë, por po ashtu dhe shtimin e klasave kolektive për shkak të numrit të ulët të nxënësve në shkolla krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në vitin 2023-24, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 82,1 %. Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel përgjatë tre viteve të fundit. Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm të lartë ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (85,0 %).

Në vitin shkollor 2023-24, numri i mësuesve në arsimin 9 vjeçar është 24.109, ndër të cilët 78,0 % janë gra.

Raporti “Nxënës për një mësues” në arsimin fillor publik është 15,1 dhe në atë privat është 15,2.

Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9 vjeçar, raporti nxënës për një mësues në arsimin publik është 7,9 dhe në atë privat 8,0.

Numri i mësuesve në arsimin e mesëm të lartë është 8.307 prej të cilëve 69,6 % janë gra.

Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm të lartë është 11,5 në arsimin publik dhe 9,1 në atë privat.

Arsimi pas të mesmes, jo i lartë Në arsimin pas të mesmes, jo të lartë, në vitin shkollor 2023-24 u regjistruan 179 nxënës.

Femrat përbëjnë 39,7 % ndërsa meshkujt 60,3 %. 71,5 % e tyre ndjekin kualifikimin “Ndërmjetësim i Pasurive të Paluajtshme”, 17,9 % “Teknologji Automatizimi” dhe 10,6 % “Dizajn dhe Modë”.

Në vitin akademik 2023-24, vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 116.994 studentë, duke shënuar një ulje prej 3,6 % krahasuar me 2022-23.

Studentët që marrin pjesë në arsimin e lartë publik, përbëjnë 72,3 % të numrit total të studentëve.

Në të gjithë programet e Arsimit të Lartë, në vitin akademik 2023-24, marrin pjesë 68.305 studente femra, ose 58,4 % e numrit të përgjithshëm të studentëve në Arsimin e Lartë.

Në programet “Bachelor”, për të njëjtën periudhë, morën pjesë në arsimin e lartë 67.283 studentë duke shënuar një ulje prej 5,5 % krahasuar me 2022-23.

Në vitin akademik 2023-24, ashtu si edhe vitin e kaluar akademik, studentët preferojnë fushën e studimit “Biznes, administrim dhe ligj”, ku është përqendruar një e katërta e numrit gjithsej të studentëve.

Fusha të tjera më të preferuara janë: “Shëndet dhe mirëqenie” dhe “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me përkatësisht 20.9% dhe 19.7% të numrit gjithsej të studentëve të regjistruar.

Fusha “Shëndet dhe mirëqenie” është njëkohësisht edhe fusha me rritjen më të madhe të studentëve të regjistruar krahasimisht me vitin e kaluar (8,8 %).