“Shqip” denoncon sërish fshehjen e shifrave nga ministria, te “Shefqet Ndroqi” mbi 170 pacientë me Covid

3 gusht 2020.

Ministria e Shëndetësisë nuk po raporton realisht numrin e shtrimeve nga koronavirusi në dy spitalet që po trajtojnë të sëmurët me Covid-19. Nga të dhënat e deklaruara gjatë daljes së radhës, u tha se gjithsej në dy spitalet numri i pacientëve të shtruar është 120 pacientë.

Gazeta “Shqip” denoncon sërish fshehjen e shifrave pasi nga burimet pranë gazetës, vetëm në spitalin Covid-2  i ngritur te “Shefqet Ndroqi”, ky numër dje kapërceu mbi 170 pacientë ndërsa në spitalin Infektiv rreth 80.

Burimet thonë se ky numër i lartë shtrimesh nuk i përgjigjet kapaciteti i shtretërve në Reanimacion që është 10.  “Ndonëse janë në gjendje dhe 15 respiratorë, funksionalë janë vetëm 10 prej tyre”, thanë burimet.

Kjo situatë e krijuar në spitale, ku numri i pacientëve të shtruar po i afrohet kapaciteteve maksimale të dy spitaleve Covid, ministria e Shëndetësisë po përgatit hapjen e spitalit Covid-3 brenda ambienteve të QSUT.

Sipas burimeve të gazetës “Shqip”, ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që mjekët pneumologë të Dispancerisë në Tiranë të jenë në gatishmëri pasi do të kërkohet të shërbejnë pranë spitalit Covid-3.

GAZETA SHQIP