18 Nentor 2014

Gazetari Igli Çelmeta ka sjellë në nje emision televiziv detaje nga operacioni i SPAK që zbuloi laboratorin e drogës në Qerekë të Krujës.

Siç u shpjegua në studio, SPAK operacionin e ka kryer në bashkëpunim me autoritetet spanjolle. Bëhet fjalë për një grup kriminal që operonte në Spanjë.

Çelmeta shpjegon se hetimet për këtë rast kanë nisur që në vitin 2023.

“Janë mbajtur në përgjim prej kohësh nga SPAK, pritën shtator, nëntor kur kanë dërguar lëkurën e bagëtive dhe më pas ndërhynë autoritetet shqiptare dhe u zbulua laboratori i kokainës.”

Gazetari shpjegon se sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike ishte fshehur në 48 ton lëkurë bagëtish.

Nëse do të përpunohej nga 3 ekspertët kimistë të huaj, dy nga Venezuela dhe një kolumbian do të përfitohej nga materiali rreth 800 kg kokainë.

Dy prej kimistëve u arrestuan në flagrancë, në vilën dykatëshe që ishte kthyer në laborator në Qerekë.

“Kati i parë ishte përshtatur në një laborator të lëndës narkotike. Janë zbuluar edhe baza të këtij grupi kriminal në Kodrën e Diellit që njihet si zona e vipave në kryeqytet. Në banesën që u ushtrua kontroll, mendoj që ishte një laborator i mirfilltë kokaine. Kjo banesë ishte shumë pranë banesave të politikanëve të njohur të vendit tonë.”

Sipas gazetarit, është zgjedhur qëllimisht një banesë në Kodrën e Diellit duke qenë se kjo është një zonë në kryeqytete cila është e monitoruar nga të gjitha anët dhe disi e “paprekshme”.

“Ky grup kriminal e kishte përshtatur këtë banesë si bazë. Përpunohej droga në Qerek, shkonte droga te Kodra e Diellit dhe më pas grupi kriminal e shpërndante në zona të ndryshme në Tiranë por edhe në vende të tjera. Por tregtohej edhe jashtë Shqipërisë, në Kosovë, Mal të zi.”

Një ambient ndihmës e po këtij grupi kriminal dyshohet të jetë edhe në Durrës. Siç u shpjegua nga biseda në studio, bëhet fjalë për një grup të fuqishëm kriminal, “koka” e të cilit dyshohet të jetë në Spanjë.