Shqipëria dy ditë zie kombëtare, flamuri në gjysmë-shtizë në nderim të Ismail Kadaresë
2 Korrik 2024
Shqipëria është në zi kombëtare sot dhe nesër për nder të shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 88-vjeçare.
Qeveria shpalli datën 2 dhe 3 korrik ditë zie kombëtare, ku flamujt në institucionet shtetërore dhe publike do të ulen në gjysmështizë.
Homazhet publike dhe ceremonia shtetërore do të organizohen në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ditën e mërkurë, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 dhe nga ora 11:30 deri në orën 12:30. Për organizimin e homazheve dhe të ceremonisë shtetërore është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror, nën mbikëqyrjen e Kryeministrit.
Ismail Kadare, prijësi historik i letërsisë shqipe prej më shumë se shtatë dekadash ishte anëtarit i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; anëtari i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës; anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtari i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi.
Ismail Kadare u lind në Gjirokastër më 28 janar 1936. Qyteti i lindjes e ndoqi përjetësisht kudo që ai jetoi e shkroi, në Perëndim e në Lindje, duke u bërë pjesë e pandashme e krijimtarisë së tij në të gjitha fazat e jetës.
Me një opus letrar që përmban mbi 70 vepra, në të gjitha llojet e nënllojet e letërsisë, eseistikës dhe publicistikës, të panumërta në botime ribotime, Ismail Kadare ka zënë e do të ketë kryet e vendit në historinë e letërsisë shqipe.
Akademia e Shkencave ka shprehur ngushëllime duke theksuar se ikja e tij është e pangushëllueshme për Akademinë e Shkencave, për letërsinë shqipe dhe ekuilibret e saj, për gjuhën shqipe dhe folësit e saj, për letërsinë europiane e botërore.
Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha.
Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij përbën një shtyllë të letërsisë shqipe.
Letërsia e Kadaresë e ka ndërkombëtarizuar kulturën shqiptare në shkallë europiane e botërore. Gjuhët me të cilat ka folur letërsia e tij janë mbi 50 dhe numri i titujve të botuar e ribotuar jashtë gjuhës amtare është mbi 1500. Vepra e tij studiohet në universitete në kuadër të historisë së letërsisë europiane dhe të asaj botërore.
Shkencës së albanologjisë tashmë i është shtuar një degë e re, ajo e kadareologëve, e studiuesve dhe përkthyesve të veprës së tij. Nën ndikimin e kësaj dege të re edhe vendi i gjuhës shqipe në universitete është rritur, me hapjen e katedrave dhe njësive të reja që nga Japonia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga Franca në Rusi. Sot vepra e Kadaresë përkthehet e studiohet edhe në ndonjë vend ku ka pasur kufizime.
Ismail Kadare do të mbetet një autoritet moral për popullin shqiptar, një institucion krijimi dhe mendimi, një referencë themelore për jetën e tij.
Vepra që ai ka krijuar është e lidhur me çështje thelbësore të botëkuptimit shqiptar e ballkanas, të ndërveprimit të kulturave dhe vlerave qytetare të rajonit, të evoluimit të identiteteve historike e kulturore.
Ajo është një dritare e rëndësisë parësore për të njohur edhe psikozat dhe komplekset e popujve të Europës Juglindore, aspiratat e vërteta të tyre.
Emri dhe vepra e tij do të jenë përjetësisht të pranishme në jetën e shqiptarëve dhe të gjithë Botës.