Shqipëria e “gjymtuar”, emigrimi në shifra: Gjysmë milion për 10 vjet. –
Shqipëria e “gjymtuar”, emigrimi në shifra: Gjysmë milion për 10 vjet
11 nentor 2019
Nga: Gazeta dita
Shifrat nuk mund të gënjejnë dhe ato tregojnë se shqiptarët ndër vite janë larguar, gjysëm milioni në vetëm një dekadë. Shqiptarët po vazhdojnë të largohen, e më keq akoma, të rinjtë e këtij vendi, në masë, duan të ikin nga këtu.
Shifrat tregojnë edhe se ky emigrim ka kosto shumë të larta, veç atyre sociale dhe demografike, që impaktin kryesor e japin në terma afatgjatë. Ka kosto konkrete, në rreth 120 milionë euro në vit për vendin tonë, sipas FMN.
Janë mbi 50 mijë, shqiptarët e larguar nga vendi çdo vit, që prej vitit 2007. Këtë gjë e thotë raporti më i fundit për emigrimin i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).
Kjo do të thotë se, që prej vitit 2007, nga Shqipëria janë larguar rreth 520 mijë njerëz, ose më saktë, 18.1% e popullsisë shqiptare sot.
Pra, sipas këtyre të dhënave, thuajse 1 në 5 shqiptarë është larguar nga vendi i tij gjatë dekadës së fundit. Kjo shifër, pra 52 mijë njerëz në vit, është më e larta në rajon e ndër më të lartat në Europë.
Emigrantët nga Shqipëria dekadën e fundit janë më të shumtë në numër se boshnjakët, vend i dalë nga lufta, serbët, popullsi bindshëm më e madhe se e jona, si dhe shumë vende të tjera me popullsi disa herë më të madhe.
Madje, shqiptarët e larguar nga vendi i tyre janë më të shumë në numër edhe se afganët e larguar nga vendi i tyre që prej 2007-ës, apo qytetarët e Bangladeshit. Trendi i largimit vijon edhe sot, paçka se me hapa lehtë më të ngadaltë se mesatarja e kësaj dekade të fundit./
Marre me shkurtime nga scan.tv