“Shqiperia e Sukseseve” ?! -vajza nga Costa Rica zgjedh të jetojë në Shqipëri. –
“Shqipëria është vendi i popullsisë së re dhe njerëzve të bukur”. Pikërisht kështu titullohet artikulli i “La Nacion”, kushtuar historisë së një vajze nga Costa Rica e cila pasi martohet me një shtetas shqiptar, zgjedh të jetojë në vendin tonë.
Marlise Gabriela Sánchez Torres nga Costa Rica, u njoh me bashkëshortin aktual Enian Cela, gjatë studimeve në Japoni. Teksa dëshironin të krijonin familjen së bashku dhe shqyrtuan të gjitha opsionet, në përfundim zgjodhën Shqipërinë.
“Në fakt nuk kisha asnjë frikë ose dyshim rreth Shqipërisë, e vetmja gjë që dija është se e gjithë familja po më priste”, u shpreh Enian.
Teksa Marlise u shpreh entuziaste rreth vendit tonë dhe mundësive që i janë shfaqur.
“Rreth aspiratave të mija, mund të shtoj se kam shumë ëndrra dhe dua të zhvilloj karrierën time në shumë fusha. Ajo që kam kërkuar gjithmonë është një fushë shumë dimensionale dhe e gjeta në Shqipëri”.
Ajo përgatit studentët rreth provimeve të anglishtes si edhe jep disa orë mësim në shkollë.
Referuar jetës në Shqipëri, Marlise shprehet: “Të jetosh këtu në Shqipëri është interesante. Prej momentit të parë që kam ardhur, jam ndjerë shumë mirë. Është një vend kontrastesh, me një tranzicion të gjatë nga një prej diktaturave më të egra në Evropë, në një hibrid shumë të veçantë demokratik”.
Marlise i pëlqen shumë të udhëtojë dhe të vizitojë qytetet, teksa nuk ngurron të provojë edhe ushqimet tradicionale. E vetmja gjë që e shqetëson atë, është ndotja e mjedisit.
Marlise dhe Enian prej tetë vitesh po jetojnë në Shqipëri dhe janë prindër të një djali 6 vjeç.