Shqipëria fajëson BE-në për mos’hapjen e mundshme të negociatave. =
Shqipëria fajëson BE-në për mos’hapjen e mundshme të negociatave
16 tetor 2019
Nga Gjergj Erebara.
Gazeta Dita.
Duke nënvlerësuar listën e gjatë të kushteve të vendosura nga Gjermania mbi hapjen e bisedimeve për anëtarësim, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj akuzuan “BE-në që sheh nga brenda” për një vendim të brendshëm negativ ndërsa paralajmëruan për rrezik trazirash në Ballkan.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u përpoq të ngrejë moralin e ndjekësve të tij në Facebook në lidhje me një vendim të pritshëm negativ të Këshillit të krerëve të shteteve anëtare të BE-së mbi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duke pretenduar se një vendim i tillë, që pritet të merret më 18 tetor, është ngushtësisht rezultat i mosmarrëveshjeve të brendshme të BE-së dhe nuk lidhet me progresin e arritur nga qeveria e tij drejt plotësimit të kushteve të Brukselit.
Duke folur në Facebook me një kamera që kuadratonte kryeministrin që tashmë ka një pamje të re me mjekër të bardhë, Rama shpjegoi për ndjekësit të martën se Franca po bllokon hapjen e bisedimeve për shkak se presidenti i saj Emmanuel Macron kërkon fillimisht reformim të BE-së dhe pastaj zgjerim të saj.
“Emmanuel Macron nuk është i gatshëm për një shtyrje më të fortë për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor pa shtyrë më parë reformimin e Bashkimit,” deklaroi Rama ndërsa kamera dridhej lehtë për të krijuar përshtypjen e një xhirimi rastësor.
“Është shumë e rëndësishme të kuptohet se kjo nuk është një qasje kundër Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut apo kundër perspektivës së Ballkanit Perëndimor në përgjithësi,” theksoi Rama.
Ai u përpoq më tutje të bindë ndjekësit se një vendim i pritshëm nuk ka të bëjë me progresin e Shqipërisë drejt plotësimit të kushteve të vendosura nga europianët mbi qeverinë e tij po se është vetëm problem i brendshëm i BE-së.
“Kjo nuk ka të bëjë fare me atë që ne kemi bërë apo nuk kemi bërë për të merituar po-në,” pretendoi ai. “Vendimmarrja ka një lidhje thelbësore me çfarë duan apo nuk duan të bëjnë anëtarët e unionit mes veti me reformën e bashkimit Europian,” këmbëngul Rama.
Ministri i jashtëm në detyrë Gent Cakaj, i cili zëvendëson në këtë post Ramën që mban formalisht edhe postin e ministrit të jashtëm, shkoi më tutje në një seri mesazhesh në Twitter duke pretenduar se vetë besueshmëria e BE-së është e rrezikuar nga një vendim negativ si dhe duke pretenduar se ky vendim mund të fuqizojë “rivalët strategjikë” në Ballkanin Perëndimor pa shpjeguar se për çfarë e ka fjalën.
“Ne nuk kemi nevojë për një BE të ngushtë, ishullore, që sheh nga brenda dhe që është e paangazhuar, por një që është e hapur, e drejtë dhe një bazë për shpresë në kohë plot telashe,” deklaroi Cakaj.
Shqipëria ka mbetur në dhomën e pritjes për hapjen e bisedimeve për anëtarësim që nga viti 2014 kur fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
Vitin e kaluar, Këshilli i BE-së premtoi hapjen e bisedimeve me Shqipërinë këtë vit, me kushtin që të realizohet një progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar. Gjithsesi, Parlamenti i Gjermanisë, ndërsa mbështeti një vendim pozitiv në fund të shtatorit, shtoi edhe një listë më të gjatë me kushte, më së shumti të lidhura me të njëjtin problem të krimit dhe korrupsionit.
*****
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Në foton kryesore: Kryeministri Edi Rama duke i folur ndjekësve të tij në Facebook.