Shqipëria hap dyert për rusët dhe del “kundër” sanksioneve të Perëndimit. Rama: – S’mendoj se duhen kufizuar
Shqipëria hap dyert për rusët dhe del “kundër” sanksioneve të Perëndimit. Rama: – S’mendoj se duhen kufizuar
26 PRILL 2022
NGA ARDIT DEDJA
Kryeministri Edi Rama ka dalë dje nga rreshti, duke dhënë sinjale afrime me Moskën. Edhe pse pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të ashpra kundër bizneseve, qytetarëve dhe politikanëve rusë, kryeministri Rama ka “injoruar” dje aleatët tanë strategjikë, duke hapur dyert për rusët, për të cilët qeveria shqiptare ka hequr vizat.
Kjo u bë dje e ditur nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili gjatë një konference për shtyp, theksoi se turistët rusë nuk duhet të kufizohen për të vizituar Shqipërinë pavarësisht nga ajo çfarë po ndodh në Ukrainë. I pranishëm në një konferencë, Rama u pyet nga gazetarët nëse Shqipëria ka lehtësuar procedurat për hyrjen e të huajve në vend, përfshirë edhe për rusët, a mendonte ai se duheshin se rishikuar sepse influenca ruse është shumë prezent në këto në Ballkan.
Po për Kryeministrin, nuk qëndron një konstatim i tillë, dhe tha se nuk mendonte njësoj me gazetarët. Shqipëria ka hequr vizat edhe për turistët e gadishullit arabik, Egjiptit, Indisë, Rusisë dhe Tajlandës. Ai theksoi se sezoni do të ketë edhe kalendarin e vet kulturor dhe do të ketë edhe disa risi të tjera që do të lidhen me mundësi që ofron digjitalizimin. Gjithashtu, Rama tha se edhe sistemi i ndihmës së parë dhe kujdesit shëndetësor në të gjithë vijën bregdetare është ngritur, është solid dhe do të vazhdojë të jetë aty në mbështetje të të gjithë turistëve, pushuesve dhe qytetarëve që shkojnë në vijën bregdetare.
Zgjedhja e Presidentit, Rama: Përfliten shumë emra pa dëshirën e tyre
Ndërkohë po dje, kryeministri Edi Rama përsëri u shmang për të dhënë një emër për Presidentin e ri të Republikës, teka tha se ka shumë thashetheme mbi disa emra, të cilët në më të shumtën e herës përmenden pa dëshirën e tyre. I pyetur mbi zërat që lidhin emrin e drejtoreshës e kabinetit të tij, Vali Bizhga, për t’u propozuar si kandidate për presidente, Rama e cilësoi “thashethem” dhe nuk kishte asgjë konkrete. “Kështu që nuk do të doja të shfokusoheshim dhe për më tepër e kam thënë që në fillim, që ky procesi i zgjedhjes së presidentit është një proces që stimulon maksimalisht thashethemet dhe përzihen në vorbullën e thashethemeve shumë emra, në më të shumtën e herës pa dëshirën e tyre fare, si në rastin në fjalë për të cilën mu bëtë pyetjen. Kështu që edhe përgjigjja ime është negative për pyetjen konkrete, sepse nuk ka asnjë të vërtetë në këtë”, deklaroi Rama.
Rama: Teatri Kombëtar do të ndërtohet siç është projektuar
Më tej kryeministri Edi Rama deklaroi dje se Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar. Kryeministri bëri të ditur se është duke u diskutuar për të ndryshuar manualin teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit, pasi kompanitë nuk shohin interes për të marrë pjesë në garat për investime publike.
“Për fat të keq u bënë tani 3 vite që bëjmë plane dhe kemi projekte për të realizuar, ndërkohë vendi përballet me ndërhyrje masivisht të forta faktorësh jashtë nesh, fatkeqësisht të mëdhenj, si tërmeti, pandemia apo lufta që ka nisur në Ukrainë, e cila faktikisht ka goditur shumë në aspektin e rritjes së çmimeve në tërësi dhe rritjes së çmimeve të materialeve të ndërtimit në veçanti, dhe Teatri Kombëtar do të ndërtohet ashtu siç është projektuar dhe siç jemi zotuar”, tha Rama.
Gazeta Sot