Shqipëria hyn në një kaos të ri kushtetues. –
Shqipëria hyn në një kaos të ri kushtetues.
16 nentor 2019
Nga Gjergj Erebara
Shqipëria hyri në një kaos të ri kushtetues pasi parlamenti akuzoi përmes një rezolute presidentin se ka shkelur kushtetutën ndërsa ky i fundit akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama se po përpiqet të kapë Gjykatën Kushtetuese dhe paralajmëroi për një dekret për shpërndarjen e parlamentit.
Maxhoranca parlamentare socialiste dhe presidenti i vendit Ilir Meta hynë në një fazë të re të konfliktit politik me akuza të ndërsjellta për shkelje kushtetuese, konflikt i cili vështirë se mund të zgjidhet në rrugë gjyqësore për shkak se vendi nuk ka një gjykatë kushtetuese funksionale.
Pasi Presidenti Meta vendosi të emërojë një të përzgjedhur të vetën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese duke lënë pa post një gjyqtare tjetër që e fitoi mandatin në mënyrë automatike,
Kuvendi i Shqipërisë u mblodh me procedurë “urgjente” të premten për të miratuar një rezolutë me titull: “Shmangia e krizës kushtetuese me synim legjitimitetin e Gjykatës Kushtetuese – detyrë imperative e organeve më të larta të shtetit”.
Sipas rezolutës, dekreti i presidentit për emërimin e Marsida Xhaferllarit “konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë,” dhe se Arta Vorpsi është gjyqtare kushtetuese pavarësisht se nuk është thirrur nga Meta për të bërë betimin.
Meta u përgjigj pak më vonë për atë që e quajti “paralajmërim i fundit” ndërsa përsëriti akuzat se maxhoranca po synon të kapë institucionet e sistemit të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese.
“Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura!,” deklaroi Meta para se të kërcënonte se “parlamenti me një dekret shpërndahet!”.
Shqipëria humbi Gjykatën Kushtetuese në fillim të vitit 2018 kur nga nëntë anëtarët e saj, tre u dorëhoqën ose u tërhoqën nga sistemi pasi mbaruan mandatet ndësa katër të tjerë humbën postin në procesin e vetingut në shkallë të parë.
Dhe ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk është në gjendje të marrë vendime, maxhoranca e kryeministrit Edi Rama është akuzuar në disa raste se po përdor mungesën e kësaj gjykate për të ndërmarrë ligje që kanë pikëpyetje nëse janë në shkelje të Kushtetutës.
Ndërsa maxhoranca ka akuzuar presidentin Ilir Meta se disa veprime dhe mosveprime, sipas saj, përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Rama u akuzua fillimisht se po shfrytëzonte mungesën e Gjykatës Kushtetuese për të miratuar ligjin kontrovers të koncesionit të Teatrit Kombëtar ndërsa Meta u akuzua se shkeli Kushtetutën kur refuzoi të emërojë Gent Cakajn si ministër i jashtëm e më pas, anuloi dekretin për datën e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Edhe në atë rast, Rama iu përgjigj me një rezolutë parlamentare ku kërkohej që dekreti i Metës “të konsiderohej nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë”.
Në të gjitha rastet, Gjykata Kushtetuese që duhej të shqyrtonte shkeljet apo mosshkeljet e Kushtetutës, nuk mund të marrë vendime.
Procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve të tërhequr apo të shkarkuar ka rezultuar i vështirë për shkak të formulës komplekse të miratuar në reformën kushtetuese të vitit 2016 të njohur si “Reforma në Drejtësi”, formulë që synon njëkohësisht pavarësi politike të anëtarëve të gjykatës dhe po ashtu klauzola emërimesh automatike për të shmangur rrezikun e bllokimit të procesit nga një prej institucioneve apo personave përgjegjës për emërime.
Mosmarrëveshjet kushtetuese për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duket se do të krijojnë një ngërç në vetë procesin e rikthimit të gjykatës në gjendje pune.
Në çdo rast, Gjykata Kushtetuese supozohet të përbëhet nga anëtarë që zgjidhen me rotacion përgjatë një periudhe nëntëvjeçare.
Një gjykatë kushtetuese e krijuar njëherësh, përbën atë që Komisioni i Venecias e quajti “kushte jooptimale”.
*****
Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë.