Shqipëria jep rreth 21 mijë leje qëndrimi për të huajt. – Sipas të dhënave të INSTAT keta janë nga Kosova Italia, Turqia, Bangladeshi… dhe Egjipti.
25 Gusht 2024
Në fund të vitit 2023, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21,460 banorë, duke shënuar një rritje me 18.2%, krahasuar me një vit më parë. Vitet e fundit Shqipëria padyshim po përjeton zhvillime të rëndësishme sa i përket turizmit, por të huajt nuk e vizitojnë Shqipërinë vetëm në periudhat sezonale. Një pjesë e tyre kërkojnë edhe të jetojnë në Shqipëri.
Sipas të dhënave të INSTAT, viti 2023 ka shënuar rekord të numrit të të huajve me leje qëndrimi. Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri vetëm në vitin 2023 ishte 12,430 aplikime, duke shënuar një rritje me 22.7%, krahasuar me vitin 2022.
Por nga cilat vende u paraqit numri më i lartë i kërkesave për leje në vitin që lamë pas? Sipas të dhënave, aplikimet sipas vendit të origjinës nga Kosova dhe Italia përbëjnë 28.5% të aplikimeve gjithsej në 2023. Më pas vijnë Turqia, Bangladeshi dhe Egjipti.
Në total, të huajt me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më të madh të të huajve rezidentë në Shqipëri në vitin 2023, respektivisht me 3,712, 3,375 dhe 1,693 banorë. Në vitin 2023 të huajt me leje qëndrimi për arsye punësimi zënë 48.3% të të huajve gjithsej, ndjekur nga arsyet për bashkim familjar me 22.2%, arsyet të tjera me 13.3%, arsyet për qëllime humanitare me 12.4% dhe arsyet për studime me 3.7%.
Të huajt me leje qëndrimi në Shqipëri me origjinë nga Italia, përveç arsyes për punësim me një peshë prej 49%, vihet re edhe një dominim i arsyes për studim me 17.7%. Të huajt me origjinë nga Kosova kryesohen nga arsyet për bashkim familjar me 43.5%.
Të huajt me origjinë nga Turqia kryesohen nga arsyet për punësim me 71.1% dhe arsyet për bashkim familjar me 25.8%. Por si ka qenë trendi i të huajve të parregullt në vendin tonë?
Të huajt e parregullt të evidentuar në territorin e Shqipërisë ose në kufi, pa dokumentacionin e nevojshëm, rezultojnë 6,630 persona në 2023, duke shënuar rënie, krahasuar me një vit më parë. Viti 2020 regjistron numrin më të lartë të personave të parregullt në tetë vitet e fundit.