SHQIPËRIA MESIANIKE. –
Nga: Kristaq Jorgo.
– Nuk ekzistojnë ndoshta fjalë më të pabashkueshme në ligjërimin e sotëm sesa “Shqipëri„ dhe “mesianizëm„. (Do të kuptojmë me këtë term bindjen në aftësinë e parathënë të një entiteti për të katalizuar ndryshime pozitive përtej vetvetes). Megjithatë duam t‘i bashkojmë këto dy fjalë dhe të flasim pikërisht për ‘Shqipërinë mesianike’, nisur prej traditës letrare shqiptare. Dhe duam ta bëjmë një gjë të tillë, jo për t’iu shmangur Shqipërisë, të themi ‘empirike,;imazhi i së cilës në botën e sotme është “i tmerrshëm„, por në të kundërt, për ta kuptuar atë.
Duke thënë kështu, nëpërmjet sintagmës së pazakontë “Shqipëria mesianike” kemi postuluar hipotezën se etnia shqiptare zotëruaka, jo thjesht në përfytyrimet poetike, një atribut mesianik, paskërka një mision në lidhje me botën, apo për t‘u shprehur me një terminologji laike, aftësi të një “ kombi katalizues„ (Zbigniew Brzezinski).
Prej fillimeve detyrë e parë e letërsisë shqiptare ka qenë ndriçimi i fatit, gjegjësisht i fatalitetit të atdheut, psikoza e të cilit “gjendet në rrënjët e mentalitetit antik shqiptar„ (Ismail Kadare). Një “e kaluar e shkëlqyer“, një “mbijetesë mijëravjecare“, një “vitalitet i jashtëzakonshëm„ dhe, përballë kësaj, një e tashme e mjeruar, një ekzistencë tragjike, një gjendje pasigurie dhe rreziku të vazhdueshëm – ky është vizioni i përmbledhur i Etërve të Shqipëri së Re, i atyre që patën synimin dhe ia arritën të bëjnë nga “mosshqiptari shqiptarin„ (Lasgush Poradeci). Prej këndej pyetjet: “Përse?, Deri kur?, Ç‘kuptim ka e gjithë kjo?, Do të përfundojë ndonjëherë?, Nëse po, në ç’mënyrë?” Pyetjet fondamentale “Kush jam?„,“Nga vij? „,“Ku shkoj? „ në asnjë letërsi tjetër nuk janë aq të lidhura, nuk janë pothuaj të shkrira me pyetjet mbi fatin ekzistencial të etnisë.
E gjithë letërsia shqiptare nga De Rada (Naimi, Fishta, Noli, Koliqi, Poradeci, Kuteli, Migjeni, etj.) te Kadare, Camaj, Trebeshina, Pashku e të tjerë dhe deri më sot mund të konceptohet si një paradigmë për dekodifikimin e kësaj shenje të (fshehur) me emrin “Shqipëri„. Pikërisht në sprovat për të dekodifikuar këtë shenjë, për të kuptuar këtë fat(alitet), për të ndriçuar funksionin e tij, lind miti i kombit në letërsinë shqiptare. Në formën më të koncentruar të mundshme dëshirën obsesion dhe pamundësinë tragjike për dekodifikimin e kësaj shenje i gjejmë te Migjeni: “Kangë a vaj? Çë je? Thujma zemër kombi!/Zemër që ke vuejtun e që ende po vuen! / Kangë a vaj? Çë je? Çë në ty po vluen!„.Në një trajtë tjetër, jo më pak të thukët, te Poradeci:“Zemra ime e tharë dhe e raskapitur nga logjika dhe dialektika e këtij kombi…„.“S‘të kuptova asnjëherë! „ është fjala e shqiptarit të përjetshëm drejtuar atdheut.
Këto kushte e bëjnë të pamundur një utopi të mirëfilltë, të së ardhmes. (Besimi në ardhmërinë është, në konceptin tonë, diçka tjetër). Ndoshta teksti i vetëm i mirëfilltë utopik në krejt mendimin shqiptar (një ese e Branko Merxhanit) nis me frazën mjaft simptomatike “Jetoj me ëndrrën e një vendi…„. Kështu Shqipëria, mund të thuhet, jeton me ëndrrën, me utopinë, e jeton utopinë. Në vend të një projektimi utopik në të ardhmen, kemi një introjektim të utopisë në të tashmen, një ekzistencë utopike, pra. Në këto rrethana letërsia shqiptare, siç vëren me të drejtë A. Pipa, “synon ta mbulojë më fort se ta zbulojë realitetin. Ajo është në esencën e vet një fenomen kompensues për diçka që mungon„. Mungon një ekzistencë normale e mbuluar (e plotësuar, e kompensuar) nga një utopi.
Ky fat(alitet) i ekzistencës utopike do të duhej të kishte, sipas mendimit poetik shqiptar, një domethënie, një funksion dhe përderisa paraqet një anormalitet kaq të veçantë, kjo domethënie dhe ky funksion duhet të jenë tepër specifkë. I pari, De Rada ka formuluar idenë se në këtë fat(alitet) fshihet “një qëllim i lashtë”.
Nëse një utopi e së ardhmes është e pamundur, atributi mesianik do të mund të realizohej vetëm në të tashmen. Eshtë tepër interesante të vërehet se të gjitha vizionet mesianike në mendimin poetik shqiptar vërtiten në sferën e komunikimit. Bëhet fjalë për një mesianizëm të të thënit, të verbum-it dhe jo të veprimit. Shqipëria është, për shembull, një shenjë komunikimi në vizionin poetik të F.Nolit: “Për botën ëndërr dhe qiell i ri„.“Në lahutat tona të këndohet (të lajmërohet, pra) Jeta e Re!„ urdhëron sipas modelit biblik Migjeni.
Në përqasje me mesianizmin par excellence, atë hebraik, mesianizmi poetik shqiptar është sui generis. Nëse etnia hebraike ia dedikon mbijetesën e vet ndërgjegjes mesianike, kolektiviteti shqiptar do të duhej të zbulonte në mbijetesën e vet një atribut mesianik. Shqipëria i ngjan kështu, në vizionin e turbullqartë të poetëve të saj, një lajmëtari që vrapon përpara, por që nuk e di se është i tillë, dhe që ka një mesazh për të dhënë, por të cilin nuk e njeh. E kërkon me ngulm këtë mesazh në përpjekjet dramatike për vetënjohje dhe ai do të duhej t‘i zbulohej më në fund në një çast ndriçimi.
Ky vizion, sado romantik e mistik qoftë, mund të cilësohet si paradigma e parë e formuluar për zgjidhjen e nyjes gordiane shqiptare, por njëherësh edhe paradigma e vetme e paelaboruar deri më sot, ndërkohë që të tjerat kanë rezultuar të dështuara.
Por a mund të ketë diçka të vërtetë në këtë vizion? Letërsia shqiptare, më e pakta, i ka paraprirë prej më shumë se një shekulli mendimit politik shqiptar, në margjinat e të cilit vetëm sot formulohen teza të tilla si “Problemet kardinale shqiptare (…) kanë një domethënie më të madhe se çështja shqiptare në vetvete„ (Veton Surroi); apo“një sistem i mendimit shqiptar do të duhej të ishte një kontribut i veçantë për zhvillimin e sistemeve globale të mendimit në botën e sotme, dhe mbi të gjitha për kohën që vjen. „ (Ukshin Hoti)
Letërsia shqiptare ngjan të ketë zbuluar kështu një çelës për dekodifikimin e “fatum“-it të etnisë. Ky “fatum„, shenja (“kënga„) që s‘kuptohet, është një „unicum“.