Shqipëria nën gjuhët e flakëve! – Zjarre masive nga të gjitha anët, temperaturat e ulëta nuk ndihmojnë aspak

– 24.03.22

Kodrat e Parkut Kombëtar të Divjakës dhe Karavastasë

Shëngjin

Zjarri në Dukat të Vlorës

Flakët përfshijnë sipërfaqen pyjore në Vaun e Dejës

Llogara, zjarrfikësit të pafuqishëm para flakëve

Zjarri në guroret e Dimalit

Zjarri i masivit pyjor në Orenjë të Librazhdit, digjen 3 ha pyje

Nga një situatë aspak e këndshme është përfshirë vendi ynë përsa i përket dëmtimit të bimësisë dhe pemëve. Gjatë muajve të fundit, vatra të shumta zjarri janë regjistruar në vend, pavarësisht se temperaturat kanë qëndruar shumicën e kohës nën zero dhe ka patur reshje shiu dhe bore.

Së fundmi, një vatër zjarri është ndezur edhe në një sipërfaqe pyjore në zonën e Pratit, sipër fshatit Çidhën në njësinë Administrative Arras. Nga këto flakë, rrezikohet edhe Parku Kombëtar i Lurës

Gazeta Shqiptare mëson se zjarri i rënë që nga dita e djeshme i favorizuar nga thatësira dhe era ka shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme.

Deri në këto momente nuk ka pasur ndërhyrje nga strukturat e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor. Zjarri i cili vijon, rrezikon pyjet në Parkun Kombëtar të Lurës.

Kodrat e Parkut Kombëtar të Divjakës dhe Karavastasë

Një nga vatrat e para të zjarrit ishte në Kodrat e Parkut Kombëtar të Divjakës dhe Karavastasë në janar. Flakët kanë marrë përpara dhe kanë djegur shkurret në parkun kombëtar teksa zona në të cilën ka rënë zjarri është fshati Mizë. Zjarri ka rënë rreth orës 15:00 të ditës së sotme. Megjithëse është fikur pas 2 orësh, ai është riaktivizuar sërish duke bërë që forcat zjarrfikëse dhe policore të zbresin në terren për ta neutralizuar atë në orën 19:00.

Shëngjin

Zjarri i parë për muajin e shkurtit ishte ai në zonën lagunore të mbrojtur të Knallës në Shëngjin. Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Shqiptare, flaket përshkuan rreth 10 hektarë bimësi, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve ishte e pamundur për shkak të mungesës se rrugës.

Zjarri në Dukat të Vlorës

Gjatë shkurtit, një zjarr i madh ra edhe në fshatin Dukat i Ri të Vlorës duke vendosur në rrezik edhe varrezat dhe duke dëmtuar rreth 2 hektarë bimë të ndryshme, kryesisht fier. Fatmirësisht, forcat policore dhe zjarrfikëset kanë shkuar në vendngjarje dhe bashkë me banorët e zonës punuan për shuarjen e flakëve të zjarrit.

Flakët përfshijnë sipërfaqen pyjore në Vaun e Dejës

Në fund të shkurtit, një sipërfaqe e madhe pyjore u përfshi nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën e Vaut të Dejës. Zjarri përfshiu fshatin Ukbibaj e Vilzë në njësinë Shllak. Zjarri ka djegur gështenja shekullore duke shkaktuar dëme të konsiderueshme mjedisore. Kjo u parashikua të sillte edhe pasoja ekonomike pasi shumë banorë të zonës krijojnë të ardhura përmes gështenjave.

Llogara, zjarrfikësit të pafuqishëm para flakëve

Megjithëse vatrat e zjarrit ishin aktive në zonën midis Parkut Kombëtar të Llogarasë dhe Dhërmiut, forcat zjarrfikëse vendosën të ndalojnë punën për shkak të errësirës.

Flakët fillimisht kanë përfshirë një zonë shumë pranë antenave të celularëve dhe më pas janë përhapur në gjithë sipërfaqen përreth, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me kullota dhe shkurre. Sipas policisë, dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm.

Zjarri në guroret e Dimalit

Një zjarr i madh ka përfshirë kodrat me pisha shekullore mbi guroret në Dimal. Fillimisht është vërejtur një vatër e vogël zjarri, e cila e favorizuar nga era ka përparuar ne shpejtësi në të gjithë sipërfaqen e kodrës, duke djegur dhjetëra hektarë me pisha.

Terreni i vështirë dhe mungesa e rrugës e ka bërë të pamundur hyrjen e mjeteve zjarrfikëse në vendin e zjarrit, ku zjarrfikësit janë duke shkuar në këmbë, për të fikur zjarrin me mjete rrethanore dhe me pompat e shpinës.

Zjarri i masivit pyjor në Orenjë të Librazhdit, digjen 3 ha pyje

Një vatër zjarri është shfaqur në masivin pyjor të fshatit Neshtë në Njësinë Administrative Orenjë të Bashkisë së Librazhdit më 17 mars. Nga zjarri janë djegur të paktën 3 ha pyje. Përhapja e flakëve në të gjitha drejtimet ka shkaktuar dëme jashtëzakonisht të mëdha.

Gazeta Shqiptare