Shqipëria nuk do të kursejë asnjë përpjekje drejt rrugës së anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.-
Sot në Paris u zhvillua sesioni i 40-të i Konferencës së Përgjithshme së Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë i Kombeve të Bashkuara.
Gjatë Konferencës u diskutua veçanërisht për çështje që lidhen me rëndësinë e edukimit dhe trashëgimisë kulturore e historike, në zhvillimin e shoqërive të hapura dhe prosperuese.
Ministri Cakaj konfirmoi në fjalën e tij se Shqipëria mbështet reformat e ndërmarra nga UNESCO për modernizimin dhe transformimin strategjik të organizatës, në mënyrë që të përmbushë, të mbrojë dhe të promovojë në mënyrë edhe më efektive parimet themelore të saj.
Duke besuar fort në angazhimin global, për përballimin e sfidave, Ministri Cakaj parashtroi në Konferencë kontributin dhe përkushtimin e plotë që Shqipëria jep në vetë sistemin e OKB, përfshirë UNESCO-n, për një botë më të mirë, më të paqtë dhe më të sigurtë, edhe nëpërmjet edukimit, komunikimit, ruajtjes dhe zhvillimit të vlerave e trashëgimisë kulturore, kombëtare e ndërkombëtare.
Nëpërmjet një reagimi në sa i takon çështjes së anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO Ministri Cakaj ka theksuar: “Nënvizuam domosdoshmërinë e patjetërsueshme të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO! Denoncuam fushatën dezinformuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe e bëmë të qartë edhe njëherë: Shqipëria do të vazhdojë punën e pakursyer për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO!”.
Cakaj u shpreh se refuzimi i aplikimit të Kosovës ishte një gabim historik.
“Mbledhja e sotme do të ishte më e pasur dhe më e plotë nëse Republika e Kosovës do të ishte e pranishme sot.” – theksoi kreu i diplomacisë shqiptare i cili thuajse në çdo samit dhe konferencë mbron fuqishëm interesat e Kosovës.
Shqipëria nuk do të kursejë asnjë përpjekje drejt rrugës së anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Ky është një realitet që mund të shtyhet, por asnjëherë mund të shmanget.