“Shqipëria nuk paguan detyrimet në UNESCO”- Deputetja e PD-së: Skandal, Margariti të japë dorëheqjen! Cënon marrëdhëniet tona
14 Nentor 2023
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka akuzuar Ministrinë e Kulturës së fundmi se nuk ka shlyer detyrimet që i takojnë shtetit shqiptar UNESCO-s.
Shteti Shqiptar nuk paguan detyrimet si anëtar i UNESCO-s që nga viti 2020, me ardhjen e Margaritit si Ministre e Kulturës!
Denoncimi i Zhupës i drejtohet drejtpërdrejt ministres së Kulturës, ndërsa kërkon edhe dorëheqjen e saj, pasi sipas demokrates, që me ardhjen e Margaritit në krye të Ministrisë në djalë, Shqipëria nuk ka paguar asnjë nga detyrimet e saj të anëtarësimit.
Duk e cilësuar këtë akt si skandal, Zhupa shprehet se “strategjia e znj. Margariti është zëvendësimi i UNESCO-s me AADF-në.”
Postimi i plotë i deputetes demokrate Ina Zhupa:
Skandali!
Shteti Shqiptar nuk paguan detyrimet si anëtar i UNESCO-s që nga viti 2020, me ardhjen e Margaritit si Ministre e Kulturës!
Paradoksi është se Ministrja e Kulturës, Znj, Elva Margariti, është edhe uzurpuese në mënyrë të paligjshme e pozicionit të Kryetares së Komitetit Shqiptare të UNESCO-s. Sapo ka marrë pozicionin e ministres, Shqipëria nuk ka paguar detyrimet e saj të anëtarësimit në UNESCO.
Ky përbën një akt i pashembullt shpërfilljeje ndaj UNESCO-s, por edhe cenim të dinjitetit shtetëror të Republikës së Shqipërisë.
Konkretisht
1- Shqipëria mbetet në detyrim pagese si kontribut i rregullt buxhetor i lindur nga anëtarësimi për shumën 79,566 dollar ose rreth 27.000 dollar në vit.
2- Shqipëria nuk ka kontribuar në Fondin Botëror të Trashëgimisë në vlerën që i takon asaj si anëtare, në masën prej 267 dollarësh në vit. Dhe detyrimi katërvjeçar është 1029 dollarë.
3- Shqipëria nuk ka kontribuar në Fondin Botëror të Trashëgimisë Jomateriale në vlerën që i takon asaj si anëtare, në masën prej 267 dollarësh në vit. Dhe detyrimi katërvjeçar është edhe 1029 dollarë të tjera.
Ky është rast flagant i cënimit të marrëdhënies tonë me UNESCO, i mbrojtjes dhe inskripimit të pasurive tona si pasuri botërore dhe një rrëshkitje në modele anti-UNESCO, duke e kthyer trashëgimininë tonë kulturore në mall tregu për orekset e fondacioneve të ndryshme.
Në vend që të ushtrojë detyrat dhe të gëzojë të drejtat e veta si Shtet Palë, përfshirë edhe eksperiencën e jashtëzakonshme të UNESCO-s në kulturë, arsim e trashëgimi, strategjia e znj. Margariti është zëvendësimi i UNESCO-s me AADF-në.
Margariti duhet të jap dorëheqjen për këtë skandal nëse ka pak dinjitet për pozicionin që mban si ministre e kulturës.
Gazeta Panorama