Shqipëria rekord vdekjesh në Evropë, raporti i KE: – Vendi me fatalitetin më të lartë në pandemi.

16 Shtator 2021

Rama: Krenaria më e madhe e mandatit II është lufta ndaj pandemisë, nuk kemi zili asnjë qeveri

Shqipëria ka regjistruar vdekshmërinë më të lartë në Evropë në vitin 2020 si pasojë e pandemisë COVID-19, sipas një raporti të Komisionit Europian të publikuar së fundmi.

Dokumenti njofton se vdekjet shtesë në Shqipëri gjatë vitit 2020 ishin 27% më të larta se mesatarja vjetore në periudhën 2016-2019.

Kjo përqindje është tregues se vdekjet nga COVID-19 në Shqipëri gjatë vitit të kaluar janë më shumë se dyfishi i fataliteteve shtesë në vendet e Bashkimit Evropian dhe më e larta krahasuar me vendet e rajonit.

Pas Shqipërisë, normat më të larta të vdekshmërisë shtesë në Ballkan janë regjistruar në Bosnje-Hercegovinë me 17% dhe Maqedoninë e Veriut me 12%.

Ndërkohë, nga përllogaritjet e bëra nga Komisioni Evropian rezulton se në vitin 2020 vdekjet në vendet e Bashkimit Evropian ishin 12.8% më të larta se mesatarja vjetore e viteve 2016-2019.

Pas Shqipërisë, Polonia është vendi i dytë në Europë me shtesën më të lartë të vdekjeve me rreth 21 %, e ndjekur mga Estonia me mbi 20%.

Nga të dhënat e raportit del në pah fakti se Shqipëria ka paguar kosto të larta në shëndetin e qytetarëve të saj pasi pas 3 muajve karantinë, masat kufizuese u lehtësuan dhe nuk respektoheshin sa duhet.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2020 humbën jetën 27 605 persona, me një rritje prej rreth 26% në raport me vitin e mëparshëm ose rreth 5 700 shtetas më shumë.

Sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e vdekjeve shtesë në vitin 2020 kanë ardhur nga sëmundjet e zemrës dhe shkaqe të panjohura.

OraNews