Shqipëria zbrazet nga të rinjtë, zëvendësohet në tregun e punës nga pensionistët. – Ja çfarë tregojnë shifrat
15 qershor 2021
Një seri faktorësh demografik, ku kryeson emigracioni i lartë po redukton me ritme të përshpejtuara forcën e punës tek të rinjtë 15-29 vjeç.
Në të kundërt, numri i pensionistëve në punë po rritet ndjeshëm.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, në tremujorin e parë të vitit 2021 forca e punës në grup-moshën 15-29 vjeç shënoi 326,106 persona, 27 mijë më pak se një vit më parë ose 7.7% më pak.
Forca e punës reduktohet për dy faktorë themelore.
E para, rënia e përgjithshme popullsisë në moshë pune dhe e dyta kur popullsia në moshë punë bëhet inaktive (nuk dëshiron të punojë).
Përgjithësisht kur forca e punës bie rritet numri i personave “dembele” , inaktivët. Por në rastin e grup moshës 15-29 vjeç inaktiviteti është rritur shumë pak në krahasim me rënien që ka ndodhur në forcën e punës, duke reflektuar qartë rënien e popullsisë banuese në vend në ketë grup-moshë.
Nga tremujori i parë 2020 deri në tremujorin e parë 2020, rreth 8800 të rinj kanë rënë në inaktivitet, por ndërkohë forca e punës ka rënë me 27 mijë të rinj.
Tkurrja e numrit të të rinjve të forcën e punës po vjen nga dy arsye kryesore. E para lidhet me emigracionin e lartë të kësaj grup moshe. Të dhënat e mëparshme të Eurostat mbi azilkërkuesit tregojnë se mbi 80% e azilkërkuesve shqiptare janë të rinj.
Arsyeja e dytë lidhet me rënien e lindjeve pas vitit 2000. Rënia sistematike e lindjeve ka ulur në mënyrë të natyrshme grupin e të rinjve në forcën e punës.
Projeksionet e popullsisë për tri nënndarje të grup-moshës së të rinjve, për vitet 2018-2021, tregojnë qartë që prurjet e moshave 15-19 dhe 20-24 vjeç paraqesin rënie të dukshme gjatë viteve në vijim, tendencë kjo që shënon pikënisjen e trendit rënës për forcën e punës.
Shifrat flasin për vështirësi të punësimit të hasura kryesisht tek të rinjtë. Tek grup-mosha 15-29 vjeç tregu i punës është i paqëndrueshëm.
Në tremujorin e parë të vitit 2021, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë është 23,3 %. Papunësia e të rinjve shfaqi tendencë rritëse. Krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e parë 2021, është 3,3 pikë përqindje më e lartë. Krahasuar me tremujorin e katërt 2020 është rritur me 1,6 pikë përqindje.
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbënin 70,1 % te të rinjve ekonomikisht jo-aktivë në tremujorin e parë 2021, ndërsa 9,0 % u klasifikuan si të papunë të dekurajuar.
Rritet me 30% numri i pensionistëve në punë
Hendeku që po lënë të rinjtë në tregun e punës po zëvendësohet me pensionistë. Sipas të dhënave të INSTAT numri i personave mbi 64 vjeç që janë raportuar në punë arriti në mbi 86 mijë në tremujorin e parë të vitit 2021 me një rritje 30 % në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i personave në punë mbi 60 vjeç arriti rekord në tremujorin e parë të këtij viti. Ata po bëhen gjithnjë e më atraktiv në tregun e punës për shkak të zanateve që zotërojnë. Bizneset po gjejnë më shumë aftësi te moshat e vjetra. Të rinjtë janë më të pakët në numër dhe gjithnjë e më pak po tentojnë të mësojnë zanate. Tendenca për të fituar shpejt dhe shumë pa lodhje është tashmë evidente.
Shumë biznese sidomos në sektorin e ndërtimit dhe fasonit po vuajnë mungesën e punonjësve, teksa kanë nisur përpjekjet për ti plotësuar nevojat me të huaj nga Afrika dhe Azia./B.Hoxha/ Monitor
Nga Gazeta Panorama