Shqiperia, se shpejti: “Pleqte e Ballkanit”. –
Shqipëria nga vendi me popullsinë më të re, do të jenë shumë shpejt “Pleqtë” e Ballkanit Perëndimor. 3 shtator 2019
1 tetori shënon edhe ditën ndërkombëtare të të moshuarve, përqindja e të cilëve në raport me popullsinë po rritet ndjeshëm. Kjo është rrjedhojë edhe e procesit të plakjes së popullsisë .
Sipas të dhënave të INSTAT mbi popullsinë, në 10 vitet e fundit numri i individëve mbi 85 vjeç është rritur me 22%, ndërsa në krahasim me një vit më parë me 5%.
Sipas këtyre të dhënave, më 1 janar 2019 në Shqipëri rezultonin 24,186 të moshuar mbi 85 vjeç, nga rreth 23 mijë që përllogariteshin në 1 janar të vitit 2018.
Me hyrjen e mijëvjeçarit të ri, numri i të moshuarve ka pësuar rritje drastike. Kështu sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2001 kishte vetëm 14,866 persona të moshës mbi 85 vjeç, apo rreth 40% më pak se sa ka aktualisht.
Plakja e popullsisë, sigurisht, që ka pasoja në ekonomi. Me rritjen e të moshuarve bie edhe produktiviteti i popullsisë dhe njëkohësisht kërkohen që të rritet numri i kapaciteteve për kujdesin shëndetësor. Shpenzimet për pensione rriten, në të njëjtën kohë kur ulet numri i kontribuuesve.
Parashikimet për Shqipërinë në lidhje me plakjen e popullsisë janë të zymta. Sipas projeksionit të OKB-së pritet që numri i të moshuarve në vitin 2100 të arrijë në 1.75 milionë banorë.
Ndërsa parashikimet për moshës mesatare të popullsisë shqiptare në vitin 2100 janë që ajo do të jetë 53.2 vite. Kjo do të jetë edhe mosha më e lartë mediane në rajon.
Kështu, Shqipëria nga vendi me popullsinë më të re, do të jenë shumë shpejt “pleqtë” e Ballkanit Perëndimor. 50 vjet më parë, Shqipëria kishte popullsinë mediane më të re të rajonit me një moshë mediane prej 19.6 vjet, madje më të ulët edhe se mosha mediane botërore prej 21.5 vjet. Mosha mediane në Serbi në 1970 përllogaritej 11 vite më e lartë se në Shqipëri, prej 30.1 vitesh.
Pas Shqipërisë, projeksionet parashikojnë se moshën më të lartë mediane do ta ketë Mali i Zi me 50.3 vjeç, pasuar nga Bosnjë dhe Hercegovina me 49.8 vjeç, Serbia dhe Maqedonia me 48.7. Ndërsa mosha mediane në botë përllogaritet që deri në 2100 të jetë 41.6./ monitor
e.ll./dita