Shqipërisë t’i rikthehen ikonat
19 Janar 2023
Në ditën që vendosën t’i rikthejnë Maqedonisë së Veriut 20 ikona, deputetët e opozitës dhe mazhorancës në Komisionin Parlamentar për Politikën e Jashtme kërkuan që edhe Shqipërisë t`i kthehen veprat e artit që i janë vjedhur ndër vite.
Shehu: Duhet të mendojmë dhe për ikonat tona dhe veprat tona të artit që janë tjetërsuar diku.
Kodheli: Po ti hyjmë historisë së konkuistatorëve, nuk e di nëse do të ekzistonin disa muze nëpër Europë më.
Çollaku: Është identiteti kombëtar në këtë mes
Vangjel Dule tha se Shqipëria nuk ka një inventar të plotë të veprave të artit, e në këto kushte rreziku për tjetërsimin e tyre është i madh.
Dule: Duhet të jemi të vëmendshëm kur shkëmbejmë sepse mund të jenë dhe vlera të objekteve tona kulturore të cilat kanë bërë një cikël trafikimi, duke u nisur prej këtu, duke përfunduar diku tjetër në një periudhë kohore dhe duke u pretenduar si të tyre.
Në grupet e punës që do të ngrihen për rikthimin e tyre në vendet e origjinës, deputetët kërkuan përfshirjen e përfaqësuesve të komuniteteve fetare.
Dule: Objektet fetare në një komunitet të caktuar më mirë sesa dhe shteti vetë i njohin banorët e tyre.
Koçi: Në Shqipëri nuk gjendet ndonjë vlerë kulturore e të tjerëve, përkundrazi vlerat tona përfshirë dhe ikonat janë trafikuar në vende të tjera.
Në vitin 2013 Policia e Shtetit sekuestroi 476 ikona të cilat kaluan në pronësi të shtetit e sot mbahen në Muzeun Historik Kombëtar.
Nga OraNews