Shqipetaret sot sytë nga Tuzi… .-
Shqipetaret sot sytë nga Tuzi… .-
- 03/03/19.
- Gazeta Mapo.
Sot në Tuz, në tokën shqiptare, por brenda kufijve të Malit të Zi zhvillohen zgjedhjet për këshilltarët komunalë. Partitë shqiptare atje kanë dalë së bashku në zgjedhje dhe pritet të marrin shumicën e votave.
Janë rreth 11.904 persona me të drejtë vote, ndërsa janë hapur 30 qendra votimi në orën 07:00 të mëngjesit, të cilat mbyllen në 20:00. Në Mal të Zi nuk zhvillohen zgjedhjet direkte për kryetarin, por do të jenë këshilltarët ata që do të zgjedhin me një shumicë të thjeshtë drejtuesin e institucionit vendor.
Ata besojnë se çelësi i bashkimit, do t’i nxjerrë fitimtarë në sfidën për të marrë 17 këshilltarë nga 32 të tillë.
“Në Malësi janë gati 70% shqiptarë, ndërsa në administratën e kësaj komune me vështirësi mund të gjeni dikë që flet shqip. Jemi të bindur se në Malësi pranvera fillon me 3 Mars dhe se për Malësinë vijnë ditë më të mira”, shprehet për Tv Klan kreu i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj.
Fadil Kajoshaj, kreu i Unionit Demokratik të Shqiptarëve thotë se “ka presione të ndryshme nga partitë qytetare që janë kryesore në Mal të Zi.”
“Jemi të bindur që kemi njerëz, kapacitet, që ta zhvillojmë vendin tonë, ta zhvillojmë infrastrukturën, ta zhvillojmë ekonominë, të hapim vende të reja pune, t’i krijojmë kushtet që bizneset, jo vetëm nga Mali i Zi, por dhe nga shteti ame dhe besoj se do t’ia dalim”, shprehet Nik Gjeloshaj, kreu i “Alternatives Shqiptare” në Mal të Zi.
Banorët e Tuzit, të ndodhur përballë mungesave të përditshme, shprehen shpresëplotë se do të jenë më mirë nëse do të udhëhiqen nga shqiptarët.