1 Shtator 2024
“Influencat e gjuhës shqipe në dialektet jugore sllave, emrat e përveçëm dhe toponimet”, ishte tema me të cilën u ngjit në auditoriumin e Fakultetit Filologjik hulumtuesi gjerman Christoph Giesel.

Fokusi në gjuhën shqipe dhe variabilitetet e saj ishte pika referuese e ditës së nëntë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Seancat nisën paraditen e së mërkurës me një shpalosje të realizimeve dhe projekteve të Katedrës së Shqipes të Universitetit të Kalabrisë në shërbim të albanologjisë dhe komunitetit arbëresh, nga studiuesi Francesco Altimari. Tutje, etnografi gjerman Thede Kahl  zbuloi për të pranishmit informacione rreth një enklave gjuhësore shqipe në Greqi. Në Mandres, afër Kilkis. Më tej u thelluan diskutimet edhe me referimin nga drejtori i Seminarit, profesori Bardh Rugova, i cili u paraqit me një prezantim rreth kohëve të foljeve të dëftores në gjuhën shqipe.  Mesdita qe e rezervuar për disa seanca të tjera të cilat edhe një herë dëshmuan mbi kompleksitetin e fushës së albanologjisë dhe degëzimet e shumta shkencore kur shqipja është subjekti.

“Influencat e gjuhës shqipe në dialektet jugore sllave, emrat e përveçëm dhe toponimet”, ishte tema me të cilën u ngjit në auditoriumin e Fakultetit Filologjik hulumtuesi gjerman Christoph Giesel.
Prezantimi në gjuhën angleze nga Giesel, i destinuar për një audiencë ndërkombëtare e cila po e përcjell këtë seminar gjatë ditëve të tij, nisi me toponimet në vendet e Ballkanit dhe origjina e tyre e cila i përgjigjet gjuhës shqipe. Për vendndodhjen në Mal të Zi të quajtur Goljemadi ai tregoi se derivon nga fisi shqiptar me po të njëjtin emër që ka kuptimin “Gola i madh”. Një i tillë qe dhe vendi i quajtur Bukmira në Ulqin. Ka treguar se mbiemri Bukumiroviq është mjaft i përhapur në Serbi.

“Kur flasim për këto studime ne mund të themi që ecim në një terren, por nuk mund të përcaktojmë çdo gjë, posaçërisht këtë aspektin shumë gjuhësor është e vështirë të  definohet saktë origjina e tyre”, ka thënë ai. Pjesë tjetër e referimit të tij ishte dhe migrimi i fiseve shqiptare nëpër vende të ndryshme të Ballkanit gjatë historisë. Mbiemrat si Shkreli, Kastrati, Baruti e të tjerë ai ka thënë se i ka identifikuar në disa vende të Ballkanit.

Detaj tjetër i asaj që ai ofroi ishin dhe ilustrimet nëpërmjet fotografive të realizuara gjatë punës në terren, ndër to mbishkrimet nëpër varre dhe emrat. Giesel kishte identifikuar kështu njëkohësisht në Bosnjë-Hercegovinë  dhe në Guci mbiemrin Hoti.

“Shumë njerëz nga Sanxhaku kanë ikur nëpër Turqi dhe ende sot në vetëdijen e tyre ekziston ideja se janë boshnjakë, por origjinën e kanë nga shqiptarët katolikë, shumë njerëz e njohin këtë si origjinë të tyren”, ka shtuar ai.

Ai ka ilustruar edhe më tej përmes shembujve konkret sllavizimin e këtyre emrave në shqip.

“Një çështje tjetër interesante është  mbiemri ‘Vukajoviq’ në Serbi, atje ka shumë teori se si ky është një derivat nga një emër serb, por në fakt familja Vukaj ka migruar në Mal të Zi, pastaj në Serbi dhe kështu është realizuar ky proces sllavizimi i cili e ka ndryshuar Vukaj në Vukajoviq. Natyrisht fjala ‘vuk’ është fjalë sllave në esencë, por ‘Vukaj’ i përgjigjet një fisi shqiptar”, ka thënë Giesel

Krejt ajo se çfarë ai prezantoi ishte qasja komplekse e cila e ka karakterizuar Ballkanin historikisht. Ndikimin e pashmangshëm mes popujve dhe kontaktin simbiotik sllavo-shqiptar. Në këtë kontekst ai i paraqet si veçanërisht interesante shqiptarizmat në zonën e dominuar nga sllavët dhe në mikro-hapësirat e minoriteteve sllave në zonat e dominuara nga shqiptarët. Si përfundim ky prezantim ofroi një pasqyrë selektive të ndikimeve të shqipes në dialektet, toponimet dhe emrat vetjakë në zonën e mbizotëruar nga sllavët e jugut perëndimorë nga njëra anë dhe te sllavët e jugut perëndimorë në zonat e mbizotëruara nga shqiptarët nga ana tjetër. Bashkë me disa veçori interesante. Aty u ofrua material me qasje  antropologjike kulturore dhe politike në terren.

Ndryshe nga Giesel, hulumtuesja kroate Maximiljana Barançiq shpalosi hulumtimin e saj i cili prek dhe trashëgiminë shpirtërore. Ajo ka  potencuar se për shkak të rrethanave historike dhe sociale, ruajtja e të folmes Zadar Arbanasi  nga arbëreshët në Kroaci, si identitet kulturor dhe i trashëgimisë së saj është bërë gjithnjë e më e vështirë. Si pasuri e madhe shpirtërore e Kroacisë, gjegjësisht Zarës, ajo dha mesazhin se duhet ta ushqejmë dhe ta ruajmë atë në mënyrë sa më efektive. Në përpjekjen për ta ruajtur atë idiomë ajo ka identifikuar disa pengesa, por pavarësisht nga të gjitha rrethanat ajo ka potencuar se ka arritur të ruhet. “Ne përpiqemi ta ruajmë në mënyra të ndryshme: duke e folur në situata të përditshme në familje , në rrugë, duke mbajtur kurse për të folurën arbëreshe, duke promovuar tekste shkollore, fjalorë, libra me figura dhe pjesë teatrale në të folurën arbëreshe; duke mbajtur koncerte me këngë të vjetra arbëreshe të harruara në të gjithë Kroacinë dhe më gjerë”, ka thënë ajo.

Në prezantimin e saj prej 20 minutash, Barançiq ka treguar fillimisht rreth fillimit të këtij hulumtimi dhe motivit të saj të parë rreth kësaj iniciative.

“Në prill të 2014-s  unë u dedikova në atë që kisha filluar të bëja kohë më parë. Ndërsa nga prilli i vitit 2015 fillova një kurs të së folmes arbëreshe nga një herë në javë në Zarë, në bibliotekën me emrin Aleksandër Stipçeviq, të cilin e njihni këtu.  Në fillimet e kursit kam rishikuar materialet me folësit e kësaj gjuhe duke shkruar për shembull fillimisht ditët e javës, muajt, stinët e vitit  në gjuhën shqipe. Por pas një pune të madhe  me bashkëpunëtorë unë  vendosa të përdor sistemin grafik latin të Kroacisë, me përjashtimin e  disa tingujve që nuk ekzistojnë në gjuhën kroate.  Dhe që atëherë ky kurs vazhdon të ketë ende shumë anëtarë, sidomos fëmijë të moshave të vogla”, ka shtuar ajo.

Por kontributi i saj nuk duket të ketë përfunduar, plot pasion ajo e ka shprehur këtë objektiv të sajin duke përmendur dhe plane konkrete që kjo e folme të njihet sa duhet në mes të arbëreshëve në Kroaci. Ajo ka publikuar dhe një libër mbi këtë të folme. Mes shpalosjes së gjetjeve gjatë intervistave dhe materialit nga terreni ajo ka bërë të ditur se synojnë që shpejt veprën nga arbëreshi i Zarës, Josip Rela, “Nita” ta shfaqin të dramatizuar në teatrin e Zarës. E jehonë presin t’ju bëjnë dhe shumë këngëve arbëreshe që rrezikojnë të harrohen.

Sesionin e saj Barançiq e përfundoi duke recituar një poezi arbëreshe. “Në fushë të arbëreshëve”. Mbi të gjitha i tërë referimi erdhi si një shprehje e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Zarës së Kroacisë, dhe si një thirrje se një çështje e tillë përbën detyrë e të gjithëve që të mundësohet ruajtja e kësaj idiome krahas mbrojtjes së saj si trashëgimi kulturore.

Nga Gazeta Koha, Prishtinë.