Shqiponja iliro-arbërore e sapogjetur në nekropolin e Komanit nga Etleva Nallbani.
Zbulohet shqiponja iliro-arbërore aty ku do të kalonin shtyllat e Komanit
“Shqiponja iliro-arbërore e sapogjetur në nekropolin e Komanit nga arkeologia Etleva Nallbani. Gjetje shumë e rëndësishme. (E të mendosh që aty do kalonin shtyllat e tensionit të lartë… Sa keq që mbetëm pa shtylla)”.
Kështu e ka komentuar foton e zbulimit më të afërt arkeologjik të datës 11 tetor 2015 në Facebook-un e saj, arkeologia e njohur Etleva Nallbani. Ajo ka qenë një nga të parat arkeologe e studiuese shkencore që bëri publik dhe mediatik shqetësimin në lidhje me vendbanimin e lashtë të Komanit, kur po bëhej gati projekti i vendosjes së katër shtyllave të tensionit të lartë të OST-së.
Kjo shqiponjë mesjetare, nëse do të ishin vendosur shtyllat e OST-së në zonën arekologjike B të Komanit, nuk s’do ta kishte parë kurrë më dritën e diellit. Në faqen e saj në FB, arkeologen Nallbani e kanë uruar shumë specialistë dhe studiues jo vetëm për zbulimin më të ri, por edhe për rezistencën e saj në filim të vitit për mbrojtjen e zonës arkeologjike.
Nallbani gjatë debateve për mbrotjen e zonës arkeologjike është shprehur se “Gërmimet në Koman kanë nisur rreth viteve 1850, ndër kërkimet e fundit para misionit tonë kanë qenë ato të viteve 1980-83. Prej 7 vitesh Komani gërmohet sistematikisht çdo verë. Komani njihet shumë për historianët, pikërisht për historinë që prezanton, ndërsa për publikun nuk njihet aq sa duhet, pasi nuk kanë përfunduar kërkimet”.
Dhe siç shihet në këtë foto, edhe kërkimet arkeologjike të ekspeditës së kësaj vere nuk kanë mbetur pa zbulime. Ndërkohë që objektet e zbuluara janë në një fazë sistemi e studimi, arkeologia Nallbani ka publikuar nga ekspeditat e fundit arekologjike këtë zbulim kaq domethënës, vetë simbolin tonë të lashtë kombëtar, shqiponjën iliro-arbëreshe.