Shqiptar apo jo? Replikë me një gazetar që përbalt kombin e vet.-
Shqiptar apo jo? Replikë me një gazetar që përbalt kombin e vet.-
Nga: Donika Omari
Një shkrim i botuar në një të përditshme me titullin: Urrejtja e shqiptarit patologji që nuk duhet harruar, e vë autorin, gazetarin Ben Andoni, përpara pyetjes: Është shqiptar apo jo? Pas këtij shkrimi, i duhet t’i përgjigjet kësaj pyetjeje. Sipas shkencës së logjikës, silogjizmi nuk lë shteg për mëdyshje: autori ose është ose nuk është shqiptar. Ja silogjizmi i mundshëm sipas deklaratave të tij:
Patologjia e tradhtisë, urrejtjes, nëpërkëmbjes është pjesë e shenjës kombëtare të shqiptarëve.
Unë jam shqiptar.
Unë kam patologjinë e tradhtisë, të urrejtjes, të nëpërkëmbjes.
Ose:
Patologjia e tradhtisë, urrejtjes, nëpërkëmbjes është pjesë e shenjës kombëtare të shqiptarëve.
Unë nuk jam shqiptar.
Unë nuk kam patologjinë e tradhtisë, të urrejtes, të nëpërkëmbjes.
Donika Omari
Me rastin e reagimit me shqiponjën të futbollistëve shqiptarë pas fitores me Serbinë, presidenti serb Vuçiç deklaroi se Serbët nuk fyejnë e nuk urrejnë askënd, siç bëjnë shqiptarët. Përgjigja që duhet dhënë në këtë rast është se, me sa duket, kur vrasin e përdhunojnë, këtë ata e bëjnë “pa urrejtje”. Por ai që bën këtë deklaratë nuk është shqiptar. Po ky gazetari ynë, që jeton në Shqipëri, që shkruan shqip e boton në një gazetë shqiptare, që rron me bukën që i jep dheu shqiptar i ç’kombësie është?
Ai shkruan pikë për pikë, e madje duke e tejkaluar shumë serbin, (se jep e merr të sjellë “argumente”, dhe, duhet theksuar, nuk është se shkruan me ironi a me ndonjë metaforë):
Shqiptarët e kanë urrejtjen në ADN–në e tyre… Urrejtja për çdo gjë është nga patologjitë tona më të mëdha… Sipas logjikës së tij, në këtë patologji nuk bën përjashtim askush: as Noli e Konica, as kokat e kombit të plazmuara si të tilla në histori në kohën e para Luftës së Dytë botërore, etj., etj.
Pasi ka mbledhur me zell raste mosmarrëveshjesh mes shqiptarësh, çka nuk është se s’kanë ndodhur e s’ndodhin, madje shumë e shpesh, bën një “argumentim” kur nxjerr një konkluzion copë-copë që vetëm objektiv nuk është. Sepse bazohet vetëm në rastet negative ku do të mbështetej çdo armik i kombit tonë.
Në një vepër të vet me titullin Plagët tona, Midhat Frashëri prek me keqardhje plagët reale të kombit, që i përmend me dhimbje e me synimin që të ndreqen. Por nuk bën fajin e madh që të përgjithësojë. Se, së pari, është patriot, e së dyti nuk shkruan pa mend. Edhe e nënshkruara, në librin Kulturë e ndërprerë, ka sjellë në vëmendje cenet e mëdha që sëmurin trupin e kombit. Por në përmbyllje shprehet:
Vetëm një pjesë e Shqipërisë është e sëmurë. Kur ta shërojmë do të mahnitemi nga bukuria e saj. Dhe synimi i këtij shkrimi ky është: të japë një ndihmesë sado të vogël që përqindja e bukurisë dhe e shëndetit të mbizotërojë.
Ndërsa zoti Ben Andoni nuk na lë asnjë shpresë sado të vogël për të ardhmen: jemi të dënuar njëherë e mirë tashmë. Të sëmurë përfundimisht, pa shpresë shpëtimi. Të marrë fund.
Në demokracinë e grekëve të lashtë, nuk lejohej askush të fliste e të kritikonte duke përgjithësuar, duke përfshirë kështu në kritikën e vet të gjithë athinjotët. Duhet t’i drejtohej me emër të përveçëm atij që donte të kritikonte. Intelektuali, shkrimtari, përkthyesi patriot Skënder Luarasi, e pati bërë kauzë personale fyerjen që i bënte fshatarit myzeqar një shkrimtar në një tregim të vetin. Profesor Skënderi e hodhi poshtë me forcë e me pathos përgjithësimin poshtërues që bëhej në atë tregim. Madje e denoncoi keqazi me një sarkazëm therëse autorin e tregimit. Në një rast tjetër, kur ndodhej jashtë vendit dhe dëgjon që, nga një i huaj, shahet mbreti Zog, i del në mbrojtje këtij të fundit, megjithëse vetë ishte antizogist i vendosur. Por ndaj të huajit, vuri kombësinë përpara zgjedhjes politike, çka duhet të vlejë si shembull për politikanët e sotëm.
Sot, fatkeqësisht, nuk është i vetmi ky gazetar që përbalt kombin e vet. Kjo gjë e shëmtuar dhe poshtëruese vërehet edhe te media e gazetarë të tjerë, madje edhe te drejtues televizivë. Dhe bashkëkombës të tjerë, ata që nuk gjykojnë me kokën e vet se u janë shpëlarë trutë, përsërisin si papagall të njëjtën muzikë, duke mos pushuar së hedhuri baltë mbi shqiptarët në përgjithësi, pa e shkuar në mendje se ajo baltë u bie drejt e në fytyrë Është bërë si shenjë “emancipimi shoqëror”, si shenjë “niveli qytetërimi” të mos jesh patriot, të shash e të fyesh vendin tënd.
E marr me mend si do t’i shkatërronte me penën e tij therëse këta persona kaq “të ngritur” atë Gjergj Fishta.
Thesin e urrejtjes, (ku autori i deklaratës se urrejtja është në ADN e shqiptarëve nuk e mendon se fut edhe veten), ai e mbush vetvetiu me gjithçka të çmuar që kanë prodhuar shqiptarët dhe që u ka lejuar të ekzistojnë si të tillë deri në ditët e sotme: me Buzukun, që shkruan …en së dashunit të botës sanë; me tre B-të e tjerë, Budin, Bardhin, Bogdanin, që shkruajtën pikërisht, dhe në kushte shumë të vështira, nga dashuria për vendin. Vetvetiu aty futen edhe Variboba, Gavril Dara e De Rada, edhe vetë Gjergj Kastrioti, edhe Veqilharxhi e Kristoforidhi, edhe i ëmbli Naim, që shprehet : “Në shpirt kam dashurinë”. Futen rilindasit e tjerë frymëzues të atdhedashurisë: Samiu, Çajupi, Asdreni, etj, për të vazhduar me ata që dhanë jetën për pavarësinë e për çlirimin e vendit. Futen gjithashtu kolosët e letërsisë e të kulturës shqiptare, që e kanë lidhur fatin e tyre me fatin e atdheut, I. Kadareja e R. Qosja. E vargu i intelektualëve të ndershëm e patriotë, shkrimtarë, poetë, Fishta, Lasgushi e Kuteli, A.Buda, E. Çabej e S.Riza, që mundën t’i kryenin punët e tyre aq të vlefshme e të bukura të nxitur jo nga urrejtja por nga dashuria. Futet vetë Nënë Tereza, simboli sublim i dashurisë. Si edhe të gjithë ata shqiptarë që e duan atdheun, pavarësisht pakënaqësive ndaj tij, ashtu siç do fëmija prindin, me gjithë shuplakat që u ka dhënë a u jep ky.
Është e vërtetë se nuk janë të pakta të metat tona, plagët tona. Por kjo nuk përligj nxirjen e plotë të realitetit. Dhe këta nxirosës e përjashtojnë veten nga përgjegjësia për këtë gjendje. Nuk marrin mundimin të bëjnë as përpjekjen më të vogël për sugjeruar si dilet nga tuneli. E gjejnë më të udhës të përhapin demoralizim, depresion, humbje të çdo shprese.
Vetëm një solidarizim i fuqishëm kundër përbaltjes së kombit mund t’i vërë fre kësaj dukurie kaq të shëmtuar e të rrezikshme, besoj se pa shembull në botë.