Shqiptarët do paguajnë 154 milionë euro për dy vendime të Ramës
Shqiptarët do paguajnë 154 milionë euro për dy vendime të Ramës
– 07/09/20
Gjykata e Arbitrazhit i ka dhënë të drejtë kompanisë greke AKTOR, duke dënuar qeverinë shqiptare me 44 milionë euro për prishje të njëanshme të kontratës, në rrugën Tiranë – Elbasan. Bashkë me paratë që duhet ti paguajë Becchettit fatura shkon në 154 milionë euro. Deri më tani rruga Tiranë – Elbasan ka kushtuar 138 milionë euro mbi shumën e planifikuar.
Qeveria Shqiptare ka marrë një tjetër goditje në arbitrazh, këtë herë nga komania greke “AKTOR”, ku i duhet të paguajë rreth 44 milionë euro. Sëbashku me 11 milionë euro që do i duhet ti paguajë pronarit të Agon Channel Francesco Becchetti, kjo shumë shkon në 154 milionë euro, në një kohë kur vetëm këtë vit buxhetit të shtetit i mungojnë 1.2 miliardë euro dhe borxhi publik ka kapërcyer mbi 80% të prodhimit të përgjithshëm. Natyrisht janë para që do duhet të paguhen nga taksapaguesit shiqiptarë.
Denoncimi
Denoncimi edhe kësaj radhe erdhi nga selia e PD-së, ku ish deputeti Gent Strazimiri tha se veç kostos prej 138 milionë euro më shumë (para që kanë shkuar për 13 kilometra nga Sauku në Ibë) që shqiptarëve u duhet të paguajnë dhe 44 milionë euro të tjera. “Kompania greke ishte kontraktuar nga qeveria shqiptare për të bërë punimet shtesë, por Edi Rama në mënyrë që të favorizonte kompaninë e mikut të tij dhe të Taulant Ballës “Inerte Ekspress” të Begos vuri gjoba, bëri presion dhe tentoi që të largonte kompaninë Greke Aktor, e cila mbasi mori nënkontraktorët e imponuar nga qeveria dhe u largua pa marrë asnjë pagesë.
Për këtë arsye Aktor ju drejtua Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar duke paditur qeverinë shqiptare. Me 1 shtator 2020, pra vetëm 5 ditë më parë, Arbitrazhi shpalli vendimin që i jep të drejtë kompanisë Greke dhe dënon Shqipërinë ta dëmshpërblejë atë me plot 44 milion euro. Pra, qeveria shqiptare, për të favorizuar kompaninë e Edmond Begos me shokë ngarkon në këtë mënyrë buxhetin e shtetit shqiptar i cili sigurohet me taksat e qytetarëve shqiptarë. Edi Rama në 2013 mori një rrugë të përfunduar dhe shpenzoi 138 milion euro kosto shtesë: nga 312 milion euro e parashikuar ne fillim, kostoja e rrugës përfundoi në 450 milion euro.
Pa asnjë bilanc në punë publike, pa asnjë rrugë të shtruar, në 8 vjet shkatërruan edhe ato investime publike që gjetën të gatshme”. Më tej Strazimiri thotë se sëbashku me paratë që duhet ti paguhen Becchettit kjo faturë shkon në 154 milionë euro. “Kjo faturë që rëndon në xhepat e shqiptarëve dhe të ekonomisë së Shqipërisë, vjen vetëm pak muaj pas një tjetër ndëshkimi nga Arbitrazhi Ndërkombëtar. Për shkak të banditizmit të Edi Ramës dhe interesit të Rilindjes, kjo gjykatë e ndëshkoi Shqipërinë dhe shqiptarët me faturën 110 milion euro për një dëm shkaktuar pa shkak ligjor biznesmenit Italian Francesco Becchetti, media kritike dhe bizneset e të cilit u mbyllën arbitrarisht nga qeveria e Rilindjes sapo erdhi në pushtet. Janë plot 154 milion euro për dy muaj që Shqipëria duhet tu paguajë vetëm dy kompanive si pasojë e vendimeve të Arbitrazhit Ndërkombëtar.
154 milion euro të cilat do ti paguajnë shqiptarët, jo Edi Rama dhe miqtë e tij që sot ndajnë fitimet ndërsa shqiptarët vuajnë urinë”, thotë Strazimi që shton se kompania AKTOR u përzu me qëllimin që fondet e rrugës tu jepeshin firmave të afërta me njerëz të pushtetit. Sipas Strazimirit, paratë kanë shkuar për firmën “Inert Express”, pronari i së cilës njihet si njeri i afërt i Taulant Ballës, kryetar i grupit parlamentar të PS-së.
Kompania
Rruga duhet të kushtonte rreth 312 milionë euro, por ka kushtuar 450 milion euro në total, ku 138 milion euro ka kushtuar vetëm segmenti Sauk-Ibë me një gjatësi rreth 13 kilometra. Ndërkohë që pas ardhjes në pushtet, kompania Greke u përball me një sërë vështirësish në lëvrimin e fondeve nga ana e qeverisë. Për shembull në vitin 2015 kur duheshin dhe rreth 9 miliard lekë për të përfunduar segmenti, qeveria shqiptare akordoi vetëm 1.1 miliard lekë dhe jo vetëm kaq. Vetëm nga përllogaritja e gabuar e tatimeve, kompania do të kishte një humbje prej 2,6 milionë eurosh çka e detyroi që në vitin 2016 ta dërgonte çështjen në gjyq.
Në vitin 2017, llogaritë e saj u bllokuan nga përmbarimi nën pretendimin se ka borxhe ndaj kompanive të treta, duke sjellë humbje dhe vonesa të tjera në mbarimin e rrugës. Kompania që përfundoi në kohë rekord tunelin e Elbasanit dhe me gjysmën e shumës së tenderuar tashmë po përballej me probleme të stisura nga vetë qeveria. Me qëllim vazhdimin e punimeve, ajo u detyrua të merrte hua në banka.
Humbjet ishin katastrofike, dhe në vitin 2018 kompania rezultonte me rreth 40 milion euro humbje. Nga ana e saj qeveria shqiptare prishi kontratën me AKTOR duke vazhduar me kompani të tjera. Kjo mesa duket ka bërë që edhe arbitrazhi në vendimin e tij të anojë nga pala e kompanisë duke shpallur si fajtore qeverinë shqiptare e cila është e detyruar ti paguajë kompanisë as më shumë e as më pak, por fitimin e munguar përgjatë kohës që ajo ka qënë këtu. Një skenar i ngjashëm, si me Becchettin, ku qeveria duhet të paguajë nga paratë e taksave rreth 11 milion euro.
Tomorri: Kostoja nga veprimet e qeverisë 260 milionë euro
Gazetari Kodian Tomorri, ka reaguar dje me një shenim ne Facebook, ku bën një permbledhje të gjithe faturës që na vjen nga vendimet e qeverise, të goditura në Arbitrazh. Postimi i plotë:
Kur të nisë fushata, mes sukseseve të shumta, qeveria duhet të përmendë edhe këto më poshtë:
110 milion euro Becchetti
94 milion euro Çezi
44 milion euro Aktori
11 milion euro Pallati i Vlorës
Këto janë vetëm gjobat e mëdha, pa përfshirë gjyqet e vogla të pronave. Në total 260 milion euro deri tani. Janë shumë të tjera që presin në radhë. Kjo është grabitja më e pastër, që u është bërë shqiptarëve ndonjëherë. Asnjë përgjegjësi ligjore, asnjë rrezik. Inçentiva që zyrtarët e lartë të bëjnë pazare me kompanitë është e madhe, ndërkohë që rreziku që të përballen me pasojat ligjore është zero.
Këtu ka vetëm një zgjidhje. Populli duhet të kërkojë referendum për një ligj, ku zyrtarët që firmosin vendime me pasoja në arbitrazh, të dënohen automatikisht me burgim të përjetshëm dhe konfiskim pasurie. Përndryshe shuma 260 milion do të bëhet 26 miliard euro brenda 10 viteve.