Shqiptarët në artin e një çifti britanik. –
Është vera e vitit 1925. Një makinë taksie “Ford”, lëviz nëpër rrugën gjithë gropa dhe pluhur që lidh kryeqytetin e vjetër me kryeqytetin e ri shqiptar. Kundrejt një pagese prej një shilinge, shoferi i saj, po shpie një çift artistësh britanik, nga Durrësi drejt Tiranës. Zonja, është Cora Josephine Gordon, kurse burri i saj quhet Jan Gordon.
Të dy muzikantë dhe piktorë. Hera e parë që ata kishin takuar shqiptarë, kishte qenë dhjetë vjet më herët, më 1915, kur gjatë Luftës së Parë Botërore kishin shërbyer si vullnetarë të shërbimit shëndetësor në Mal të Zi dhe Serbi, ku kishin shkuar për tre muaj, por kishin mbetur rreth një vit. Historinë e tyre të asaj kohe, ata e kishin rrëfyer në një libër të titulluar “Dy bredharakë në Serbi dhe Mal të Zi”.
Ata do të ruanin këtë titull edhe për disa vepra të tjera të tyre si “Two Vagabonds in the Balkans”, pra “Dy bredharakë në Ballkan”, pastaj “Dy bredharakë në Spanjë, “Dy bredharakë në Languedoc” dhe “Dy bredharakë në Suedi”. Në këtë mes, hyn edhe libri i bashkëshkruar prej tyre nga dimri i vitit 1925 deri në verën e vitit 1926: “Two Vagabonds in Albania” apo “Dy bredharakë në Shqipëri”.
Përmes tij, jo vetëm që mund të kuptojmë intinerarin dhe historinë e udhëtimit të çiftit Gordon nëpër Shqipëri, por mund bredhim bashkë me ta në botën shqiptare të kohës. Përreth një muaj sa kanë zgjatur bredhjet e këtyre dy artistëve në tokat e Republikës së Shqipërisë, që atë kohë kishte vetëm gjashtë muaj që ishte shpallur, ata kanë vizituar Tiranën, Elbasanin, Pogradecin, Përmetin, Gjirokastrën, Këlcyrën, Mallakastrën, Beratin, Shkodrën, Malësinë e Madhe dhe Malësinë e Vogël.
Të shoqëruar nga një shqiptar i moshuar i quajtur Mislim Haxhia, Jan dhe gruaja e tij Cora, iu dhanë krejtësisht rrjedhës së rastësisë së këtij udhëtimi, duke mos kërkuar diçka në veçanti, përveç kënaqësisë së bredhjeve pa cak. Kjo vërehet që në faqet e para të librit të tyre, kur ata po largoheshin nga Tirana me këto përshtypje: “Në fund të fundit Tirana na pëlqeu në mënyrën e saj. Nga pikëpamja jonë ishte një qytret i shkëlqyer. Në thelb ne jemi udhëtarë dembelë. Ne lejojmë jetën të vijë ajo tek ne dhe kështu ajo na qaset ëmbëlsisht në mënyrë sa më natyrale.
Sa për argëtimin tonë të mbrëmjes, ishin dy kafenetë ku orkestrat e jevgjitëve luanin muzikë të çuditshme dhe ngjethëse dhe ku vajza jevgjite kërcenin vallet më banale dhe aspak frymëzuese që ne na ka takuar të shohim.” Atyre duket tu kenë bërë shumë përshtypje brekushet me lajlelule të valltareve jevgjite, që jo pa qëllim janë vënë në qendër të vizatimit të tyre, ku rreth një vajze jevgjite që vallëzon, shihen katër të tjera, dy të reja dhe dy të moshuara, duke kënduar me dajre, një burrë që luan në mandolinë dhe një tjetër në klarinetë.
I ndërfutur bashkë me të tjerët brenda tekstit të vetë librit, ky vizatim ilustron me një thjeshtësi të madhe por njëkohësisht me shumë bukuri, rrëfimin e dy autorëve të saj për atmosferën aq melodramatike të meshkujve shqiptarë, që shkrihen pranë valltareve jevgjite duke u përpjekur tu heqin shamitë nga koka, mes tingujve aq ngjethës e si me të qara të violinës dhe instrumenteve me tela, që të kombinuara prodhojnë një melodi të përzier me melos gjysmëorinetal. Valltare jevgjite – Tiranë 1925 Mes 42 vizatimeve që kanë rezultuar nga udhëtimi njëmujor i çiftit Gordon nëpër Shqipeëri, vërehet që të dy artistët janë tërhequr shumë nga mustaqet e mëdha dhe shpeshherë me stile të ndryshme të shqiptarëve.
Në një rast, kur Cora po vizatonte mustaqet e një malësori që po pozonte për këtë, shokët e tij i kërkuan asaj t’ia bënte mustaqet edhe pak më të gjata nga ç’i kishte me të vërtetë. Ndërkohë një tjetri që kishte pozuar me shumë durim për një kohë të gjatë, të afërmit i kishin thënë: “Ej, msutaqet e tua do të shfaqen në të gjithë gazetat angleze. E ç’do të doje më shumë ti?” Sipas rrëfimeve të çiftit artist, shqiptarët e sidomos ata të malësive të veriut, mburreshin me gjatësinë deh dendurinë e mustaqeve të tyreMes shumë burrave musteqoshë që kanë vizatuar Jan dhe sidomos Cora, i vetmi vizatim me vaj dhe shkumës që ka libri, portretizon një mesoburrë me mustaqe të gjata e fytyrë të ashpër, që autorët thojnë të jetë Gjeloshi, i biri i Marashit, Kryeplakut të Bogës. Gjeloshi, i biri i Marashit nga Boga Në vizatimet e Jan dhe Cora Gordon, gjejmë dhe pamje të disa prej vendbanimeve shqiptare që ata vizituan. Duket sikur ka qenë e pashmangshme vizatimi i qytetit karakteristik të Gjirokastrës me rrugët prej guri dhe me shtëpitë e mëdha e hijerënda që të ngjallin mister që në dukje. Brenda një vizatimi të vetëm,
Cora ka përfshirë rrugicat, shtëpitë, xhaminë, pazarin dhe kalanë e Gjirokastrës. Për këtë qytet, ata thonë të jetë një mrekulli e habitshme me një lloj individualiteti shumë autentik dhe të shfaqshëm. “Zor se mund të gjendet në botë një qytet tjetër si Gjirokastra. Qyteti ka elemente të një vendi zanash, të një vendi të rrënuar tokësor zanash që dikur kishte parë ditë më të mira. Ana magjike e cilësive të Gjirokastrës është pjesa e banimit. Në të gjitha anëkodrat dhe pjerrësitë qëndrojnë shtëpi tre katëshe të rrethuara me mure të larta.”
Habia e çiftit britanik me qytetin e gurtë të Gjirokastrës, i ndarë mes pjesës së vjetër që shkon faqes së malit dhe pjesës së re që po zhvillohej anës së fushës, i ka bërë ata të pyesin se çfarë e bën kaq të madhërishëm një qytet me pamjen dhe përmasat e Gjirokastrës? Teksa largohen me kokën pas kah qyteti, Gordonët profetizojnë që shumë shpejt Gjirokastra do të tkhehej në një guaskë gjysmë bosh dhe që kështu Shqipëria do të humb një nga pamjet e saj më të bukura. Gati një shekull më pas, pavarësisht humbjeve dhe ndryshimeve, ky qytet është në mbrojtjen e shtetit shqiptar dhe është përfshirë në listën e qyteteve të mbrojtura nga UNESCO.
Përtej fotografive të shumta dhe disa videove që bartin pamje nga Shqipëria e mes dy luftërave botërore, vizatimet e çiftit britanik Jan dhe Cora Gordon të shoqëruara nga libri i tyre “Dy bredharakë në Shqipëri”, i sjellë edhe në shqip nga Edgar Frashëri, janë një mozaik vizatimesh të bashkëngjitura me histori bredhjesh shumë të çiltëra dhe përplot rastësi, që Shqipërinë e asaj kohe e sjellin të regjistruar në art, siç e kishin fiksuar autorët e tyre kur e pane atë në verën e vitit 1925.
Nga: Durim Abdullahu