Shqiptarët në azil, ja si do ta plotësojë qeveria boshllëkun e fuqisë punëtore.
Shqiptarët në azil, ja si do ta plotësojë qeveria boshllëkun e fuqisë punëtore.
… Kjo nismë është ndërmarrë për t’u dhënë mundësi shtetasve të huaj në zonat e largëta, që të aplikojnë për vizë turistike dhe vizë pune në vendin tonë.
6 shkurt 2020
Nga: MARIGLEN KUME
Dy javë më parë, zv. ministrja e Brendshme, Rovena Voda, në Këshillin Kombëtar të Integrimit konfirmoi se trendi i azilkërkuesve shqiptarë vijon të jetë në rritje. Sipas saj, referuar shifrave të Eurostat në 2019, kërkesat e shqiptarëve për azil në vendet europiane u rritën me 10%. Ndërkohë, sipas një sondazhi të EPPC, shqiptarët largohen nga vendet e punës pasi nuk ndihen të vlerësuar.
Konkretisht, 60% e të pyeturve thonë se ndihen të pakënaqur në vendin e tyre të punës. Arsye të tjera renditen paga, mungesa e motivimit, puna e papaguar jashtë orarit dhe mundësia e ulët për të bërë karrierë. Këto arsye bëjnë që zgjidhja dhe mundësia për një jetesë më të mirë të kërkohen jashtë kufirit.
Pavarësisht këtyre të dhënave, qeveria shqiptare nuk stimulon politika përmirësimi të kushteve të punës dhe frenimin e emigrimit të shqiptarëve, por synon të lehtësojë forcë punëtore nga vendet e largëta. Komisioni i Ligjeve miratoi dje projektligjin për shtetasit e huaj, i cili ka në thelb tri gjëra: ndryshimin e afatit të vizave, shkurtimin e shqyrtimit të tyre dhe aplikimin online për viza.
Sipas zv. ministrit të Jashtëm, Etjen Xhafaj, kjo nismë është ndërmarrë për t’u dhënë mundësi shtetasve të huaj në zonat e largëta, që të aplikojnë për vizë turistike dhe vizë pune në vendin tonë.
“Sa i përket studimit të nevojave, duke qenë se sistemi i mëparshëm ka qenë ndalues, e bën pak të vështirë të vlerësohen vendet nga të cilat donin të vinin qytetarë dhe nuk vinin dot. Për t’ju dhënë një shembull, në të gjithë Afrikën ka vetëm një ambasadë, vetëm në Egjipt. Për të gjithë Azinë e largët ka dy ambasada dhe mbulon një të tretën e popullsisë së botës. Kemi gropa shumë të mëdha. Ajo që kemi bërë është që përmes vizave elektronike t’u japim mundësi edhe atyre shtetasve, ku Shqipëria nuk i mbulon dot me ambasada”, tha Xhafaj.
Ndërkohë, relatorja në Komisionin e Ligjeve, Vasilika Hysi, u shpreh se pas tërmetit ka lindur nevoja për fuqi punëtore në vendin tonë.
“Zgjerohet rrethi i subjekteve që mund të punësohet në Shqipëri, me të drejta të barabarta si shtetasit shqiptarë. Tërmeti vuri në pah që kemi nevojë për fuqi punëtore, që jo detyrimisht ndodhet në Shqipëri. Dhe këta përfitojnë lehtësira për lejen e punës dhe vizat”, tha Hysi.
Ndërkohë, ajo shtoi se duhet të bëhet kujdes, që në fillim të plotësohen nevojat e punësimit të shtetasve shqiptarë dhe më pas të kërkohen të huajt.
DEBATI NE KOMISIONIN E LIGJEVE
Etjen Xhafaj (zv. ministër i Jashtëm): Projektligji synon ndryshime dhe shtesa në tri fushat kryesore, që rregullohen nga ligji për të huajt. Duke ndryshuar politikën e vizave në kuadër të liberalizimit dhe derregullimit, duke krijuar edhe sistemin e vizave. Dhe gjithashtu duke hapur një mundësi për zhvillimin ekonomik. Ndryshimi në projektligj ka lidhje me përmirësimin e disa dispozitave lidhur me lëshimin e lejes së punës dhe punësimin e të huajve në Shqipëri, duke gjykuar që ligji ka pasur një nyjë të dyfishtë, duke pasur qoftë një limit numerik, qoftë një sistem kuotash, çka e pamundësonte në mënyrë elastike hapjen e mundësive të tjera në sektorë të rinj të zhvillimit të ekonomisë. Po ashtu, ka lidhje edhe me disa ndryshime sa u takon politikave të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, duke goditur afatet që kanë qenë të stërzgjatura, duke shkurtuar afate dhe shqyrtimin për lejet e qëndrimit.
Rovena Voda (zv.ministre e Brendshme): Risia e lejeve të qëndrimit lidhet me afatin e lëshimit të lejes së qëndrimit. Ka pasur shtetas së huaj që janë bezdisur për lejen e qëndrimit. Brenda 30 ditëve, autoriteti përkatës do mbajë një qëndrim nëse e lëshon lejen e qëndrimit ose jo. Ky afat ka qenë 60 ditë më parë.
Vasilika Hysi: Ky ligj ka lindur si një nevojë e brendshme. Ajo që do të doja të theksoja është lidhur me mekanizmin e lëshimit të vizave elektronike online. Parashikoni vizat c dhe d. Ata që qëndrojnë deri në 90 ditë dhe deri në 180 ditë. Ju zgjeroni mekanizmin e aplikimit për vizat, ku përfshihen vendet jashtë kontinentit evropian, me vende ku Shqipëria s’ka mundësi të ketë ambasada. A ka një studim të nevojave për aplikim për viza për nivelin C dhe D për këto vende? Dhe cilat janë bërë përpjekjet për të informuar për këtë mekanizëm të ri të vizave elektronike online?
KOMISIONI I POLITIKES SE JASHTME
Mimi Kodheli: Mendoj se në përgjithësi ligji është i mirë, pasi sjell krijimin e disa mekanizmave të nevojshëm për thjeshtësimin e lëvizjes apo qëndrimin e të huajve në vendin tonë, duke filluar me lëvizjen që lidhet me lëshimin e vizave elektronike etj. Mendoj që ky projektligj do të ndikojë në lehtësimin e procedurave dhe krijon mundësi e transparencë më të madhe.
Ditmir Bushati: Është e domosdoshme që ky ligj të marrë certifikatën e përputhshmërisë me kontratën që ne kemi me Bashkimin Europian. Ky projekt, në mënyrë që të kalojë pa pasoja, është e domosdoshme që të ketë certifikatën nga Komisioni Europian. Para se ta kalojmë këtë ligj, unë them që të kryhet procesi i plotë i konsultimit. Një tjetër gjë që kam, është nëse ka ndonjë referencë për punëtorët e atyre shteteve, nga të cilat do të vijë kjo fuqi që do të punojë për në kantieret e rindërtimit. Duke u ofruar shtetasve të Bashkimit Europian këtë lloj korsie të lirë për në tregun shqiptar dhe bashkëshortëve të tyre, sipas jush, kemi një përafrim me detyrimet që burojnë nga kapitulli 2 etj. Vendet si Polonia dhe gjithë të tjerët u janë dashur 7 vite pas anëtarësimit në BE për të fituar mundësinë e aksesit në tregun e punës. Unë them që ta dallojmë parukierin nga dentisti. Cila do jetë pika e referimit që do t’ua ofrojmë këtë gjë serbëve, pasi për këtë lloj ligji ne edhe me Kosovën kemi vështirësi shumë të mëdha, jo më me të tjerët.
PANORAMA