Shqiptari kërcënoi me hanxhar efektivët gjerman të policisë
6 Shtator 2024
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Rheinland-Pfalz në Gjermani, ku ka përfunduar në pranga një 29-vjeçar shqiptar, pasi ka kërcënuar me hanxhar efektivët e policisë në një komisariat.
Sipas mediave gjermane, shqiptari është futur gjatë natës me një hanxhar në duar në stacionin e policisë në Linz am Rhein rreth orës 02:40 e mëngjesit të sotëm.
Shqiptari që jeton në Linz raportohet se ka vrapuar drejt komisariatit “Am Konvikt”, ka hapur derën dhe ka kërcënuar më hanxharin në dorë.
Zëdhënësi i policisë Jürgen Fachinger u shpreh: “ai kërcënoi se do të vriste kolegët në komisariat.”
Por shqiptari nuk ka arritur të sulmojë efektivët, pasi për të arritur tek ta, i duhej të kalonte nga një derë e dytë që vetëm roja mund ta hapë.
Oficeri gjithashtu mundi të kyçë derën e jashtme duke shtypur një buton, e duke bllokuar kështu largimin e tij.
Më pas, me ndërhyrjen e njësisë operacioneve speciale (SEK) nga Koblenz, shqiptari është vënë në pranga pas dy orësh.
Shqiptari aktualisht ndodhet në paraburgim nga policia. Pas marrjes në pyetje do të vendoset nëse do të aplikohet një urdhër arresti, ndërsa hetimet për motivin vijojnë.
Nga Gazeta Panorama