Shqiptaro-amerikani: Soros kontrollon qeveritë e bëri me 30 qershor
Shqiptaro-amerikani: Soros kontrollon qeveritë e bëri me 30 qershor
03/07/19
Shqiptaro-amerikani Peter Lumaj, i cili shpëtoi nga Shqipëria komuniste ka arritur të tërheqë vëmendjen gjatë një interviste të dhënë për Fox News.
I ftuar në ‘Fox and Friends”, një ditë pas deklaratave të presidentit Ilir Meta në Tiranë, Lumaj është shprehur se manjati majtist, George Soros, kërkon të kontrollojë dhe komandojë qeveritë e vendeve ish socialiste në Europë, përmes milionave të tij.
Avokati i njohur nuk harron pa përmendur edhe votimet e 30 Qershorit duke deklaruar se pas tij fshihet pikërisht Soros.
“Ju keni George Soros. Shpenzon miliona dollarë në Europën Lindore për të kontrolluar qeveritë dhe individët. Sapo e bëri edhe në Shqipëri më 30 qershor”, shprehet Lumaj.
Gjatë kësaj interviste, Lumaj është ndalur edhe tek thelbi i SHBA-së sot dhe çfarë përfaqëson ajo për pjesën tjetër të botës. Ai deklaroi se baza mbi të cilën Amerika është ngritur, bën që ky vend të ndryshojë nga pjesa tjetër e botës.
Sipas tij, ajo çfarë përbën thelbin e Amerikës është liria, duke deklaruar se kjo është baza më themelore e këtij vendi. Lumaj mendon se mbi këtë bazë, pra thelbit të lirisë që ka ky vend, është zhvilluar një nga kombet më të mëdha në botë.
Më tej, ai foli edhe për kalvarin e familjes së tij, duke u ndalur veçanërisht tek historia e babait, i cili vidq në kampet e regjimit në mënyrë që bijtë e tij të mund të jetonin në liri.
Aktualisht Peter Lumaj është një avokat i njohur, i çështjeve të imigracionit. Në periudhën parazgjedhore dhe gjatë votimit të presidencialeve në SHBA ai ka qenë njëkohësisht, një mbështetës i madh i Donald Trump.
Emri i Peter Lumajt u bë i njohur jo vetëm në rrethet politike në SHBA në Shkurt të vitit 2012, kur ai si shqiptari i parë në histori, i lindur në vendin tonë kandidoi për senator i Shteteve të Bashkuara. Avokati i çështjeve kriminale dhe të emigracionit nga Fairfield-i ishte në atë kohë, një prej pesë republikanëve që kërkonte të përfaqësonte këtë parti në zgjedhjet e përgjithshme të Nëntorit, për të zënë vendin e senatorit Joe Lieberman.
Peter Lumaj, sot 50-vjeçar, i martuar dhe baba i tre fëmijëve, u arratis nga Shqipëria komuniste 29 vite më parë në vitin 1989, për të mbërritur në SHBA./
Gazeta Liberale