Shtatorja e Hasan Prishtinës në Vlorë me simbolikën e bashkimit kombëtar
Shtatorja e Hasan Prishtinës në Vlorë me simbolikën e bashkimit kombëtar
7 maj 2022
Nga Gazeta Koha, Prishtine
Me nderimet më të larta të përcjellë nga Ushtria e Kosovës, është zbuluar shtatorja e Hasan Prishtinës në qytetin e Vlorës. Në ceremoninë e inaugurimit të saj, prezentë ishin Mehmet Prishtina, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, kryetarja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kryetari i Bashkisë së Drenasit, Ramiz Lladrovci, e ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skendër Durmishi.
Personalitetet nga Kosova janë pritur nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, dhe autoritete të tjera vendore. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në fillim fjala i është dhënë familjarit të Hasan Prishtinës, Mehmet Prishtina, i cili vlerësoi lart kontributin e Hasan Prishtinës. Nipi i heroit kombëtar ka thënë se me vendosjen e shtatores së Hasan Prishtinës në Vlorë ka përmbushur në këtë mënyrë amanetin e tij për t’u prehur në atdhe.
Të shtunën në Vlorë, me një ceremoni ku ka marrë pjesë edhe një delegacion nga Kosova, është përuruar shtatorja e Hasan Prishtinës
“Sot jemi këtu në Vlorë për të sjellë pas 110 vjetëve monumentin e një ideatori krah për krah me Ismail Qemalin të Pavarësisë së Shqipërisë. Ta quajmë Shqipëri londineze, apo gjysmë-Shqipëri, e cila me ëndrrën, zemrën dhe mendjen tonë rrugëton edhe pas 100 vjetësh për bashkim”, ka thënë në fjalën e tij Mehmet Prishtina.
Kanë përshëndetur vendosjen e përmendores së Hasan Prishtinës në Vlorë edhe autoritetet e mbërritura nga Kosova, si kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, të cilët vendosjen e përmendores në Vlorë e shohin si simbolikë që heroi kombëtar nuk i përkiste vetëm Kosovës, por i përkiste gjithë Shqipërisë.
“Në Parlamentin e Stambollit, ku ishte deputet Hasan Prishtina, ndezi debat të ashpër kundër masakrave të pashallarëve osmanë në trevat shqiptare. ‘Ka me ken njeni e ndoshta i pari i atyre që kanë për ta ngre flamurin e kryengritjes, tregon të ketë thënë aty Hasan Prishtina’”, ka thënë Rama.
Gjithashtu, kryetari i Prishtinës, Rama, ka përgëzuar Bashkinë e Vlorës që siç ka thënë ai ”po e sjell kryengritësin e saj të parë”.
Fjalën pastaj e mori kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, duke thënë se Vlora tani do të ketë më shumë një burrë të çmuar e se në krah më tutje është i madhi Ismail Qemali. Shtatorja e Hasan Prishtinës është vendosur pranë Pallatit të Kulturës “Labëria” në Vlorë, teksa përballë ka bustin e plakut të urtë të pavarësisë, Ismail Qemali, si simbolikë e bashkimit kombëtar.