15 Qershor 2023

Në 14 qershor në qendër të Moskës është vendosur një shtatore e Slobodan Milosevic.

Milosevic, një kriminel ndërkombëtar, u akuzua dhe gjykua për krime makabre kundër njerëzimit në Kosovë, në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci.

Gazeta DITA raporton në një shkrim në numrin e sotëm se inagurimin e drejtoi një bashkëpunëtor i ngushtë dhe mik i presidentit rus Vladimir Putin, Aleksandër Zalldastanov. Ky person është udhëheqës i bandave militariste motoçikliste të shërbimit sekret ushtarak rus, që njihen me emrin “Ujqit e nates”.

Shtatorja tregon Milosevicin duke mbajtur një maskë në njërën dorë që paraqet në dukje pikturën The Scream të piktorit norvegjez Edvard Munch, por në realitet ngjan më shumë me maskën e filmit horror The Scream.

Shtatorja u shoqërua dhe u dorëzua në Moskë nga grupi Ujqit e Natës. Në ceremoni mori pjesë dhe djali i Slobodanit.

Duke komentuar sot në DITA, vendosjen e kësaj shtatoreje, diplomati dhe publicisti i njohur Shaban Murati shkruan:

“Shtatorja u vendos në rajonin ekskluziv Sollosllovo të Moskës, rajon i elitës politike ruse dhe pranë rezidencës zyrtare të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, pa lejen e të cilit as mund të mendohej vendosja e shtatores së kriminelit serb.

Ndaj dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Rusisë ngarkoi një anëtar të saj skulptor për ta bërë shtatoren.

Shtatorja pati edhe përkrahjen e qeverisë së Serbisë, ministria e kulturës e së cilës përgatiti të gjithë dokumentacionin shoqërues zyrtar dhe financoi dërgimin nga fonderia në Serbi në sheshin e vendosjes në Moskë.

Nderimi i Moskës për kriminelin më të madh ndërkombëtar të pas luftës në Europë vjen pas nderimit zyrtar, që i organizoi atij ish-ministri i kabinetit millosheviçian në kohën e kryerjes së krimeve, dhe sot president i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili deklaroi publikisht se “Millosheviçi është i pafajshëm”.

Kurse krahu i djathtë i Vuçiçit, Aleksandër Vulin, anëtar i qeverisë së Serbisë dhe tani shef i agjencisë serbe të spiunazhit, i cili ka qenë zëdhënës i bashkëpunëtores në krim dhe bashkëshorte e Millosheviçit, e shpalli publikisht kriminelin ndërkombëtar Millosheviç “luftëtar të lirisë”.

Diplomacia e BE me Borellët, Lajçakët dhe Stanot, nuk e kanë parë dhe as e kanë ndjerë këtë glorifikim të kryekriminelit ndërkombëtar Millosheviç. Dhe natyrisht nuk kanë folur, sepse po ndërtojnë një narrativë revizioniste për Serbinë agresore dhe imazh paqësor për presidentin fashist Vuçiç…”

Gazeta Dita