Shtëpia e Maks Velos nuk do të bëhet muze. – Gjykata rrëzon vendimin e Ministrisë së Kulturës! E paditi trashëgimtari
Shtëpia e Maks Velos nuk do të bëhet muze. – Gjykata rrëzon vendimin e Ministrisë së Kulturës! E paditi trashëgimtari
Nga: Valeria Dedaj
20 Janar 2021
Dy ditë pas ndarjes nga jeta të arkitektit Maks Velo, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Materiale, Ministria e Kulturës vendosi që shtëpinë e tij ta shpallë monument kulture të kategorisë së II. Ky vendim, pas padisë së ngritur nga nipi i Velos, i cili është edhe trashëgimtar i tij, është shfuqizuar nga gjykata e Tiranës.
Duke e konsideruar këto akte administrative të paligjshme, paditësi i cili nuk është njoftuar për procedurën i është drejtuar gjykatës duke pretenduar se; i është cenuar e drejta e pronësisë se tij. Konkretisht nuk është respektuar parimi i ligjshmërisë, parimi i transparcës, parimi i informimit, parimi i ushtrimit të ligjshëm të diskrecionit, parimi i proporcionalitetit, i drejtësisë dhe paanësisë, parimi i objektivitetit, përgjegjësisë dhe deburokratizimit dhe i eficencës.
“Nuk e kuptojmë se si ky proces mund të ndodhë paraprakisht, kur në fakt duhet të ishte një proces invers. Kuptojmë që kjo nismë erdhi si pasojë e një emocioni të momentit dhe ndoshta për të treguar se sa shumë e donim dhe vlerësonim të ndjerin xhaxha, por duket qartazi që është një nismë jo vetëm e pamenduar mirë, por në kufijtë e talljes dhe të papërgjegjshmërisë”, është shprehur në padinë e ngritur trashëgimtari i Velos.
Në të dy shkresat e dërguara nga ana e palës së paditur, sqarohet se: Ministria e Kulturës duke vlerësuar figurën, kontributin profesional, të intelektualit, artistit, arkitektit dhe shkrimtarit Maks Velo, si dhe për të mbajtur gjallë kujtimin e personalitetit të shquar, ka arritur në ketë vendimmarrje.
Por ligji për trashëgimitë edhe muze një ndërtesë mund ta shpallë Monument Kulture të kategorisë së II për vlerat e spikatura arkitektonike edhe për pamjen e jashtme.
Ndërtesën nuk e ka ndërtuar as Maks Velo edhe as ndonjë arkitekt i njohur dhe sipas paditësit nuk i rezulton që kjo ndërtesë të ketë ndonjë vlerë të spikatur për pamjen e saj të jashtme. Prandaj ndoshta do ishte më mirë të deklarohej një monument kulture një godinë e arkitektura nga z. Velo dhe jo një shtëpi që nuk ka as një vlerë arkitektonike.
Pra, nga tërësia e kësaj veprimtarie administrative, gjykata vlerëson se pala e paditur Ministria e Kulturës nuk ka respektuar standardet e procesit të rregullt ligjor, të cilat nuk janë të kufizuara vetëm në procesin gjyqësor, por edhe në atë me karakter administrativ, pasi nuk i ka dhënë mundësi paditësit për t’u dëgjuar dhe mbrojtur në këtë proces, i cili në thelb kufizon të drejtën e pronësisë, aspekt shumë i rëndësishëm i të cilës është disponimi si dhe e drejta për ta zhvilluar atë, në bazë të ligjit nr. 107/2014 ‘’Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’’.
Përsa më sipër, gjykata çmon se Urdhri nr. 163, date 08.05.2020 “Per deklarimin e pasurise kulturore te objektit “Banesa ku ka jetuar Maks Velo, rruga “Hoxha Tahsim”, nr. 57/2” Tirane”, i Ministrit të Kulturës dhe vendimi nr. 130 datë 08.05.2020 dhe i Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale janë nxjerrë në kundërshtim me ligjin nr. 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, dhe si të tillë duhen shfuqizuar, kjo, në mbështetje të nenit 40 të ligjit nr. 49/2012 datë 03.05.2012 “Për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
Gazeta Shqiptarja.com