Shtëpia e Muhamer Shabanit në Përlepnicë (Gjilan) -Kosove
Shtëpia e Muhamer Shabanit gjendet në fshatin Përlepnicë të komunës së Gjilanit-Kosove. Shtëpia është ndërtuar në dekadën e fundit të shek. XIX, pikërisht më 1880. Është e vendosur në vend të rrafshët dhe ka vlera historike, arkitekturale, artistike e estetike. Është ndërtesë me karakter banimi familjar e që në vetvete përmban elemente shqiptare. Sipas të dhënave të familjarëve, shtëpia është ndërtuar nga Shaban Aga, stërgjyshi i Muhamerit, i cili ishte djali i Ahmetit që gjatë periudhës së sundimit osman kishte shërbyer si spahi.
Shtëpinë e kanë punuar 5 apo 6 mjeshtër, të cilët kanë qenë nga Vraja. Shtëpia ka bazë drejtkëndëshe dhe i ka dy etazhe: përdhesen dhe katin. Muret janë të ndërtuara prej guri, druri dhe qerpiçi. Përdhesja është ndërtuar me gurë dhe hatulla horizontale si përforcim i mureve. Kulmi i shtëpisë është katërujor. Porta e shtëpisë fillimisht ishte e vendosur në brendi të shtëpisë, ndërsa dera që është vendosur tani, nuk është origjinale. Komunikimi vertikal në mes kateve bëhet me ndihmën e shkallëve të brendshme. Në katin përdhese ka qenë ahuri për kafshë si dhe një dhomë që ka shërbyer për ruajtjen e bulmetit, e cila e kishte hyrjen me pjesën e sipërme në formë të harkut të thyer me tjegulla. Për shkak të nevojave familjare dhoma e zjarrit e cila gjendej në kat është zhvendosur në përdhese, si dhe i është ndërtuar oxhaku, i cili nuk ishte më parë. E gjithë hapësira e brendshme ndriçohet nga dritaret e vendosura në të majtë e në të djathë të portës hyrëse të përdheses. Kati i shtëpisë, në skemën e tij kompozicionale, e ka korridorin dhe katër dhoma. Njëra prej tyre ka shërbyer si shtëpi e zjarrit, e njëra si odë e burrave.
Brendësia e tyre veçohet me tavanet, raftet, vitrinat, hamamet (banjat) të cilat gjenden në brendësi të vitrinave, pastaj oxhaqet, si dhe dritaret e kohës të ruajtura në mënyrë mjaft të mirë. Të gjitha këto janë të punuara me mjeshtëri dhe në mënyrë artistike, me dekorime në elemente të realizuara nga druri. Në kat, në pjesën ballore të shtëpisë, gjendet ballkoni i hapur dhe i dalë jashtë, i cili është mjaft i ruajtur dhe i përmban të gjitha elementet origjinale përpos derës. Ballkoni karakterizohet me punim nga druri dhe i ka tri shtylla të thjeshta me bazë katrore. Pavarësisht se kjo shtëpi në periudha të ndryshme ka pësuar rinovime, ndërtimi fillestar nuk ka ndryshuar. Sot, pronari Muhamer Shabani ia ka kthyer pothuajse në mënyrë të tërësishme gjendjen fillestare shtëpisë.
Burimi: Detabaza e Trashegimise Kulturore Kosove