Shtëpia ku lindi Hitleri do kthehet në Komisariat Policie dhe jo në Muze, zbulohet arsyeja
23 Gusht 2023
Puna pritet të nisë në tetor për shndërrimin e shtëpisë ku lindi Adolf Hitleri në një stacion policie, njoftoi sot qeveria austriake. “Puna është planifikuar të fillojë më 2 tetor,” i tha AFP një zëdhënës i ministrisë së brendshme austriake.
Në një deklaratë të fundit për shtyp u njoftua se shtëpia ku lindi Adolf Hitleri më 20 prill 1889 – në qytetin Braunau, afër kufirit austriak me Gjermaninë do të kthehet në një stacion policie dhe një qendër trajnimi për të drejtat e njeriut. Qeveria austriake vendosi të mos e kthejë atë në një muze , nga frika se mund të bëhet një vend pelegrinazhi për neo-nazistët. U përjashtua edhe skenari i prishjes, për të mos parë si tentativë për të fshirë të kaluarën e errët.
Qeveria austriake luftoi një betejë ligjore për të siguruar pronësinë e pronës rreth 800 m2, ku puna për ta shndërruar në stacion policor pritet të përfundojë në vitin 2026. Kostoja e punës tani llogaritet në 20 milionë euro, krahasuar me pesë që ishte vlerësuar fillimisht.
Ginder Schëeiger, regjisor i një dokumentari për vendlindjen e Adolf Hitlerit, u ka bërë thirrje autoriteteve të braktisin planet për ta kthyer shtëpinë në një stacion policie. “Do të ishte përmbushja e dëshirës së vetë Hitlerit për përdorim administrativ të vendit, siç shprehet në një artikull të gazetës lokale në maj 1939”, tha Schëeiger sot në një konferencë shtypi në Vjenë.
Gazeta Dita