Shtëpia Muze “Kongresi i Lushnjës”.-
Ndodhet pranë qendrës së qytetit, (në rrugën Abaz Bej Lushnja), banesa është dykatëshe e tipit beratase. Sipër çatisë ka një kullë të vogël me gjashtë dritare, e quajtur ndryshe “konaku i hankove“. Banesa mendohet të jetë ndërtuar në gjysmën e dytë të shek XIX. Ajo nuk ruan gjurmë të hajateve. Sipas një fotografie te vitit 1920, mësojmë se ngrehina bën pjesë në grupin e banesave të hapura. Banesa zë një sipërfaqe (afërsisht) 286 m2.
Muratura e jashtmë është e sovatuar dhe e lyer me të bardhë. Për të shkuar në mjediset e brendshme në katit përdhe, banesa ka dy hyrje në anën veriore dhe perëndimore. (Më pas u hap një tjetër hyrje në anën lindore). Kati përdhe përbëhet nga tre ambiente kryesore:
- Salla e pritjes, e cila lidhet me dhomat e tjera nëpërmjet një korridori të ngushtë. (nga ana perëndimore).
- Dhomat e zjarrit, kanë qënë të pajisur secila me nga një oxhakë (sot këta oxhakë nuk ruhen më)
- Një tjetër ambjent ndodhet në katin përdhe, me hyrje më vete nga ana veriore por që nuk komunikon me ambientët e brendshëm të katit përdhe. Ky ambient shërbente si depo por që lidhej edhe me banjon. Dyshemeja në përgjithësi në katin përdhe është e shtruar me pllaka të thjeshta ndërsa tavani është prej druri.
Për tu ngjitur në katin e dytë, kalohet nëpërmjet një shkalle druri e dekoruar bukur.
Kompozimi planimetrik i katit të dytë është i ndryshëm nga kati i poshtëm.
Kati i dytë përbëhet nga katër ambjente kryesore:
- Korridori, i cili zë një hapësirë pak më të madhë dhe komunikon me të trija dhomat. Dyshemeja është e shtruar me parket druri ndërsa tavani me çatma. Prej korridorit mund të dalësh në ballkon (i cili ndodhet në anën veriore). Ky ballkon është i ndërtuar thjesht. Ai është i mbështetur në dy kolona të mëdha (betoni) të cilat në pjesë e sipërme imitojnë formën e një kapitelit të thjesht ndërsa në pjesën e poshtme imitojnë bazën e një kolone antike.
- Dhoma e gjumit (e cila ndodhet në anën lindore) është afërsisht me përmasat e korridorit. Dyshemeja e saj është e shtruar me parket druri ndërsa tavani me çatma
- Dhoma e zjarrit (e cila ndodhet në anën jugore) e cila për nga dimensioni është e vogël, është e pajisur me oxhak bashkë me niket, nëpërmjet kësaj dhome kalohej në banjon e katit përdhe. Sakaq po nëpërmjet “dhomës së zjarrit” mund të ngjitesh nëpërmjet një shkalle druri në “konakun e hankove”. (Dhomë e vogël e cila ndodhet në katin e tretë të ndërtesës. Ai është e pajisur me katër dritare të mëdha të cila shërbejnë edhe si pikë vrojtuese). Dyshemeja e “dhomës së zjarrit” është e shtruar me parket druri, ndërsa tavani me çatma e njëjtë edhe për “konakun e hankove”.
- Dhoma e pritjes, (ndodhet në anën perëndimore) për nga trajtimi dekorativ është më ndryshme, nga ajo lindore. Kjo dhomë është e pajisur me dritare të mëdha (5 në krahun perëndimor dhe 2 në krahun verior me një oxhak në krahun jugor). Dyshemeja në përgjithësi është e shtruar me parket druri. Tavani është prej dërrase dhe shumë i dregaduar.
Çatia ruhet disi mirë dhe mban tjegulla origjinale të kohës së ndërtimit. Ky ambient në pamje të jashtme në anën e perëndimore ruan një përpunim të pasur arkitektonik pasi është dhe fasada kryesore e banesës.