Shtëpitë e ministrave notojnë në para të vjedhura. – Falë pastrueses, shqiptarët mësuan të vërtetën e dyshekëve me para
11 Janar 2023
Nga Valentina MADANI
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi dje se pastruesja Rozeta Dobi, që vodhi shtëpinë e ish-zyrtares së Kryeministrisë, Alda Klosi, ka “hequr kapakun” e llumit të qeveritarëve të “Rilindjes”.
Berisha bëri të qartë se përmes kësaj ngjarjeje, shqiptarët mësuan të vërtetën e dyshekëve me euro të zyrtarëve të Kryeministrit Edi Rama. Berisha shtoi se një pjesë e mirë e zyrtarëve të qeverisë, paratë e vjedhura i fshehin në dyshekë dhe dyshemetë e shtëpive të tyre, pasi sipas tij, ata nuk kanë tunele si Edi Rama. Berisha thotë se vjedhje të tilla në shtëpitë e zyrtarëve të qeverisë kanë ndodhur edhe më parë, por sipas tij nuk janë denoncuar në polici, pasi paratë e tyre kanë qenë të vjedhura. Ai përmend edhe rastin Beqja-Gjiknuri, ku sipas tij, në banesën e tyre u vodhën 8 milionë euro 6 vite më parë dhe Rama mbylli ngjarjen në fjalë.
“Për rikujtesë! Shtëpitë e ministrave të Ramës notojnë në para të vjedhura. Rama mbylli skandalin e vjedhjes 6 vite më parë së 8 milionë eurove në shtëpinë e Mama Gjiknurit dhe Beqës etj. Afera Gjiknuri-Beqja u mbyll nga Rama. Gjiknuri mori paratë e vjedhura nga hajduti dhe si shpërblim u bë sekretar i përgjithshëm i Rilindjes hajdute! Por falë Rozeta Dobit që hoqi kapakun e llumit të qeveritarëve të rilindjes shqiptare mësuan të vërteten e dyshekëve me euro të hajdutëve të Edi Ramës, të cilët nuk kanë tunele si bosi i tyre, por përdorin dyshekët dhe dyshemetë e shtëpive të tyre, – shprehet kreu i PD-së.
Më herët, në një status të dy ditëve më parë, Sali Berisha shprehet se Alda Klosi, këshilltarja e Kryeministrit Edi Rama, së cilës iu vodh një sasi e madhe parash nga pastruesja e saj, është denoncuar 9 muaj më parë nga gazetari i ndjerë, Kastriot Myftaraj, si e përfshirë në aferën e inceneratorëve. Berisha përmendi se pavarësisht denoncimeve të gazetarit, ajo mbrohej nga Skapi i partisë (siç etiketon ai SPAK), sepse sipas tij lidhjet e saj shkojnë direkt me bosët e paprekshëm të sipërmarrjes së inceneratorëve…
Lideri demokrat publikoi video-mesazhin e gazetarit të ndjerë Kastriot Myftari, që denonconte kohë më parë Alda Klosin. Prej disa ditësh, të gjithë vëmendjen e ka marrë grabitja e mijëra eurove e kryer nga Rozeta Dobi në banesën e ishshefes së kabinetit të ishzv.kryeministrit Arben Ahmetaj, Alda Klosi. Pastruesja vodhi 120 mijë € në banesën e ish-zyrtares së Kryeministrisë. Banesa e saj ndodhet në Rrugën e Kosovarëve. Ngjarja ndodhi në datën 15 dhjetor 2022. Klosi bëri denoncimin në polici për vjedhjen e banesës së saj të marrë me qira. Për ngjarjen u arrestua 3 javë më pas Rozeta Dobi dhe djali i saj, Havier Dobi.
Ata kishin përdorur një kopje të çelësit të banesës, ndërsa u munduan që ta sajonin si grabitje duke e bërë shtëpinë rrëmujë. Në banesën e nënë e bir u gjetën 58 150 euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë të rinj. Ndërsa një ditë më pas nga një rikontroll u zbuluan në tubin e aspirimit edhe mbi 400 mijë euro, që ishin fshehur në tubin e aspirimit. Raportohet se pastruesja ka mbi 5 denoncime për raste të mëparshme ku thuhet se ka vjedhur në banesat ku ka punuar më herët.
PD: Përmes Klosit, Rama dhe Ahmetaj vodhën para publike
Për demokratët, Alda Klosi është dora, firma dhe skema, ku Arben Ahmetaj dhe Kryeministri Rama kanë vjedhur qindra miliona euro. Sipas Partisë Demokratike, Alda Klosi ka qenë e angazhuar në detyra të larta në tre nga sektorët më korruptivë të tranzicionit 30-vjeçar në Shqipëri; rindërtimin, inceneratorët dhe koncesionet. PD shprehet se superskandali ku është përfshirë një pastruese e thjeshtë, me një akt të paligjshëm, nuk është historia e një gruaje që vjedh klientët e saj, por është dëshmi e vjedhjeve spektakolare që nxori zbuluar një pjesë të korrupsionit qeveritar.
“Rozeta Dobi është vetëm incidenti që i hoqi kapakun pusetës së llumit të qeveritarëve e zyrtarëve të Ramës, patronazhistëve të tij, që vjedhin çdo minute, çdo orë, çdo ditë dhe muaj të vitit miliarda e miliarda euro nga taksat, tatimet, tenderat, prokurimet, doganat dhe pasuritë publike të qytetarëve. Nga ana tjetër, Alda Klosi nuk është thjesht një zyrtare që ka punuar për Arben Ahmetajn apo Edi Ramën. Ajo është dora, firma dhe skema, ku Arben Ahmetaj dhe Edi Rama kanë vjedhur qindra miliona euro. Vini re se ajo ka qenë e angazhuar në detyra të larta në tre nga sektorët më korruptivë të tranzicionit 30-vjeçar në Shqipëri: rindërtimin, djegësat dhe koncesionet. Milionat që Rozeta Dobi mori nga kasaforta apo dysheku i Klosit, nuk janë të xhaxhait me tumor, siç pretendon drejtoresha e Ramës dhe Ahmetajt, por janë metastazat e tumorit kurruptiv ku e ka futur qeverinë dhe administratën Rama”, tha Garo.
Gayeta Panorama