“Shtet në duar gangsterësh”: Si ta lexojmë shkrimin e Bild. –
“Shtet në duar gangsterësh”: Si ta lexojmë shkrimin e Bild. –
16/05/19
Nga Enton Palushi
Ishte janari i vitit 2012 dhe presidenti gjerman i asaj kohe, Christian Wulff do bënte gabimin e jetës. Nuk kishte shumë kohë në detyrë dhe vendosi që t’i telefononte kryeredaktorit të gazetës Bild. Nuk dihet me saktësi se çfarë është biseduar, por kryeredaktori Kai Diekmann thotë se presidenti kërkoi të bllokonte publikimin e një artikulli ku flitej për një kredi prej 500 mijë eurosh, që ai e kishte marrë me interesa të favorshëm. “E ardhmja e presidentit nuk vendoset nga media, por nga votuesit,” shkroi Diekmann në një editorial më 6 janar. Ajo që pasoi tregoi në fakt se e ardhmja e presidentit vendosej nga Bild. Wulff dha dorëheqjen dhe revista ‘Christian Science Monitor’ do të shkruante se “tabloidi Bild, gazeta më e madhe gjermane, dikton axhendën politike në fuqinë më të rëndësishme ekonomike në kontinent”.
Kjo fuqi e pazakontë që ka gazeta konservatore Bild mbi politikën gjermane, bëri që revista Spiegel, po ashtu revista më e madhe në Europë, të dërgonte 7 reporterë për të investiguar mbi gazetën Bild, një thyerje e qartë e paktit mediatik gjerman për të mos kritikuar rivalët.
“Në korridoret e parlamentit, nëpër ministri, por edhe në kancelari, ka një tendencë të theksuar për t’i marrë titujt e Bild si të mirëqenë, pa një eksplorim të mëtejshëm, si një vlerësim i përgjithshëm i mendimit popullor,” shkroi revista. Më tej ajo theksonte se edhe qasjet e kancelares Angela Merkel ndikohen nga titujt kryesorë të Bild.
Në mesin e këtyre titujve e gjeti veten këto ditë edhe Shqipëria. Më saktë, në valën e sulmit të gazetës me një tirazh të ‘përbindshëm’ prej 3 milionë kopjesh në print (deri vonë ishin 5 milionë kopje), e gjeti veten kryeministri shqiptar, Edi Rama. Kurrë më parë nuk ishte parë të qarkullonte një shkrim me tone të tilla për një kryeministër shqiptar në median e huaj. Për ironi bëhet fjalë për të njëjtin kryeministër, që e ka gjetur veten vazhdimisht në mesin e lëvdatave mediatike të huaja, disa prej tyre të porositura nga Tirana. Kryeministrat e Shqipërisë janë akuzuar për autoritarizëm, për korrupsion dhe paaftësi, por që një drejtues ekzekutivi të etiketohet si gangster, kjo i tejkalonte të gjitha.
Ajo që pasoi ishte një reagim tipik shqiptar. Të parët që reaguan ishin të zakonshmit: portalet pranë qeverisë, ata që gatuan zhurmën e madhe kundër një ligjvënësi gjerman, të quajtur Gunther Krichbaum. Më pas reagoi një zyrtare socialiste, Blerina Gjylameti që lëshoi një akuzë ndaj gazetës, duke thënë se ajo është e paguar. Nuk dihet nëse gazeta gjermane do të reagojë më tej, por vetë reporteri i shkrimit, Peter Tiede tha se “zonja Gjylameti do ketë tymosur diçka të gabuar”. Pavarësisht se portalet shqiptare e kanë paragjykuar shkrimin e tij, duke thënë se nuk mund të bazohet tek deklaratat e Ylli Manjanit dhe Basir Çollakut, të gjitha etiketimet e forta kundër qeverisë dhe vetë Edi Ramës vinin nga gazetari Tiede dhe jo nga Manjani dhe Çollaku, të cilët në fakt dukeshin korrekt kur citonin raportet e ODIHR apo organizatave të tjera ndërkombëtare për drogën dhe blerjen e votave.
E vetmja që nuk ishte korrekte, dukej gazeta Bild, që nuk njihet për korrektësinë politike. Gazeta që ndikon dhe i jep drejtim politikës gjermane, duket se kishte ardhur me një axhendë në Shqipëri: Për të përgatitur një shkrim që duhet ta lexojë politika gjermane. Jo më kot bëhej thirrje që të mos hapeshin negociatat me një vend mafioz, që drejtohet nga një gangster. Jo më kot theksohej se droga që vjen nga ‘selia’ e krimit, Shqipëria, po përmbyt Europën Perëndimore. Në fund fare madje i dërgohej një mesazh Merkel që të bëjë kujdes kur pret të tillë politikanë si Edi Rama. Me atë ndikim që kanë si media, kaq u mjafton atyre për Shqipërinë, një shkrim në ballinë.
Me kaq ata e kanë mbaruar punën e tyre. Nuk duket se është qëllimi i tyre që të merren me hallet e shqiptarëve, edhe pse shkrimi i tyre shkaktoi shumë bujë në Shqipëri. Nuk është faji i tyre që në Shqipëri vidhen votat, që droga ka dalë sheshit, që dy-ish ministra të Brendshëm akuzohen për lidhje me mafian, etj. Ata e bëjnë mirë punën si gazetë atje ku duhet ta bëjnë, në Gjermani. Këtu na kanë mbetur vetëm llafet. Dhe keqardhja e ndonjë reporteri të huaj si Tiede, që thotë se nuk e kupton si mund të shkojnë gjërat kaq keq në një vend kaq të bukur.