Shtetësiai -Po jepen me koncesion rrënjët tona

16 Gusht 2022

Nga Gazeta Panorama

Mehmet Elezi, ish-ambasador i Shqipërisë në Zvicër e Lihtenshtejn, e sheh të rrezikshëm vendimin e qeverisë për t’ua shitur të huajve pasaportën shqiptare.

Sipas tij, përmes këtij vendimi rriten rreziqet për sigurinë kombëtare dhe europiane. Z. Elezi thotë për gazetën “Panorama” se po jepen me koncesion rrënjët tona, identiteti shtetëror. Ish-diplomati shqiptar paralajmëron se nëse një milioner i huaj e blen shtetësinë shqiptare, gjasat janë se këtë e bën për punë që bien erë.

Mehmet Elezi vëren me shqetësim se për shkak të vendndodhjes, Shqipëria do t’u shërbejë miliarderëve që mund të kenë probleme me drejtësinë në vendet e tyre edhe si trampolinë për në Europë. Një arsye më shumë, shprehet Elezi që Brukseli është kritik. Ndaj ish-ambasadori i Shqipërisë i kërkon qeverisë që të tërhiqet nga vendimi i shitjes së shtetësisë, pasi sipas tij është kundër interesave të vendit.

Z.Elezi, si e vlerësoni vendimin e qeverisë për të dhënë me koncesion shtetësinë shqiptare?

Përdorët termin e saktë. Disa po përdorin fjalën nënshtetësi në vend të shtetësi. Nënshtetësi, nënshtetas, përdoren një vend që qeveriset nga mbret ose perandor. Në sistemet republikane përdoren termat shtetësi, shtetas. Apo mos duan të thonë se Shqipëria nuk është më republikë parlamentare, ajo udhëhiqet nga një perandor pa perandori?

Ishte i papritur ky vendim? Pse ky nxitim…?

Po jepen me koncesion rrënjët tona: sjellim ndër mend vetëm Butrintin. Po jepen me koncesion pasuritë kombëtare: sjellim ndër mend vetëm Portin e Durrësit. Po jepet me koncesion shëndeti dhe jeta e njerëzve. Me çfarë çmimi? Në një kronikë të “Zërit të Amerikës” (23 dhjetor 2019) thuhej se çmimi i sterilizimit për një set kirurgjikal në spitalet publike ishte 2.4 euro, sipas kontratës koncensionari merr mesatarisht 190 euro ose tetëdhjetë herë më shumë! Tashti po jepet me koncensione dhe identiteti shtetëror. Atdheu, në të gjitha përmasat, me koncension. Me fjalë të tjera: Shqiptarët po shohin se dikush po ua nxjerr Nënën te semafori. Shqipëria cullak te semafori, tutori ua shkel syrin kalimtarëve: Hë, ç’prisni? Cili të paguajë më shumë, do ta ketë në shtrat!

Çfarë fshihet pas këtij vendimi, a duhet bërë transparencë?

Pa transparencë s’ka demokraci. S’ka siguri kombëtare. S’ka mbrojtje të interesave kombëtare.

Me këtë skemë a mund të hyjnë në Shqipëri investitorë që kanë probleme me drejtësinë në vendet e tyre?

Pse do ta blejë një i huaj shtetësinë shqiptare? Shqipëria nuk është Zvicra as Norvegjia, që ta kenë për nder si shtetas të atij vendi. Shqipëria nuk është as anëtare e Bashkimit Europian. Nëse një milionier i huaj e blen shtetësinë shqiptare, gjasat janë se këtë e bën për punë që bien erë. Për shkak të vend ndodhjes, Shqipëria do t’u shërbejë edhe si trampolinë për në Europë. Një arsye më shumë, që Brukseli është kritik.

Ka të bëjë me idenë e Kryeministrit Edi Rama për “shtetësi shqiptare në këmbim të investimeve”?

Ku është e shkruar që, për të investuar në Shqipëri, u dashka të kesh pasaportë shqiptare? Një investitor serioz ka vetëm një kërkesë: klimë të përshtatshme biznesi, ligje bashkëkohore, zbatim korrekt të ligjeve nga institucionet e shtetit. Mjaftojnë këto që të vijnë investitorët. Kemi diell, kemi det, lumenj e liqene. Kemi tokë të mirë, nëntokë të pasur. Shqipëria s’ka nevojë për pare të zeza.

Rrezikon Shqipëria nga ky vendim, në një kohë kur shqiptarët mezi sigurojnë pasaportat në vendet europiane?

Rriten rreziqet për sigurinë dhe integrimin. Në qoftë se pas një pasaporte shqiptare mund të fshihen trafikantë, sponsorë të terrorizmit, milionerë që lajnë pare, emra që kanë probleme me drejtësinë e vendeve të tyre ose të vendeve të tjera- këto janë probleme madhore të sigurisë kombëtare dhe europiane. Integrimi i Shqipërisë nuk është më temë e dëshiruar për Brukselin. Mund të shkojë çështja edhe te rishikimi i të drejtës së shqiptarëve për lëvizjen e lirë. Nëse një pasaportë shërben si strehë e dyshimtë, përse u dashka me i njoh asaj të drejtën me i ra BE-së kryq e tërthor?

Cila është zgjidhja, duhet të tërhiqet qeveria nga shitja e shtetësisë?

Ky vendim s’duhet të kalojë kurrsesi. Dhe jo vetëm ky. Janë shumë vendime “strategjike”, që shkojnë kundër interesave të vendit, kundër interesave të shqiptarëve, si do bëhet me ato? Vendit i duhet zgjidhje tërësore, jo zgjidhje e harruar. Nuk shoh rrugët tjetër përveç Shën-Votës së Lirë. E virgjëra Shën-Mëri e politikës!

Nga Valentina Madani