Shteti i fal investitorit mbi 800 mijë metra katrorë truall. – Qeveria mban sekret marrëveshjen për portin e Durrësit! Ndërtuesi i “Dubait” do përjashtohet nga taksat
10 Nentor 2022
Nga Gazeta Panorama
Vetëm me votat e saj, Partia Socialiste miratoi dje kalimin me procedurë të përshpejtuar të projektit të portit të Durrësit.
Projektligji që u miratua parashikon përjashtimin nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social. “Vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji”, thuhet në dokument.
Për realizimin e këtij investimi, qeveria do t’i falë “Albanian Seaports Development Company” pronat e paluajtshme shtetërore ku do të ndërtohet. Po ashtu qeveria merr përsipër dhënien e lejeve, licencave dhe akteve të tjera administrative të nevojshme për realizimin e projektit brenda një afati prej jo më shumë se 150 ditësh. Në projektligj thuhet se së bashku me të janë edhe shtojcat e marrëveshjes, por deputetët e opozitës thanë se nuk është paraqitur asnjë dokument i tillë, duke akuzuar qeverinë se po e mban sekret dhe po fsheh një aferë korruptive.
RELACIONI
Në relacionin shoqërues të projektligjit bëhet një përshkrim i kushteve të marrëveshjes mes Ministrisë së Financave dhe kompanive investuese, ku bëhet e ditur krijimi i shoqërisë tregtare “Albanian Seaports Development Company” me pjesëmarrës shtetin si partner. Sipas qeverisë, shteti do të ketë përfitim nga pjesëmarrja në këtë investim dhe do të ketë të mbrojtura kuotat e tij nga risku.
“Projekti i konceptuar si një projekt i integruar turistik do të bashkëzhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600 m2 në portin e Durrësit, si dhe në Marinën e portit. Projekti do të zhvillohet në dy faza relativisht të ndara nga njëratjetra në hapësirë dhe në kohë, por që do të jenë të integruara në përfundim të projektit. Buxheti/kostoja e investimit të projektit është parashikuar të jetë €2,081,347,054”, thuhet në relacion.
Financimi i investitorit strategjik do të sigurohet, sipas relacionit, përmes kombinimit të: financimit të kapitalit nga “Eagle Hills”-i; financimit të borxhit të kontribuuar nga, ose në emër të, “Eagle Hills”-it; të ardhurave e shitjeve të grumbulluara prej klientëve nga investitori strategjik; huamarrjes nga institucionet financiare, dhe investimeve nga investitorë palë e tretë, të organizuara nga “Eagle Hills”- i.
Për garancitë e investimit, marrëveshja parashikon që “Eagle Hills” t’i dorëzojë qeverisë shqiptare pasqyrën e vërtetuar të llogarisë së bankës, ku evidentohet se aksionerët ose ortakët direkt ose indirekt mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%) të financimit të nevojshëm për zhvillimin e projektit. Në relacion parashikohet që marrëveshja për “Marinën Durrës” detyron investitorin strate- *gjik që t’i paguajë shtetit një tarifë vjetore të barabartë me 2 për qind të xhiros vjetore që do të grumbullojë nga Marina, bazuar në pasqyrat financiare për çdo vit financiar.