Shteti po paguan më pak pensione. Shkak, vdekjet e larta nga pandemia COVID-19
Gjatë dy viteve të pandemisë u rritën mbylljet e pensioneve në skemën e sigurimeve shoqërore, duke ulur në këtë mënyrë dhe numrin e përgjithshëm të pensionistëve në vend.
Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se gjatë vitit 2021 u mbyllën rreth 20 mijë pensione me rritje 45% më shumë se mesatarja e tre viteve para pandemisë 2017-2019. Shkak për këtë rritje është bërë pandemia Covid-19, e cila goditi më së shumti me humbje jetë moshat e vjetra në pensionim. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, ritmi vjetor i rritjes së pensionistëve në skemë u zbut ndjeshëm. Në vitin 2021 shtesa e pensioneve në skemën e sigurimeve ishte rreth 8 mijë, nga mbi 15 mijë që ishin para pandemisë.
Më herët, INSTAT raportoi se numri i vdekjeve gjatë vitit 2021 pësoi rritje të shpejtë. Në të gjithë vendin humbën jetën 30507 persona, nga të cilat 63 % ishin pensionistë.
Sakaq, Shqipëria është futur në një proces plakjeje të shpejtë prej emigracionit të lartë të të rinjve dhe rënies së numrit të lindjeve. Për herë të parë që nga viti 1923, kur nisi të matej popullsia e vendit, popullsia e Shqipërisë pësoi shtesë natyrore negative në vitin 2021, sipas të dhënave të fundit të INSTAT për shkak se vdekjet ishin më të larta se lindjet.
Nga OraNews