12 Korrik 2024

Nga: JAHO BRAHAJ

Në jubileun e 150 vjetorit të lindjes së Shtjefën Gjeçov Kryeziut (1874-2024)

Trashëgimia që na la Shtjefën Gjeçov Kryeziu është e pasur dhe shumëplanëshe; studime shkencore e krijimtari letrare.

Letërkëmbimi falë përkujdesjes të vetë Gjeçovit pjesërisht është ruajtur, një pjesë humbi e u seleksionua në kushtet që dihen. Kjo trashëgimi është e rëndësishme për periudhën e historisë së popullit shqiptar dhe për ndriçimin shumëplanësh të Gjeçovit në të gjitha fushat ku kontribuoi.

Gjeçovi si pjesëtar me armë në dorë dhe organizator i luftës për liri dhe personalitet i shkencave albanologjike përmes letërkëmbimit na ndriçon shumë aspekte historike dhe të etnokulturës shqiptare. Ky material shumë i vlefshëm dhe për disa ngjarje historike e lëvizje e veprimtari kulturore është i pazëvendësueshëm dhe vetëm vitet e fundi ka tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe janë bërë shpalosje për aspekte të veçanta me publikime.

Nga hulumtimet sistematike që kemi bërë është arritur të mblidhet letërkëmbimi i plotë që njihet dhe ka dalë nga dora e Gjeçovit (vetëm letrat që ka nisur ai) nga ku lexuesi, besojmë, në një të ardhme të afërt do të ketë mundësinë të gjykojë vetë mbi rëndësinë dokumentare-historike e shkencore që ky zhanër i penës së Janjevasit të Madh i sjell historisë e shkencës albanologjike në vështrimin lokal, kombëtar e shkencës evropiane.

Letrat që njihen përfshijnë periudhën 1894 deri në 1928. Kemi të dhëna të tërthorta të sigurta, që ai kishte korrespodencë edhe me shumë personalitete, por që letrat e Gjeçovit drejtuar atyre nuk i njohim, ku mund të përmendim letërkëmbime me Ahmet Zogu, Xhemal Vlora, Luigj Gurakuqi, Luigji Ugolini etj. Nuk njohim letrat dërguar Mit’hat Frashërit, por përgjigjet e Tij drejtuar Gjeçovit njihen, po kështu ka ndodhur edhe me disa letra dërguar Faik Konicës, Fan Nolit e të tjerëve.

Nga tematika, letërkëmbimi i Gjeçovit mundet ta klasifikojmë në katër grupe: a) Letra të karakterit personal e familjar, b). Letra që shpalosin veprimtarinë patriotike e ushtarake për çlirimin e mbrojtjen e kombit tonë, c). Të bashkëpunimit dhe veprimtarisë studimore albanologjike, hulumtuese e mbrojtëse të pasurisë kulturore e historike kombëtare dhe d). Administrative e veprimtarisë fetare.

Letrat i kemi më të dendura në kohë trazimesh e periudha të vështira, ku tematikë e tyre janë qëndresa e armatosur e forcimi i unitetit dhe më të rralla në periudha të stabiliteti të vendit, ku tematikë kryesore janë veprimtaria shkencore, hulumtuese e botuese.

Letrat që njohim, të dala nga penda e tij, rrokin pothuajse gjithë plejadën e lëvizjes kombëtare e kulturore të shqiptarëve. Ka letra dërguar figurave historike si Ismail Qemalit, Bajram Currit, Preng Bib Dodës, Prend Doçit, Mit’hat Frashërit, Luigj Bumqit, Nikoll Kaçorri, Ahmet Dakli, figurave të shquara të kulturës e artit; Gjergj Fishta, Lef Nosi, Aleksandër Xhuvani, Fan Noli, Simon Shuteriqi, Mark Vaso, Ibrahim Shyti, Zef Skiroi, Pal Matranga, Zoi Xoxe, Kel Marubi, Ali Asllani, Faik Konica, Ndoc Nikaj, Gjon Çoba, Gasper Gurakuqi, Murat Toptani, me personalitete të hierarkisë kishtare;  Pal Dodaj, Ernesto Koci, Pashk Trokshi, Lorenc Mitroviçi, Gjon Bisaku, Hoxhën e Milotit, Gjergj Gjermanojn, Agustin Zubaç e shumë të tjerë. Nga studiuesit e huaj, Baron Nopça, Konti Kiatkovski, Teodor Ippen, Dr. Miller (Francë) etj.

Në letrat që kemi në fjalë Gjeçovi është një personalitet i shpjegueshëm qartë, me respekt, stili i tij është lakonik, kur kundërshton, dhe në rrethet shoqërore është i kursyer e i hapur kurse, me kundërshtarët është i prerë dhe i pakursyer në argumente, por gjithmonë me etikën e një njeriu që ruan dinjitetin.

Në aspektin atdhetar e luftëtar është ndër ata të paktët patriotë që mbajti korrespodencë me kryetarin e qeverisë së Vlorës, Ismail Qemalin, ku i kërkon këshilla se si të veprojë për të organizuar vetëqeverimin e krahinës së Vaut të Dejës sipas ligjeve të qeverisë shqiptare të sapoformuar.

Që kishte një autoritet e simpati në Kosovë na e shpalos përgjigjja e një letre nga Prizreni për problemin e mësimit në gjuhë të huaj të fëmijëve prizrenas nga disa murgesha janjevase. Letra i thotë: “… ndera e kombit tonë kaq të përbuzun po fillon me dal n’dritë. E unë gjithkuej i kam diftue punën e z. Tuej (punën e Gjeçovit), e tan po gzohen qi n’Shqipni m’u gjet ksi gjinsh të menshem e atdhetar … “.

Shpesh në letra nuk shprehet qartë për veprimtarinë e tij atdhetare si p.sh., në letrën-relacion të nisur nga Elbasani eprorit të tij, ai nuk e përmend gjëllimin dhe misionin e udhëtimit për bashkimin e kishave shqiptare duke u shprehur, se i ruhet postës së pasigurt e censurës që “biramilote çdo letër”.

Ka edhe letra që për studiuesin dalin detyra që t’jua gjejë kuptimin si është p.sh., letra e datës 21.1.1910 nisur Fishtës nga Gomsiqja. Ndër të tjera Gjeçovi shkruan se: “… po rimbylli ktu do letra, porse me këtë shteg m’i kthe për rrogtarin. Posë P. Ambrozit (Marlaskaj), pash mue e ty mos i kallzo kuejt. Se rreziku na rrin mbi krye”. Letra mbyllet: “Aman gajret pash Shna Nduen e pash Shqipninë”. Nuk dimë për çfarë do të bëhej ky takim me disa persona në Shkodër, ku të fshehtën para asaj ngjarjeje duhej ta ruanin këta të tre, me rrezik koke.

Letërkëmbimi për çdo person është një burim njohje. Por për Gjeçovin si një personalitet ajo (korrespodenca) na shpalos veprime të rëndësishme që nuk i dimë nga informacione të tjera. Për shembull nga letra që i nis P. Pal Dodajt, marrim vesh se Gjeçovi shkoi me dëshirën e tij në Vlorë në vitin 1920, kur aty po zhvillohej lufta kundër pushtuesit italian dhe siç e dimë Gjeçovi u bë një nga organizatorët dhe ideologët e saj.

Shumë letra kanë edhe karakter të mirëfilltë dokumentar për shembull letra e 17 shtatorit 1913, që i nis Fishtës. Gjeçovi ishte njëri nga drejtuesit e mbledhjes, të organizuar në Lezhë me parësinë e Mirditës, Pukës, Lezhës e Zadrimës. Dy ishin orientimet; një krah për ndarjen e Shqipërisë me një Republikë të Mirditës, të cilën e përkrahte hapur kapedan Marka Gjoni dhe me dorashka dhe Preng Bib Doda, me të tjerë. Dhe krahu tjetër që kishte mbështetjen e shumicës së pjesëtarëve të Kuvendit me në krye Imzot Kolecin e At Gjeçovin, që ishin në mënyrë të prerë për t’u përfshirë në Qeverinë Shqiptare të Vlorës me një organizim të brendshëm sipas kushteve, por nën shembullin dhe në hullinë e ligjeve e udhëzimeve të qeverisë së ligjshme shqiptare, me qendër në Vlorë.

Kjo letër jo vetëm na shpalos patriotizmin e personalitetin politik të Gjeçovit, por është një faqe e dokumentuar e një evenimenti historik në këto kohëra të vështira. Po kështu nga letrat e shumta për Kosovën nga ky personalitet mund të veçojmë natyrën dhe karakterin dokumentar në evidentimin e dëmtimeve që bëri pushtuesi serb në vitin 1912-1913.

Por, letrat na paraqesin dhe karakterin individual të njeriut Shtjefën. Në konfliktin që shkaktoi me disa fshatarë të Gomsiqes, disa pasanikë të Shkodrës që kishin edhe mbështetjen e eprorit të Gjeçovit – ky (Gjecovi) nuk lëshon pe në asnjë rrethanë, karshi kanuneve të kishës e të drejtës së kishës mbi pasuritë e saj, deri sa armiqësohet, duke kaluar dhe me pasoja. Po kështu njihet simpatia e Gjeçovit përkundrejt Perandorisë Austro-Hungareze, por ai është në mbrojtje të fshatarëve të Prekalit dhe akuzon Komandën kur shikon padrejtësi dhe nëpërkëmbje të malësorëve. Edhe për këtë transferohet, po ashtu siç ishte shkarkuar nga drejtor i shkollës në Shkodër pasi nuk lejoi që një mjek i Austrisë të sillej si i plotfuqishëm në shkollë. Është vetë Gjeçovi që vazhdimisht ka kërkesa për ndihmë nga Austria për arsimin shqiptar, por nuk pranon në asnjë mënyrë që ata të sillen si zot shtëpie në atdheun e tij.

Në letrat që ka me kolegë albanologë vendas dhe të huaj bie në sy mbrojtja e lashtësisë së popullit tonë, euridicioni dhe njohja që ka mbi kulturën e historinë e popullit tonë dhe të vendeve të Ballkanit. Në të gjitha mënyrat është përkrah nismave të studimeve e të botimeve shqiptare.

Është nismëtar për botimin e “Mesharit të Gjon Buzukut” dhe kërkon me insistim që ai të botohet në variantin shqip, është Gjeçovi që udhëhoqi e ka kontributin e një pjesë të madhe të përgatitjes së vëllimit “Visaret Kombëtare”, të botuar në vitin 1911, nën emrin e përgatitësit V. Prendushi.

Në letrat familjare më shumë janë të pasqyruara problemet e hallet e jetës, gjendja shëndetësore, malli për t’u takuar, emigracioni etj. Por, na dalin dhe fakte që i kundërvihen dashakëqijve si ato që na përshkruan Konica, në portretin e Gjeçovit pas vdekjes: “… At Gjeçovit… nuk i mungoj asnji hidhërim, asnjë shpifje, më e çuditshmja e të cilavet ndoshta është të mohuarit se ay ishte shqiptar …”. Megjithëse nuk ka asnjë dyshim në përkatësinë etnike shqiptare të familjes Gjeçov Kryeziu të Janjevës, meqenëse jemi tek letërkëmbimi i tij mundet të përmendim letrën që i dërgon i kushëriri në emër të vëllait dhe të një kushëriri tjetër në vitin 1911 nga Ploeshti, ku shprehimisht i shkruan: “…Të lutem letrat t’ia dërgosh në adresën … Gasper M. Geçov Albanez … “. Kjo është shprehje e krenarisë së vetëdijes si shqiptar edhe në dherat e huaja ku i kishte degdis kurbeti të pinjojve të Gjeçovajve dhe të të gjithë janjevasve.

V.O. Shkrimi botohet me shkurtime.