Shtjefën Gjeçov Kryeziu: – Vjetërsorja. Unaza e artë e Bogëzes së Lacit
5 Shtator 2024
Përgatitur nga Jaho Brahaj.
“Gomsiqe 1914.
Nuk kishte me kenë per mue me u kapun nder do degë dituniet, t’cillvet nuk jamë kenë vue me u kerkue as me u hetue skain, porse nuk m’rrihet pa i çilë ketë gojë e pa i priskue dy fjalë mbi ato sende t’vjetra t’cillat i kam edhe i ruej nen kulm t’shpisë seme, e t’cillat a i kam gjetë vetë a mi kanë prum – me pak çmim disa njerëz t’kombit tem me nji t’pakeqësi sikurse i gjeshin a nder vorre a nder rrenime t’vjetra.
Ma i madhi mjerim per vendin tonë asht vorfnimi prej nji visarit ma t’çmueshëm e ma t’vlershëm si janë vjetërsinëat. Kto qi kanë ndejë nen dhe kush e din sa mija vjet, qi kan ba gjumin e ambël nder eshtra t’atyne burrave qi janë kenë ndera e faqja e bardhë e vendit t’onë, e sod, lene si ato sende pushojnë nder Vjetersore t’hueja, por deri eshtra e atyne burrave qi pushoishin n’gji t’tokës Shqyptare u janë shpernda e i ka hjedhë era si ja tekë me fry e me koc e me rrasht janë marrë neper kambë!
Ma i madhi e ma i pa perdëllyeshmi faj i shqyptarvet t’onë asht, qi ato sende t’vjetra t’gjetme n’tokë nder vorre t’lashta i lëshojmë durësh tuj ja shitun t’hujve, e kta, per do çmime t’ngrata faret.
Ky faj s’mund t’ju shkruhet malsorvet a katundarvet, per arsye qi ktyne s’u kupton mendja ma larg e s’dinë me i peshue ato hollime e imtime historiet si i dimë e do t’dimë na qi kena kalue disa mot nder msojtore. Pernjimend se t’pa regjun jena edhe na qi kena xanë dije nder msojtore, porse në u rrejshim nji herë, mendja na piqet per tjera herë: Gabojmë nji herë, por nji tjetër shteg s’do t’gabojmë.
Po qes vedin per tregim tuj ju rrfye hutimin tem e n’daçi edhe marrien teme t’bame, por nji herë t’vetme në vjetin 1900.
Ishe n’Laç – Sebaste të Kurbinit si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kerkim të vjetërsiënave – permi t’cillat tash flas, -mu beh në qelë. Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf-it t’Berlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh (!) xuna me ju levdue per do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun “Koder Bogëz” në katund të Laçit – Sebaste.
Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita perpara. E pvetshe herë per nji send herë për nji tjetër, e ky rrap -çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë permbi ato vjetersiëna. Nder kto sende kishe edhe nji unazë-arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të permendun, e pveta Dr. Traeger-in, qi t’më diftote kohen e vjetersiënës s’sajë, e ky mu pergjegj: “Kohen e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohen as çmimin e vjetersiëvet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana per atë unazë”! Të falem nderes i thaçë Dr. Traeger-it, me më dhanë 400 napolana se shes, por veç deshta me ditë kohen e çmimin e vjetersiës…”
— –
*Ky shkrim i Shtjefën Gjeçovit, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, jo i plotë, është shkruar në vitin 1914. Megjithëse periudhë tepër e vështirë për kombin tonë, Gjeçovi i kushtoi një rëndësi të madhe trashëgimisë kulturore shqiptare. Shkrimi është botuar për herë të parë pas 89 vjetësh nga kur ishte shkruar.
– Po e ribotojme në Kuadrin e “Vitit të Gjecovit” të shpallur nga Akademia e Shkencave dhe Artit të Kosoves në 150 vjetorit e Lindjes se Sh. Gjecov Kryeziut.