SHTJEFËN GJEÇOVI

– MNERA  E PREZËS

Novele

  • Pergatitur per botim nga Jaho Brahaj.
  •                      Dy fjalë
  • Deri më sot këtë novelë  e kanë lexuar në dorëshkrim tre ose kater persona. Sot po e afrojmë tek lexuesi. Që nga koha kur u shkrua, kaloi një shekull, shekull që i dha gjuhës shqipe qindëra e mijëra tituj librash, të vlefshëm e të pa vlefshëm, por jo një perlë të fillimeve të letersisë tonë e shkruar në vitin 1902, kur veprat letrare, shqipja i numëronte me gishtat e duarve. Pse u harrua kjo e vepra te tjera të autorit Janjevas. Pergjigjen mundet e duhet ta japin historianët e letersisë. Po a do ta nënvlerësojnë kritikët e letersisë shqipe. Kjo ka të bejë me të tashmen e të ardhme. Unë me shumë kenaqësi punova per t’ia dhënë në dorë lexuesit, që të kuvendojnë e të njihen me Gjecovin shkrimtar. Kjo ështe një e drejtë që deri më sot ju mohua autorit, por ju mohua dhe disa brezave mundësia që te njohin pasurinë shpirtërore kombëtare, që kemi trashëgim. Vepra të tjera të autorit presin dritën e botimit.
  •                                     Jaho Brahaj   Qershor 2000.
  •                                             Shenim ne hyrje te botimit ne vitin 2000
  • Marre ne “AQSH,, Tirane, Fondi 58, dosja 43.
  •  —– xx —-

    SHTJEFËN GJEÇOVI

    – MNERA  E PREZËS

    Novele

    • PREZA
    • Prezë, o Prezë, me të madhnu, / Kah t’za fill, unë nuk di. / A prej fushës me fillu. / A prej kodrash plot hyri?
    •  I. Disa fjalë permbi qytet t’Prezës
    • Preza, ose Tirana e Vogël, sikurse e thërret Marin Barletsi, shkruesi i trimnive të Gjergj Kastriotit, i mbiemnuem Skenderbe, asht një vend që një zemer të madhnueshme prej dhimtash, një ftyrë e vrame prej krajatash1, kur t’kalojnë aty pari, i kandet si gazmend e sdeshë mendimet e zeza e ban ato me i harrue. E pamja e këti vendit të kandshem ta pertrinë jetën, rreshtat e pemve e bukuria e pasosme e natyres i verb sytë e ti merr mendët. Gjithsaherë ta sodisish me ato kodersina e me fusha, kurrnjëherë s’të nepet me u pa në një menyrë. Tashti e vrejt, s’dytit në ja hedhesh sytë, të gjitha pamjet të duken të reja. E kjo asht që ta ngren zemren prej mirakamjet, e t’banë me besue, se as vetë s’je i zoti me besue se kah t’vjenë. Kodrat, kunorat e asaj fushës mbi të cillat asht trajtue, shihen si grumbujt e gurve t’paçmuem. Gjithduer bimesh, gjithduer lulesh shef në to. Në menyrë të posaçme e hieshojnë ullijtë gjeth blerumun, që rranjë pas rranjësh per rreth e zbukurojnë, e nder këto shifen trajtat e atdhetarvet, që kanë shperndarë tehu-tutje hyrien. Pas këtyne ta pertrinë at kob2 t’mbushme ajo sogjt3 e madhnueshme, e ta rrëfen rojen e t’Parve tonë, sideomos të Fatosit t’vonshem që kushedi sa herë e ka pas ulun ballin e ushtrisë t’Turkut, që si mizë blete, u turrshin me e kthye pluhun e me rrafshue dheut at farë bukurijet. Mbas kesajë i sheh edhe copa tjera t’rrenimit t’kohes deri të sotshme, që ta ligat ftyren prej lotesh. Prej ballit të qytetit ja t’sogjtkes lëshohet syni e kerrkund s’ka të ndalun në atë hapsinë, veç m’atë pikë zhegut, kur prarojnë boten rrezet e diellit, e t’hypin velika4 e tokes, e ndrituna e lumejve edhe e prrejve s’të lenë me soditun drejtperdrejtë me gjithë ngjyrat ma termale5, e t’bjen para sysh do rranxa malesh, që t’veshun n’selvia e lisa nder të cilat trajta katundesh të rrebët si shqypet, pushojnë nen hije të atyneve, e tuj u njit-tuj u njit, të shfaqet Kruja, vendi i t’lemit të asaj Shqypes t’Arbnisë, e cilla  edhe t’i bjen mendimet e larta të lumnisë të kalueme, e jo veç që s’ta ka andja por edhe zemra s’gjegjet me i largue sytë prej atyne lagjeve të shugurueme prej gjurmash të Fatosit tonë, që në to leu e jetoj. M’të djathten persri varg mas vargut shkojnë malet e mbrrijnë mje n’Dajt të binduem, nden të cillin shifen trajtat e Tiranes, t’asaj çerdhes të trimave e ato male e kodersina, që duken e thurmja e asaj fushes së gjanë, ashtu lidhun, vinë e perpiqen kahë Juga-Perendimi me qytet, që e kena n’gojë. Larg larg soditë, e ke perpara edhe një mal, që veren e pranveren si njeh, por t’kater stinet e motit flokët e tij rrinë të thinjun, ai edhe ta pertrinë madhninë e nderimin që ja kanë pasë dhanë t’kater pjeset e botes, kur shkojshin te aj turr, per me lyp fatin e vet prej hyjninave, që m’te banonin; Mali i Tomorrit.
    • Po prite me sjell kryet atdhetar vella më të majten, ke me pa, se ai rrafsh s’ka t’mbarue e vargu tjeter kah Lindia-Perendimi t’prinë tuj t’gjue6 deri në Lezhë, ku pushojnë t’metunat e shejtnueme t’Trimit të trimave Skenderbeut.
    • Leni fushat e largeta o atdhetar, e prej ati ballit ku je e gjendesh, lshoj sytë para vedit e gzoje bukurinë e fushës t’thirrun prej bashkatdhetaresh “Fusha e Prezës”, per të gjanë të ciles pos t’mirash e bimsh, që në kohë të vetë ati atdhetari i kanë dhanë lavd e nder Basit7 të vet, e me kundrue t’gatmen8 edhe ma teper t’mblon mirakania, kur të shofish ato tufa kuajsh, që tuj hingllue e tuj bredhë e që me një hov ta shtinë kujtimin e asaj bubullimes, që lëshote kaloria, në valë t’luftes athere që lulzote burrnia shqyptare.
    • E sidomos t’shkrihet zemra kur t’i ngulish sytë n’ato barinjët e urtë që me atë shkop nen sjetull i ndrrojnë turlifarë zanash m’atë kajden9 e fyellit e m’tjetren anë edhe zogjt t’shtymun prej zemret i pergjigjen me kangë e cincerime të veta. Ashtu sa herë që të çesin rruga neper at fushë, se gjenë kurr në heshtim. Sa rrinë të habitun n’pergzime të veta barinjët, besnikët e tyne, qentë t’cilve u lanë vathin në porosi, edhe këto knaqen nder t’lehuna. Ndihen ka i herë edhe dele tuj blegrue që zbardhojnë.
    • Më duket se Perendija a pelqye me hijeshue në mnyrë të posaçme këte vend e me e falun me një natyrë të kandshme, që tjera vese10 nuk e gzojnë. Në lypësh per pemë, ullijt, molla, dardha, kumbulla, pjeshka, ftoj, fiq, mushmolla, shega, vodha, qershija e tjera kësosh. Ne dashtni per bimë, grun, elb, tershanë, theken, miser, oriz, groshë, bathë, shalqi, pjepna, vedena e tjera. Ne kerkofshi per lule; trandafille, mojtsa, salokon, malth, lule zojë, lule pashkësh, lule Sh’Gjergj, jesemin, rozmari e shumë të tjera, me një fjalë shka t’teket këtu ke me e gjetë. E deri ato frymë që banojnë këtu s’un gjejsh një, që si knaqet ftyra në trajtë të trandofilles prej hapsinës të çelun e të ujit të kulluet të krojevet e të ngimen11 prej erës t’ullive të gjeth-blerumun.
    • M’ket qytet pra jetoj njëfarë njeri që ndenë emen t’mlue12 un e pergzoj Bardhok, i cili nder tjera të mira ka dokia13 e t’Parvet edhe kah pasunija asht kanë mbajt e thirrë prej të gjithve burrë e bujar. Shtepia e këtij ka kenë e Zotit edhe e miqve, ashtu si gjithkush e msyte, në daç i larget e daç i afert, dera e këtij gjindej çelë. Me një fjalë t’pasunit e lakmoshin kamjen e tij e nderimin, që i nepte bota, e t’vobekëtit i dergojshin lutje të nxehta Perendisë per shendet të ati që ju nginte zemrat me ushqim të nevojshem e me vesh e me t’mbathme e me tjera kso veprash dashtuniet.
    • Me gjithë atë pasuni s’ke mujtë me pa ne Bardhokun ndoj madheshti o hijes të saj, e n’daç të pasunit në daç të vobektit s’ja prishte fjalen. Bite rasa që shumkush shkote me e pvetë per ndoj send a per i tjeter, jose lypshin ndoj këshillë prej ati, e ky kurr s’lente pa ju pergjigj dëshirit, nuk ja pritote punes e aç mirë i mësote e i vete n’rrugë të drejt si t’i perkiste çashtja shtatit të vetë. U gjinte kush m’një nevojë, shkote ke Bardhoku e ky pa i zgjatë fjalet i ngushllonte nder nevoja. Ndodhte ndokush ngusht per t’holla, visari i Bardhokut u priste lakun. Si e pëvetshe Bardhokun, per kur me ti prue e cilin lypë per dorzanë, fjalët e Bardhokut ishin: “Bjere doren, besen e Zotit ta kemi ndermjet, e besa e Shqypnisë per dorzanë, kur t’apin Zoti ty, athere mi bje or vlla”.
    • E këti farë njerit s’u gjinte kush që ja prishte zemren. Si mos ti thuash pra bujar, e si mos ta thrrasish burr! Si mos ta kujtojshe e mos ta majshe per një që ja don t’miren Atdheut, mbasi prej çfarë do ngushtiet i zgjidhte atdhetartë e vetë e si lente me shkue në derë të t’huejit. Me shkue në derë të huej atdhetarin tem se la, thoshte Bardhoku, per sa t’jemë i zoti me i ndihmue, dera e huej asht bjerrje e atdheut e i atdhetarvet.
    • Një bir e një bij ka pas Bardhoku n’prehen14 të shpisë vetë e me këto i kalonte ditet e pleçnisë vetë tuj u knaqun n’zemer, e ndihmen që mundej e derdhte per këto loçkat e zemres. Goja e këti zotshpisë t’mirë s’ka pas ditun kurrë me ja u lëshue ndoj t’namun e ndoj fjalë të randë bive t’vet, por or e hov i rrjedhshin gojet fjalë të ambla e ma t’ambla se hoje të pastra të bletës.
    • Kështu i biri me të bijen (vllau e motra) i rrishin gadi fjales t’et e me fuqi mundoheshin edhe këta mos me ja idhnue zemren n’kurrnnjë punë, per ket arsye edhe sytë e qytetit e t’rrethit rrishin të ngitë15 mbi ketë shpi.
    • Por se krajat16, kjo mendyrë gjallnimit nuk zgjati shumë, porse vdeka mizore e shujti plakun e mbeten vllau e motra me gzue t’mirat. Pasunija e trashigueme kaluen mbi t’birin e mbi t’bijen. Këta të pa regjun17 e s’diten me i gëzue.
    • Kështu pra me vdekë të prindes u ndrrue edhe menyra e të jetuemit të vllaut e të motres.
    • ———–
    • 1). Krajatash- ngjarje te dhimbshme.
    • 2). Kob – ngjarje me vdekje.
    • 3). Sogjt – sheshet.
    • 4). Velika – vlaga.
    • 5). Termale – e perpjete.
    • 6). Tuj t’gjue – duke te gjuajtur.
    • 7). Basit – Ai qe i ka krijuar.
    • 8). T’gatmen – te rregulluarit.
    • 9). Kajden – menyren.
    • 10). Që tjera vese – qe te tjera vise.
    • 11). të ngimen – te ngopurit.
    • 12). T’mlue – te mbuluar, te fshehura, ketu me emer letrar.
    • 13). Dokia e t’Parvet – zakonet e paraardhesve.
    • 14). N’prehen – prehjen, qetesine.
    • !5). Të ngitë – te ngopur.
    • 16). Krajat – ngjarje, u krijua nje fenomen.
    • 17). Këta të pa regjun – te pa pervoje.
    •    II. JETË ORZEZË
    • Mbasi vdiç Bardhoku, i biri i tij Fatmiri mbet si i hutue pa tat e pa mamë, veç me një moter, vashë të re që e quajshin Dashmirë. U hante18 i shkreti Fatmir derë më derë nder dashamirë e s’un zente vend në shpi, e cilla i qe neveritun mbas vdekes t’prindes, e sidomos nga vdeka e të atit, mbas të cilit e pat njitë zemren e vetë porsi thoni mishit. Te e mbramja edhe ajo e harruemja ja merzitëte shpirtin, e ndau19 perseri me i marrë n’dorë punet e shpisë prej friget, që mos i thotë kush edhe nder dashamirë ma të afert at të thanmen: “Mik, mik gjarranik20, – Buk e mish e kaçanik21, – Sod këtu, neser këtu, – Kush ta del ty kështu?!” E a kishte me pas ftyrë nder sytë e qytetasve ma? E ngul cakun besa Fatmiri n’shpi të vetë. E e motra Dashmira, që ishte një vashë e urtë edhe e falme prej Perendisë me një bukuri të pashoqe n’ftyrë e n’shtat, diftote si një vashë që si pat kalue pesmdhet vjet, porse lulzote mbi të gjithë një bukuri që n’atë kohë natyra e nep. Ishte si ajo pemë që fillon me kranue22 në pranver e me erë të kandshme të veten i mbushë t’gjitha anet. Balli i saj i bukur e i gjanë, por vrazhdue pak prej dhimtes së prindvet. Sytë e saja si dy kokrra qershijet, që të terhiqshin me hijeshi me e dashtun pa dashtë, vetullat e sajna ju nimendshin23 korbit, hundet si kavalli24, goja e sajueme e  ujdisun e e mbulueme prej buzësh si prej dy trandofillesh t’kuqe, qafa e sajna e kalote boren n’bardhsi, floket e sajna të shpernda krahvet i dukeshin si prej mendafshi t’zi, që ti merr sytë prej shkelqimit. Prej majet të kresë e mje në themer Dashmira u dukte jo e le e rritë, por e ra prej qiellet. Kjo pra te tana punet e shpisë i bante e i sherbente vllaut. E si motra vllaut.
    • Megjithë këto Fatmirit s’ju ngrofte zemra e të gjitha ju dukshin si miza nder sytë. Një fjalë vllazniet si foli një herë, at buzë se bani në gaz me të motren, e u dukte si t’i kishte hypë merzia e jetes vetë. Gjithë diten rrinte i pshtetë në një dritare t’odes, e ka i herë edhe netet i kalonte në at menyrë e një fjalë s’qitëte gojet. Veç më të rrallë i pergjigjte m’ndoj të pvetun Dashmires, e këte me një idhnim. Dashmira e shkretë s’kishte zemer me i ngjatë fjalet kur shihte Fatmirin në at kambë, shkaku, që drote mos me ja idhnue zemren edhe ma fort se e mundote aj idhnim i vet, por si bleta e paprashme n’punë, e zanit të vllaut u rrekte me i u pergjegjë m’hovt. Kah i herë ankote vet me vedi e i permendte si nder dhambë emnat e t’et e të s’ames.
    • Një ditës sa u ankote nder vedi Dashmira, ndien Fatmirin me u ngrejt prej ati vendit ku rrinte perhera, si i mpitë e u ndal me e veshtrue mos dinte gja. Kur ndjeu një gerthimë si të një njeriut t’terbue që e thrriste: “-Dashmira shpejt kha!” Ajo si perhera edhe tash i ndejti n’kamë zanit e deshires së vllaut e pa vonesë i duel nder sy e me t’butë e pveti: ”-Shka deshte vlla i dashtun?” E Fatmiri si mos t’ishte në vedi, e para e vrejti me sy, sillet kah dritarja e tha: “ -Po, po me e martue dreqin, e t’më hiqet qafet edhe kjo”.
    • O dhimtë. Por sa i hini në vesh kjo fjalë Dashmirës, i treti ftyra edhe e mbloi ftyren me ato duar të njoma, duel odet e u mshef me një skaj të shpisë, ku tuj gjimue e lau atë ftyrë të kandshme me lot t’idhta. Këtu i ra në fiet25 atij heshtimit t’zi t’vllaut, se ishte kenë per t’zezë të saja.
    • Fshate26 Dashmira e mjerë e iu rrekte në mende t’vet me i trillue do mendyra t’reja se si me ja largue at mende t’zezë, që i kje ngulun në kryet. Por kot! Gurrë i shkoshin lotët! Zemra e Dashmires që mje n’atë hov pat fjetë në pushim, tash ju trazue e si asaj vorbulles ju sjellishin mendimet në shpirt.
    • -Hofshe per mue, -thote, – futa më mbloj27! Pa i nxjerrë këto fjalë ndjenë një rraptim kah rrinte vllau, e kjo e hutoj prej friget, e s’ju veshtrote tjeter fjalë me gojë pos “- Mor-kuje”, e dnesi nga shpirti: ”- Emjera unë, shtati më terqethet28 prej frigët. Krajaten teme mjekoje Ti o ma i madhi i jetes”. Uli kryet, ju kputë zani e ra në t’lehtë, mbeti shtrimun vashë e zezë sa gjanë edhe e gjatë, që ishte pa frymë në mjedis të shpisë, si t’ja kishte plasë zëmren. Vetun vasha e ngratë, pa pasë ndihmë prej frymes t’gjallë. Ndejti në atë hutim, per një far kohe, te e vona u ngrejtë si e tremeget, e me një shpejtim e hoq shamizen e kresë, i lmoj floket e zezë e t’gjatë dosido, që në kohë të fikëtit i kjenë perzie, i fshiu sytë si të ishte ngritë prej gjumit të randë e i rroki punët në dorë. Sa ma fort u rrekte me lujtë, aq e ma s’i gjegjshin kamet. Fjalët e Fatmirit që kenë thikë e brisk per te e kputshin në zemer sa herë i shkoshin nder mend.
    • Duel odet Fatmiri, e Dashmira sa e ndjeu deren që u çil, i duel perpara, sa e pau ky i tha: “- Dashmirë unë po dal me ba nja dy hapa e ti ma ban gadi drekën se m’hovt kthehem!” Tek i ndjeu këto fjalë t’ambla Dashmira, ju ba si me i pas gdhi dita e re, e gjithë n’shend i pergjegji: “- Po i dashtun vlla, sa t’kthehesh ke me gjetë cillen29 gadi”.
    • – Mir t’gjetsha, -pra, i tha Fatmiri.
    • – T’mir m’ardhsh o vlla i dashtun, – ja priti Dashmira.
    • —————-
    • 18). U hante – grindete me vetevehten.
    • 19). E ndau – e vendosi.
    • 20). Carranik- vend ku mbaheshin bulmetrat.
    • 21). Kaçanik – kacamak.
    • 22). Fillon me kranue.
    • 23). Ju nimendshin i ngjanin-.
    • 24). Kavalli- fyell tip i gjate.
    • 25). I ra në fiet – e kuptoi.
    • 26). Fshate – ofshante.
    • 27). Futa më mbloj – zija.
    • 28). Shtati më terqethet – me rrenqethet.
    • 29). Cillen – dreken.
    • III, KAFSHATË HELMIT
    • E percuell vllan Dashmira e tuj u kthye mbrenda zu me fol vet me vedi: “ – O vlla, o vlla. Sa me t’butë më fole, a thue se i harrove ato fjalet e harbueme me t’cilat pak para ma pershkove ket zemer!” I rroki punet n’dorë, e si t’i kishte qitë në harresë të gjitha, dau me ja ba gadi një drekë per me i lye gishtat, si thona një fjalet, ashtu kujtote Dashmira krahthata me ja hanger zemren Fatmirit, e mos t’i zete goja ma per ate punë. Me të shpejtë pra ja hini punes, e gatoi një mish, do të pjekë e do të ziem, maje llallti e tjera kësosh. I vendoi secilen hae në palareja30 të veta. Sa i sillte këto punë per doret i digjej zemra e i bahej shkrumb, per me pa mbarimin e atyne fjalvet, që Fatmiri i foli n’atë hutim nder sytë e saja. – E ai kur i foli ato fjalë, – mendoj Dashmira, – m’u duk si i marrun mendsh. Ta kishte ditë se do t’më lshote zemra prej asaj bisedes s’ka kenë tuj ma thanë e nuk m’kishte trazue, ashtu si mje m’sod nuk m’pat trazue, e s’më pat folë një fjalë të keqe. – Pale… Do t’mundohem me gjithëduer trillimesh me ju gjilimit31 e fati i mirë kujtoi se s’do të më dahet. Kështu Dashmira e ngrime e flashitëte zemren e vetë, e pa dashtë ju lagte ftyra prej lotsh. U ndreq atëherë në një trung, e prej loçkës së zemres denesi: ” – Hofsha! Si foli em vlla: – Me martue dreqin e t’më hiqet qafet edhe ajo”. – Per martesë jam, por per atë që e due do t’shkoj. Te aj që ma don zemra do t’shkoj mu pihat32, e jo…! Jo, jo atje që s’më shkon mendja e s’më terhek zemra e gjallë s’due me shkue. E kur të vinë e mramja me ditë, se do t’më bajnë copë e grimë em vlla s’do ti gjegjem. M’asht ba mendja hu33 e per t’i ndigjue s’kam. Ta shtypin ujet në kupë sa të donë em vlla, aj mendim s’ka per t’i dal kurren e kurres. E si idhnueshem u ngrit prej atij trungut e tha si nder dhamë:
    • – Atje, e jo tjetrit, e në dashtë të jetë buzmadh e buzshtremtë, n’dashtë rregshkë a hundshtypë, n’dasht gusharan o shkepan34. M’ate mu ka njitë zemra, e mbaroi puna, e em vlla të rreket me i matë punet në dashtë me u pelqye.
    • Krisi dera, Dashmira me vrap ju afrue dritares të shpisë zjarmit, e pveti: – Kush asht?”
    • – Mos u ban evshe35 jo, – ja priti Fatmiri, – se unë jam.
    • – Oh e lumja unë, – tha Dashmira, – zani i tij më duket i ambel.
    • Hyni Fatmiri e deren permbrapa e shtyni, e asaj i tha:
    • – A gadi buka?
    • Dashmira gjithë n’shen36 i pergjegji:
    • – Po. M’hovt ta bie.
    • Drejt e n’odë shkoi Fatmiri. Dashmira tuj ba gadi kupat per me i dukne37 gjellat, i ra kresë me grushta, tuj thanë vet me vedi: “E mjera unë, si m’harroi kështu Perendia. Kush e di se çfarë ligjeratet ka per të qitë gojet tash”.
    • Hyni ke i vllai, e shtroi truezen38, e Fatmiri pa pritë me i thanë, u afrue vetë me hanger si t’kishte vdekë unit, por si i habitun nder do mendime të thella. Filloj me hanger. Dy kashata s’pat percjell, e aty per aty i fshini duert tuj thanë: “ – Fale Zot!” U largue prej truezet e pa i la duert shkoi m’atë vend të truem39 ngjat dritares, ku e gjete flashien e vetë, qyshse e pat vorfnue prindja. Dashmira e shkretë u pre! U pshtet m’një kamë e me dorë ngrim, mbet aty tuj u jermue40 në punë që bindosi. U mendote se si me ja ba tash, a me ja ngrejt buken a me e lanë ende aty ke ishte. Sa u mendote Dashmira, e suell kryet Fatmiri e i tha:
    • – Hiqë, hiqe truezen, se mjaft hangra me helm.
    • Dashmira ja priti me të butë:
    • – Merr vlla, merr se per deshirë tande e paç gatue ket sillë.
    • Ai u kthye me vetlla t’pshtjellta e me një ftyrë që ja shtini mneren e i tha:
    • – Hiqe pra helmin! E masi ta çojshë buken ktheu kha, se do ti thamë nja dy fjalë!
    • Dashmira uli kryet e pa çil gojen e ngriti buken.
    • Fatmirit si zete vendi vend, herë lunte deren herë kryet, herherë rraptote me kamë sikur t’ju ndersyte kuj e trufllote si kal prej idhnimit t’mshehtë.
    • Mbasi ngriti truezen Dashmira u kthye ftyrvrame edhe i tha t’vllait:
    • – Ç’më deshe, vlla”?
    • – Mos m’thirr vlla, se fjala e vllaut do t’veshtrohet, -i pergjegji Fatmiri.
    • E Dashmires ju dha me ja kthye fjalen:
    • – E ku ta prisha fjalën e në ç’punë tu kundershtova?
    • – Edhe po më pvetë, ja priti Fatmiri.
    • – Unë sa mund të di, kerrkund s’të dola ballas. E vet me vedi: “ -Oh, e di ku vret o vlla”!
    • – Dashmirë m’kallzo a ke njetin41 m’u martue?
    • – Si t’ket thanë Perendia, – ja priti Dashmira.
    • – Po, e di, – muer Fatmiri, – t’cilin do me marrë?
    • – Pash madhnien e Zotit mos ma rrmo42 ket zemer të djegun o Fatmir.
    • – Ka ardhë koha, pra e fatin tani do ta lypish, – i tha me një djallzi Fatmiri.
    • Dashmires ju mbushen sytë me lot, e aq i hypen denestë që s’kje e zoja ma me ja kthye fjalen.
    • – Kot po kjanë, o Dashmirë, – i tha Fatmiri, – e dnestë nuk t’bajnë dobi. M’difto, a ja ke vu ndonjenit synin?
    • – Mos m’trazo, o vlla e mos m’pvet per këto punë, që as n’anderr pa si kam…
    • – Eja, eja! – me një gaz, i tha Fatmiri, – a s’din ti atë fjalën që i thonë, ku asht za s’asht pa gja?
    • Me ftohtesi ja priti Dashmira:
    • – Pra d.m.th se unë paskesh folë ndokund keq per ty…?
    • – E mbasi s’ke mejtim me m’u gjegjë fjales, dikund kenke kapë per ndoj rraje të fortë!…
    • – Lene atë fjalë pash qiell e dhe, o vlla. Ti je tuj më hjedhë prej malit n’koder, pa mujt me ta hetue se ke vret!
    • – Pale, pale kësaj i thonë, M’u drashtë43 gropat, e m’u gjujtë kodravet. A do që t’kallcoj se ku vras? Ty ta ka hanger zemren Djalmiri, i biri i Shytit, a jo?
    • Dashmires ju xu fjala n’fyt e ftyra ju zburit një hov, e ma vonë ju ba prush e nuk bxani. Athere i tha Fatmiri:
    • – Fol, fol a ke da me kend tina.
    • – Po rresht vlla.
    • – T’thush se ku a za, s’asht pa gja.
    • – Be44 t’randë o vlla të lshova, o vlla mos m’gergit ma.
    • Fatmirit i hypi idhnimi e ju suell:
    • – Dashmirë, mje m’sod je kenë gjithë dashtnia e jeme, e shkaku i gazmimit tem, por tetje45, dije se mje ba gjak nder sy. Sa t’paç dashtë paranej, aq e ma t’meni46
    • – E mjera unë. ç’shkak kje që aq tu mnerova. Shkrep o rrfe e hupem prej jetet. – Po, po edhe mue m’duket, – i tha Fatmiri, – se permi ty do të shkrepin rrfeja, e s’ka me t’u ditë fija.
    • – Ma mirë ashtu se kshtu, – ja priti Dashmira.
    • -Shko pra, hupem sysh, se gjak m’je ba. Ti veç ti, do t’ma biesh lakun n’fyt. Ti do t’me qojsh m’shkop. Ajo ditë n’tcilen pava ket jetë, ishte kenë ditë e pafat, ditë orligë e mblue prej s’zezash, ditë e mallkueme.
    • – Tek m’ke o vlla, – me lot në sy i tha Dashmira, – tek m’ke e n’daç vramë e n’daç premë e grijmë. Unë kenkesh ora e jote, n’dorë m’ke, shkurtomi ditët e jetes, e ashtu ke me mujtun me çue ballin e ketë fatmirditë që jote moter ta grabiti, kur pa driten e parë t’jetës, që ma mirë mos ta kishe pa.
    • Muer një msallë, që pat metë që m’kohë t’bukes e msyni deren tuj thanë:
    • – Oh krajat sa fort m’ngushtove. Fshani. S’do t’më ndimojnë vaji, s’do t’më bajnë atë punë që em vlla e ka mendue, por pa e krye s’ka per ta lan. Para kohes shof mbarimin e jetës seme t’zezë. Porse me e ditë se vdes besës t’dhanun s’do t’i bie mohit47.
    • Tuj u ankue kësi sojit, duel odet vasha e ngratë edhe e la t’vllan m’atë dritore t’zezë plot me kujtime.
    • ——————-
    • 30). Palareja  b- tepsi boshe.
    • 31). Gjilimit – shkaqe.
    • 32). Pihat – me pushu.
    • 33).M’asht ba mendja hu – ekam vendosur pa e menduar.
    • 34). Shkepan – Calaman.
    • 35). Mos u ban evshe – mos u ban merak.
    • 36). N’shen.
    • 37). Me i dukne- me u duk.
    • 38). Truezen- tavolinen.
    • 39). Vend të truem – vend i nemur.
    • 40). Jermue – jerm.
    • 41). Njetin – mendjen.
    • 42). Mos ma rrmo – mos me ngacmo.
    • 43). M’u drashtë.
    • 44). Be – be, betim.
    • 45). Por tetje – per ma vone, per te ardhmen.
    • 46). T’meni – te pushoi.
    • 47). S’do t’i bie mohit – nuk do ta mohoi.
    • IV. NGUSHTSI
    • Vasha m’shpi t’zjarmit e gjallë s’u ndite, e Fatmiri i merzitun n’shpirt i dukej si me pasë shpinë të ngarkueme në shpinë. Prandaj i mbushej mendja ka i herë me dal atij burgut e me debue atë trishtim, që ja brente zemren. Por t’gjitha n’asgja. Zemren e Fatmirit s’e gzote as natyra e kandshme e qytetit, mbasi idhtia ja kishte drobitë zemren e t’gjitha ju dukshin peshë nder sy. Rraptote per atë duf e u sillte si miza pa krye, e vet në vedi bubrrote48. Megjithkte Dashmira u rrokte me marrë vesht, se çfarë ishin ato fjalë, që i folte Fatmiri m’atë vetmi. Ju mbush mendja me ju afrue ndoj shejit, ku ndoshta shifte e me vezhgue pale a mund merrte vesh gja.
    • Pup, pup e u gjetë n’vend të dishrue vasha. Veshtrote e lotet i terte49 me shqutë50 t’kresë. Rrite pa frymë, me një kamë të pshtetë e me tjetren me maje të gishtave. Herë me njenin vesh e herë me tjetrin mundohej me ndie ndoj fjalë.
    • S’njati e Fatmiri e msyni deren per me hi mbrenda persri. Dashmira si e pau, në të lehtë hiku n’shpi t’zjarmit e ky hini në odë të vet.
    • S’vonoj e qyshse u ndrye n’odë, kur: “Of”, – ndien si klithma e një perpindies51, u ndie një za n’odë ku ishte Fatmiri, si n’ma t’madhin terbim e lshoj:
    • – Oh shtrigë, shtrigë, ja ke shkue te aj që ta kam shenjue vetë, ja pshtim s’më ke!
    • Dashmira që kje turr me veshtrue në derë t’odes, fjalet e Fatmirit, ndjeu një zhurmë mbrenda, e tuj drasht që t’mos dilte me e gjetë te dera, i vuni gishtat kah themrat e hiku në një skaj ma të afertem tuj thanë me një za që e shkrinte gurin: – Of mamë per mue. E sytë i mbate kah dera tuj veshtrue t’çelmen e sajë.
    • Dera s’luejti, vasha e dishrueshme me ndigjue edhe ma bubrrimin e Fatmirit, dalaz ju afrue derës persri. Veshtroj, veshtroj e gja s’ndjeu. I hypi droja mos e gjetë gja Fatmirin. Matetj a me hi a mos me hi. Tek e mbramja u trimnue e tha, do t’hi me pa se çe gjeti. Ska me më vra. Doren në derë, frang e e çili. U pshtet m’dy anet e derës me durë, e çiti kryet e me habi të madhe e pau Fatmirin, që me sy të haprrue ishte ken shtri n’mjedis t’odes, tuj qitë shkumë prej hundesh e prej gojesh. U turr Dashmira e shkretë me i dhanë ndihmë vllait e me një dhimtë bertiti:
    • – Eh, e mjera unë m’shkoi vllau. U rrek me e ngrejtë, ojme Dashmira e shutë, e kryet t’ati ja pshteti n’prehen të vet e me t’perparsen ja fshite huntë e buztë prej shkumes.
    • – Fatmir vlla ç’të gjet ore? Trimnohu, ngreu e mos u ligshto aq! Këto fjaltë i thote Dashmira me gojë e tjeter me zemer i perfolte: “Shkaku i ksaj punes jam unë! Oh ma mirë mos kishe ndodhë n’ketë jetë”! Fatmiri gjimonte e gerhatëte si ta kishte mlue habia e vdekes, e Dashmira s’pushote tuj e lmue faqesh megjithë që ai perdridhej si gjarpni m’bligt52.
    • I erdhi shpirti Fatmirit e ashtu i shtrimun, e suell kryet andej e kendej si ta lypte ndoj send. Kur briti me gjithë sa ka:
    • – Ku a? Ku a?!
    • Dashmires ju trishtue zemra e me frigë i pergjegj:
    • – Këtu jam unë o vlla, a m’do mue? Fol shka do? Uh e ngrata une, shka t’bindosi! Ngreu, ngreu!
    • Fatmiri u drejtue, e kur e pa Dashmiren njitë, si tuj u serue53, i tha:
    • – Hej, a këtu kenke ti?
    • Dashmira i pergjegji:
    • – Po o vlla, t’gjeta ratë e erdha me t’ndimue n’ketë nevojë.
    • – Oh e di, – ja priti Fatmiri, – e di se ti do t’ma hash koken! Puna e jote që m’banë m’u valavit si i mytuni në jetë!
    • – Mos o vlla, mos u idhno, – i pergjegji ajo. Rrofsh ti e unë u shofsha!
    • – Ma nep besen pra se s’do t’ma prishish fjalen.
    • – Merr pak frymë o vlla, se je lodhë e kputë prej ati t’pakëtit54, e shporru atyne prrallave.
    • – Hej tu grimcue zemra ty!
    • – Besa po, – ja priti Dashmira, – se vlla t’kam! E Zoti ma dishmoft atë dhimtë që ndigjova per ty, ti n’daç ma ze bes, s’deshe, puna e jote!
    • – Kerrken tjeter, por vehten je tuj marrë n’qafë, o Dashmirë!
    • Dashmira e shkretë e ligatun prej lotsh as tsak as bam, porse shifte se ajo gozhdë që i ishte ngulë n’kryet Fatmirit  s’do t’u maronte pa ndriçim. Ma s’ja pa vedit tjeter pajtim, ja qiti per fushë mendimin e dishirit t’vetë, pa u tremë55 prej grresash56 t’zeza që rrishin t’hapet nder sytë.
    • – Teper m’ngushtove o vlla, porse s’kam çfarë t’baj. Zemra ma veshë n’dashtni per te…
    • – Peshoje menden, o moter!
    • – Skam si e peshoi ma fjalen e mbrame n’kjoftë kjo.
    • – Mati fjalet t’thamë, se ma prune shpirtin n’fyt bitse.
    • – Katundi i rrallë, e s’dinë se jam gjallë. Tek e mramja u baftë ajo që a nisë me u ba.
    • Sa la këto fjalë vasha, e duel odet. Fatmirit i ksej mendja prej idhnimit edhe e percuell me ato fjalet, që Dashmira i foli heren e mbrame:
    • – Mirë, mirë Dashmirë, u baftë deti kos, t’tham edhe une. Por dije se edhe cakorja57 asht vu m’rrajë, e jeta e jote…! Ju bduer mendja e ju terren t’gjitha nder sytë. Bubrrote vet me vedi e i kercllete dhamtë si një bishë e terbume. Meti tuj e perplasë krahnorin me grushta e tuj ju germue jetës Dashmires t’mjerë.
    • ——————
    • 48). Bubrrote  mendime te ndryshme.
    • 49). I terte – thante.
    • 50). Me shqutë – shami.
    • 51). Perpindies – bindjes.
    • 52). Si gjarpni m’bligt, si gjarperi ne bige.
    • 53). Serue – duke u zemeruar, acaruar.
    • 54). T’pakëtit – te fikte.
    • 55). Pa u tremë – pa u trembur.
    • 56). Prej grresash- prej gjerave qe e gerryenin.
    • 57). Cakorja – kmesa, mjet preres..
    • V. DITA E DAME
    • N’shpi ishin si mos t’ishin, aq heshtim i madh u pati hypë. M’gjithë atë trajti, fryma e t’gjallit s’ndihej, se hija e vdekes e ka mblue.
    • Snjati shumë kështu e zhurma e derës ku rrite Fatmiri e turbulloj. Duel odet e pa i bzait58 Dashmirs, u vodh e duel perjashta. As Dashmira si duel perpara ksi shtegu, por masi duel Fatmiri ju afrue një dritares e tinzisht i percuell hapat e tij nderi që ju nxuer syshë.
    • U endëte e shuta59 Dashmirë herë m’një anë herë m’tjetren t’shpisë e ftyra e saj diftote trazim60 t’permbrendshem që e mundote e se lite me ba farë punet. U pshtet tek e mramja m’një shkam61 e tuj e perkund kryet që me dorë e mbate t’pshtetë, zu me kendue, ma me za vajtimi se kendimi, një vjershë t’asaj kanges t’Ulqinit, që zemren ja pershkote:
    • Cun më ço një leter,
    • Shnosh e mirë po jemi,
    • Kçyr e zen nji tjeter,
    • Se un per ty nuk jam…
    • E sytë i vetoishin prej lotesh. E fillote si n’idhnim me kuvendue vet me vedi:
    • – Jo. jo unë jam per ty e tjeter kend s’due.
    • U ngrejt prej atij vendi e shkote m’tjeter tuj thanë:
    • – Oh e mjera e t‘mjerve, nderi kur kam per t’a ligatë ketë ftyrë me lot? Mi shkurto ditët e jetes o Perendi, e mos m’le ma me gjimue, si gjimoi… Unë jam tuj e marrë me mend, se aj em vlla që u zhduk pa m’thanë një fjalë, do t’ketë shkue me krye mendimin e vetë! Ka ardhë tsakorja m’rrajë m’tha, e le t’vinë sa ma shpejt ma mirë. Ta presim rrajen, e degët do t’thahen… Njajo e bani me dal shpijet m’atë mendyrë, që kurr parandej s’pat dal. Shkoi me i shestue punet me shoket e vet, e me i matë se si do tu dalin. Por shpirtin e kam n’dorë t’Perendisë, dashunimit tem ja dhashë lirien. Beses si bie mohit kurr… O e gjallë per ate që due, o tjeter fat s’lypi, me ditë se sa rrfe62 i ka qiella që do t’shkrepin permbi mue.
    • M’ketë mendyrë u ankote vasha krahthatë e me gjak t’ngritë e pritëte të vllan, masi e ndite n’zemer se me t’ardhunt e tij do ta gjente ndoj e zezë. Rrite pa ditë shka banë e shka s’bani.
    • – Uf si s’erdhi një herë aj em vlla e ta veshtroj gjygjin, që po m’pret, e t’mos më rrinë ma me grusht hundvet.
    • E hova-hova aq u hutote, që i dukej si me kenë jashta vedit. I shpertheshin lot e dneste me gjithë shpirt.
    • Mendimi i t’dashtunit, Djalmirit (ashtu u emnote djali që Dashmira dote) e shkrinte porsi vdoren m’shkam63. Fillote atherë vjershat e ndoj kanges që ja pertrite dashtnien e perflakshme e me za t’pervajshem e kendote: “Asht i huji që m’ka rrethue, \ se kam fatin un me t’gzue,\ As un ty e as ti mue”!
    • – Em vlla, oh, em vlla asht aj, që don me m’da prej tejet o i dashtuni Djal-miri. Aj, aj m’pastë m’qafë. N’grykë të vorrit m’pruni pamendia63 e tij. Po, po, ty ka me t’gzue tjeter kush o Djalmiri jem, e unë do t’valavitem64 ndoshta në gjak tem, megjithate kurrë s’kam me të harrue. Besen ta dhashë, dashtnien ta fala, fjalen se ha, besës s’ja kthej shpinen kurren e kurres. Mos kjoftë e thanun prej Perendisë, që t’bie në faj. Qysh ate ditë që të paren herë t’u perbetova ka metë e zierrun65 n’zemer teme beja, e pafyme ka metë. Nuk do t’gjejë ndiesen në ftyrë t’em vlla jo, ato i di edhe vetë, por qafen do t’ja shtri perpara e ta ngi66 atë zemer mizore me gjakun tem, i tham të krejnë67 punen shpejt e ma shpejt, e ty nuk ta kthej shpinen. Jeta s’më dhimet, si me le kështu me dekë.
    • Hem e trembte, hem mezi e pritëte t’ardhmen e vllaut. E kah i herë aq i ftofej zemra, që ç’fardo punet që do tu marote mbi te, se trazote aspak. T’gjitha i harroi, gjithshkaf ju err nder sytë. E lodhi keq dhimta, e vaji e ligshtoj aq, që filloi edhe jeta me ju neveritë. Me gjak t’ftohtë pritëte vdeken.
    • Fatmiri si pat shkue me shestue punet e kësaj martesës me do shokët e vet, u kthye e hini tinzisht në shpie i percjellun prej dy asish.
    • Dashmira që pat shkue me ra n’pushim pak e me i debue ato mendime t’zeza, që kryekput e paten lodhë, s’ndieu as diti per t’ardhmen e Fatmirit në shpi. Sa bate gjumë Dashmira, Fatmiri ndejti n’odë tuj ndrrue kuvendin me ato shoket, e tuj u kshillue me ta, se si t’u dilte puna e Dashmires. Mbas një farë kohes, u ngrejt Fatmiri, i la shoket vetun e duel prej odet. U suell neper shpi keshem tuj lypë Dashmiren, por pa i bzajt aspak. çilte herë një derë herë një tjeter, e masi e kishte njetin ju shpif, i bzani si t’ishte në mal:
    • – Dashmirë!
    • Sa ja ndien zanin, ajo duel odet si jashta vedit prej friget. Ate herë me një djallzi e pveti Fatmiri:
    • – Ku kje ti Dashmirë?
    • – Kerrkund, n’shpi kjeshë.
    • – N’shpi…!? Tash mirfilli t’zuna në rrenë. Masi paske kenë n’shpi si s’ndieve kur erdhëm na e kur hime mrenda?
    • – Qëllova si e kputme pak e shkova m’u pshtetë, kur m’ishin kotë sytë, – pergegji Dashmira.
    • – Kerrkun s’asht ajo fjalë, – ja priti Fatmiri.
    • – Rrena s’ke me mue, – ja kthei Dashmira, – n’daç zeniu besë, s’deshte puna e jote.
    • – Mirë, mirë flasim mrapa, por tashti na i piq nja tri kafe t’mira e binai68 në odë!
    • – Mos asht kush i huji atje?
    • – Piqë kafet, a more vesht!?
    • – Pash atë zjarm mos m’marro, por në kjoftë kush i huji me ty, dil te dera e merri kafet vetë. Fatmiri athere me një gaz t’rrejshem i tha:
    • – Jo, jo, kerkush i huji s’asht, janë t’onet.
    • Dashmira e uli kryet e u nis kah votra, e Fatmiri u perzie nder shoket. Tuj pjekë kafet i hinë dyshimi Dashmires se dikushi i huji u gjinte me Fatmirin, e vet me vedi thote:
    • – Aj gaz si duel prej zemret. Buza qeshi, por zemra jo! Ofshe, e mjera unë. Me sod69 u maroka puna e jeme, he shuj o vdek. Merrma ketë shpirt perpara se t’u dergoi helmin.
    • N’vonesë t’Dashmires i merzitun Fatmiri duel odet e bertiti:
    • – A i poqe ata kafet njëherë oj Dashmirë?
    • – Njitash, nitash jam tuj ti prumë. I veshtroj kafet e fill kah dera u nisë. Kur mbrrini mun ke dera, ju dridhen gjujt, si t’ja kallzonte kush se u ndesh m’oren e vetë, trimnoj veten e tuj vu doren në derë tha: “Nimo Zot”. çili deren e pa i ngrejtë sytë, hini megjithë kafet. I dau mas dokjes d.m.th. miqve perpara, masandej vllaut. U la kafet n’dorë e turr kah dera per me dalë e me u mshef, masi nder ata dy vetë t’huji, kishte ndodh edhe Miri, i ati i Nushit per t’cillin dote me e dhanë Fatmiri. Pa ju afrue deres Dashmira, zani i vllaut u ndie si rrfeja:
    • – Ndale hapin Dashmirë, e prit këtu sa t’i pinë kafet. E ç’ke që hik a drue se t’hangren me sy këta dashamirë!?
    • Dashmires i plasi marrja70 e ja kthej:
    • – Vlla ti punove me mue sod si moskushi. Mbasi paske pasë njetin me m’marrue, pse s’ma bane ketë nderë m’një tjeter mendyrë? Dokjen e vendit që thotë: “Zakon t’ri n’katund mos qëtë”. Ti e teprove. Masi m’vune mje m’ketë kamë, ti kenke n’short me qitë n’peng edhe shpirtin tand per çfardo punet! Of e mjera mamë e ti tat, e që e shifni se shka bahet nden kulm t’shpisë s’uej. Vreni dashtnien që vllau ja difton motres, bijesë tuej.
    • Me za trimnijet i tha këto fjalë Dashmira, e pa ja veshtrue fjalen vllaut, duel odet. Fatmiri u terratisë mendsh, ju suell miqve e ju tha:
    • – Ju o dashmirë, bani gadi, se neser keni me pas vashen n’shpi. Unë qysh tash do t’i shenoj thrritesit71, per me grishë ka t’kem dashamirë n’darsem, e ene motra n’guxoftë t’ma prishin fjalen e t’ma ngatrroj punen, se per Perendinë, me ditë se jesë lamsh megjithë darsmoret permi këta kodra, pa e gri s’do t’a la.
    • Miri athere filloj me u urtsue, tuj thanë:
    • – Fatmir, me t’urtë e me t’butë të gjitha punet kryhen. Ti e din se kingji72 i urtë thith dy mamat. Em bir Nushi asht i urt, edhe vasha asht e mirë, e do t’u ujdisin pejtë73. Kush e di, shka pat që i kcej mendja e t’foli në atë mnyrë vasha e nder sy tonë. Asht e re e si prenë mendja, e pa vaditun asht, e prandej i pshtuen do fjalë si me thanë t’pagjashme74 per një vashë të asi moshet.
    • – Po, po ashtu asht, – i pergjegji Fatmiri, – por mue ndryshej m’thotë zemra!
    • Shyti atherë hynë n’fjalë e ju kthye Fatmirit:
    • – Fatmir, – i tha. – Ndale, ndale vehten, sa ma keq ta mendojnë njeri, aq e ma mirë i del puna.
    • – Pale, – ja priti Fatmiri, – pale se si do t’na dali, do ta shofim per t’shndosh!?
    • Miri e Shyti me një gojë ja priten:
    • – Si a ma mirë, si a ma mirë!
    • – Ju lumtë goja!
    • – Kështu pra, – muer me thanë Miri, me gazmim, – e per t’gjatë mot na kjoftë miqsia!
    • – Zoti e dhashtë, – tha Fatmiri.
    • – U trashgoshin, e u gzoshin o Zot, – ja priti Shyti.
    • U ngrejten të gjithë. Miri rishtas e pveti Fatmirin.
    • – Kur t’a lamë me ardhë për vashen?
    • – Neser para se t’kthejnë dita75, i pergjegji Fatmiri, e merret vesht mbas dokjes të vendit.
    • Miri e Shyti prapë m’një gojet:
    • – Mirë e si a ma mirë! Tash të mirë t’lashim, e neser mirë t’gjetshim.
    • – T’mirë m’ardhshi, – ja priti Fatmiri. Të mirë m’ardhshi!
    • Duelen të gjithë, edhe Fatmiri duel me i percjellë nderi perjashta. U nda me miqtë, e u kthye n’shpi.
    • —————–
    • 58). Pai bzait – pa fole.
    • 59). E shuta – e hutuar .
    • 60). Trazim – trazime.
    • 61). Shkam – stol.
    • 62). Rrfe – rrufe.
    • 63). Pamendia – paditunia.
    • 64). T’valavitem – levizjet e trupit kur i del gjaku nga plaget .
    • 65). Zierrun – nxjerrun.
    • 66). Ngi – ngopur.
    • 67). Krejnë – kryejne.
    • 68). Binai – sili, sjelli.
    • 69). Me sod – qe sot.
    • 70). Marrja – marre, turpi.
    • 71). Thrritesit – ftuesit.
    • 72). Kingji – qengji.
    • 73). Pejtë – penjet, fijet.
    • 74). T’pagjashme- te pa ngjare.
    • 75). Para se t’kthejnë dita – para se te vije mesdita.
    • VI. DASHAMIR T’PA PRITUN
    • Fatmiri mendoj se e vuni kësulen m’njenin sy, por si ra nder mend se prej tirqësh76 s’trembet qeni. Prandej, sa u da me miqtë e hini mbrenda, me t’butë i bzani Dashmires, ftyrë kthjellët e priti. Dashmira i rrite perpara  e si t’ju kishte lidhë goja as tsok s’bani. Fatmiri atehere filloi:
    • – E Dashmira, si t’duket tash?
    • Dashmires që i kje prishë zemra, pa dredhim i pergjegji:
    • – Zi e si a ma zi!
    • Fatmirit i kcyen77 m’shpinë ata që kjofshin larg, kur i ndjeu ato fjalë, athere ju kthye e i tha:
    • – Si kje puna e jote e Zoti t’marroftë, që dashte me u mshef prej vjehrrit tand?
    • Dashmires ju err nder sytë, e gadi u kalamend një herë, por u majtë me t’shpejtë e ja priti:
    • – Kush? Çajo murtajë, e aj shakerrmani me kenë vjehrri jem! O vdekë merrma shpirtin para!
    • – Mos, o moter, mos m’idhno, por kandisi78 fjales seme ma mirë me hir se pa hir!
    • – Hiç pa-hiri, dhunë e perdhuni kam mbarue, o vlla, – ja priti Dashmira, – unë çysh moti t’kam thanë, se ajo punë s’bahet kurrë e s’ka me u ba kurrë. Ti sa t’dush banë godi79, e ndaje diten me shokë tuej, mue s’ma ke kthye menden, kamen s’do ta luj prej shemit80 të deres e gjallë. Thirrë rrethin mbarë, si thue vetë në darsem e si i tsilli do t’kthehet nder shpia të veta porsi erdhen. A more vesht o vlla? Këto janë fjalë që jote moter s’ka me i ndrrue kurrr per s’gjallit!
    • Këto fjalë e terbuen Fatmirin, e ju kthye me një kercnim të rrebtë:
    • – Do t’vdesish o moter e pafat, do t’vdesish me një vdekë t’mnershme! Do me m’shnjerzue81 në ftyrë të botes, tash shnjerzohesh vetë!
    • – Unë jam gadi me vdekë. Dora e jote m’vraftë o vlla!
    • – Ti kujtove, – ja priti Fatmiri, – se unë s’ti kam ditë shtiet82, o moter. Po, po të gjitha i kam ditë e njoftë, por ndejta si mos t’shifshe gja, tash s’ke me luejt ma.
    • – Fajin e paske vetë, pra, – i pergjgji Dashmira, – mbasi më paske ditë shtiet, pse nuk m’vune roe e mos t’më lishe me trashë dashnien me te…? Tash m’ka ngadhnue flaka e dashtnisë, asht vonë e varra83 nuk shnoshet. Ti kje një mik që s’dite me mjekue, kur kje koha, e pra m’paç në qafë…
    • – Po, po, – ja priti Fatmiri, – faji kje i jemi që nuk t’shema84, kur kje koha. Por ska nevojë, sa mban hovi sa mban moti! Ti ke m’u ba gadi, se neser do t’vinë darsmoret e krushqet, e ke m’u gjetë m’fatin tan. Ka me t’pertsjellë ty vllau, me një shen e gazmend, që s’a permend n’ketë Prezë t’onë!…
    • – Hiqe atë mende o vlla, se pa mu ngjallë tata e mama prej vorrit, ç’ajo punë s’ka mu ba!  O gjallë per ate… o  e vdekt nden dhe!
    • – A je tuj pa andrra ndejun a ç’po flet, – ju gertsmush85
    • – Jo, por shka flet goja e qet zemra. Kerken mbi ftyrë t’botes pos Djalmirit!
    • – Hupu, – i tha Fatmiri me sytë mblue me gjak. E ma vonë, ta kpus fjalen…
    • – E pse ma vonë? Mendimin e matutjeshem kreje86 tash! Mos t’shtyhena masi këto se këto fjalë, ke me i ndie edhe ma vonë, neser e masneser; pra mos ta darim87 kohen se fjala-fjalen nuk e mund!…
    • Si bzani ma Fatmiri, por ftuturoj nja disa herë prej idhnimit e dredhej dalë, u endëte në odë e si n’ma të madhin terbim gerthiti:
    • – O unë, ja ti o Dashmirë!
    •            Pushoj pak m’atë vetmi, e prapë duel odet e shkoj në shpi t’zjarmit, ke rrite Dashmira e tsilla sa e pa me një ftoftsim e priti, e ky që s’prate88 me atë gjuhë me therë vashen e ngratë, i tha:
    • – Gzohu Dashmirë, se bitse89 mbrrini koha e darsmes!…
    • – Bane si t’dishë e t’duash o vlla, se shpirti m’asht lodhë prej kso fjalsh!
    • – Ashtu, e syni i botes, – i tha me djallzi ai, – tash kan me ardhë grania, priti me gazmend! Unë po shkoj me shenjue thirrcat89 e t’i ndreqi.
    • Dashmira me za t’thatë i pergjegji:
    • – Shko o vlla, shko, ty t’priftë e mbara!
    • – A shehë, sa e urtë je, kur do me kenë?
    • – Po, po, – me fjalë të vdekta ja priti ajo.
    • Duel Fatmiri. Pas, sa duel Fatmiri, Dashmires ju mbush mendia me hikë m’tjetren anë edhe ajo tinzishtë e mos ta shifte atë gjak me sy, që Fatmiri e thirrte me mend. Por mbasi i tjerri punet hollë e ma hollë vet me vedi, tha:
    • – Me hikë… Mu mshefë… E ku? Kuj me i ra n’dorë?… Edhe ne gjetsha ndokend, ndoj shpi t’beses, a drue se do të m’mbajin mue per jetë? Herdo-kurdo do të bie nder kthetra të tem vlla. E mandej ? … Ma mirë e pres këtu, këtu kam le, këtu do t’vdes. Nden ket kulm m’lanë prindja, prej kësi do t’shkoj me i gjetë nen tokë t’zezë. Ashtu do t’i shporrem qafet t’em vlla, që mje m’sod më mbajti si krypen m’sy!
    • Ra m’heshtim, kur s’vanoj troklloj dera, hapi veshet me veshtrue. Po, dera kenka, tha e duel me e çilë. Ju afrue deres Dashmira, e para se e çili pveti:
    • – Kush a?
    • – Çile, çile, – u ndie zani perjashta, – se na jena.
    • Dera u çil, e grania hine si i tufë dhishë.
    • Filluen me u perqaf me Dashmiren. Hine në shpi. E para t’gjitha punesh e veçisne Dashmiren, tuj i thanë, do: “- U trashigofsh, bi”! Tjera: “- U gzofshi moter”!
    • Dashmira t’gjitha dhuntinat i qitëte mbas shpinet, e diftote me sheje, se per asgja si mbate. U ndreqne mikeshat, e ato që ishin ma t’ngata e ma t’vaditme90, i rrokne punet n’dorë, do tuj pjek, do tjera tuj zie, e magjatoret ja hine bukes. Veç Dashmira su trazote, me u lkund vendit su lkundë, por rrite si një mbretneshë tuj vrojtë t’siellunat e mikeshavet që i bajshin neper shpi. E me një za shenimit, por pa u kujtue asnina tha:
    • – 0 t’gzue m’kjoshi, mori mikesha! Sa t’vaditme m’duki në punë e sa mirë i diki skejnilet91 e shpisë eme, jo ndryshej por si t’ishit le e rritë këtu!…
    • – Po moterke, – i pergjegjne disa, – kjo shpi e Zotit edhe e dashamirve a kenë perhera.
    • Dashmira i kputi fjaltë me: “- Po, po”.
    • As katerqind zgjoje bletet  t’ishin, ashtu zhurmote shpija. E kah i herë filloshin me lumnue vashen, e shpinë n’tsillen shkote:
    • – O e lumja shpi, se ç’vashë i shkon mbrena! Oh fatbardha Dashmire, se ç’djal po merr! E kso prrallash i ndrrojshin gratë nder shoqe-vedi.
    • Sa ishin habitë gratë nder punë e fjalë tjera, u pa Fatmiri në t’parshpijet i shoqnumun prej do dashamirsh. Një murmurimë hypi nder gratë, e u perzien zana t’panjehun:
    • – Mbrrini, mbrrini Fatmiri me miqtë.
    • Fatmiri perpara e miqtë mbrapa kjenë pritë prej grashë me një brohorimë gazmendi. Fatmiri athera pa hi mirë n’shpi bertiti:
    • – Mirë se m’keni ardhë mikesha! E gratë si korrilat92 i pergjegjne:
    • – Mirë se t’kena gjetë, o dritë!
    • Miqtë ja pritne m’tjeter anë:
    • – Në gazmend Fatmir!
    • – T’gzue m’kjoshi! Urdhnoni!
    • Dera e odes rrite e hapet, e masi u falne e u perfalne me graninë, Fatmiri prini e miqesia u ndreqne në odë. Sherbtoret94 me një herë u gjeten m’kamë, e mbas dokjes të venit u sherbejshin dashamirve.
    • Muer t’gjitha ato urime e brohorime, e fatzeza Dashmir s’u ndite e gjallë, e kerkuj si bite n’mend, masi prej hutimit të asaj sogorisë93, su njifte as shitsi as blesi, as marrsi as ndasi. Porse kishte kush me i ngul sytë m’Dashmiren: qyteti që e dite punen e saj, i vite oroe, se si do t’u mbarote puna e ksaj dasmes, masi i njifshin punet edhe i dishin, se ajo vashë me perdhuni u nepte n’atë derë. Fatmirit i ngrinte gjaku m’shtat besa, sa herë i binin n’mende fjalet e Dashmires, por persri e flladite zemren tuj mendu se s’ka ma, si me i qitë shkelma Dashmira, kur ta shifte se mje m’atë kamë mbrrini puna e marteses saj. E me kso mendimesh t’rrejshem, trimnote veten e u diftote n’gazmend. S’lite n’zemer trazimin, mundohej me i debue, e t’gjitha fjalet e Dashmires me i qitun në harresë. U rrekte Fatmiri i mjerë edhe miqtë, mos me i lanë t’u merzitshin, prandej shpesh e shpesh u thote:
    • – Mos u merzitni miq, shpija e zotit edhe e juaja!
    • Kta ja pritshin:
    • – Per t’mirë e per gazmend!
    • Masi u vu rakija ashtu t’rreshtumun i dergjshin96 urimet do m’ni mendyrë e tjert m’tjeter. Fatmiri t’gjithve u pergjigjte. Kriste kahë i herë n’atë shumicë:
    • – Tu turrsha95 Fatmir!
    • Ky ja pritëte:
    • – Ju pritsha e ju paça!
    • Tjertë gerthitshin:
    • – Fatmir. Fatmir-oi, ta hangshim darsmen edhe ty mas pak ditesh!
    • Fatmiri gjithë n’shen u pergjigjte:
    • – Shnosh kryet, se çeleshe gjinden mjaft. Kadalni ta qesë t’eme moter një herë, e per mue rrofshin maloket.
    • Ki – ki, ki – ki, se i tsillen fjalë t’Fatmirit e pertsillte gazi, e mbasi i foli pak n’trashamanshe, per me i bamun në gaz miqtë. E si puna e darmes, ku një fjalë ku një tjeter, ashtu kalohet koha.
    • Fatmiri që s’pat kenë as i herë nder gra, per me marrë vesht, si u shkoshin punet, muer lirinë prej miqve, e shkoi me u takue me ta.
    • Por, sa e panë gratë e pritne n’shen, e pa prit fjalen e tyne, Fatmiri u tha:
    • – E mikesha, si ju duken punet, a po lodhi a po merziti?
    • Gratë si gratë, goja e tynve perhera u pikon mjaltë, ja pritne t’gjitha me një herë:
    • – Largo o Zot! Si a ma mirë e mbarë i kemi punet.
    • Fatmiri me një t’lshuem synit i pa, se t’gjithë me t’pjekë e me t’zie, ishin në vend. Si njati ma fjalet, por tuj u thanë: ”- Mos u merzitni”, pra duel e shkoj me pa Dashmiren, që rrite me tjera gra tuj goditë t’krefme, me t’veshme e mathme.
    • çili deren, e pa hie mbrenda me i trazue u tha:
    • – U vaftë mbarë! Gratë sa e panë, zunë me qeshë e ja pritne:
    • – Të lumtë goja. -u çuene n’kamë. Ai u tha:
    • – Mos luni, mos luni!
    • – Ec shife Fatmir, si duket Dashmira, por si me kenë një bij mbreti, e jo preznjane, – i thanë gratë.
    • Dashmira rrite me sy t’njitme në tokë, që i vetoshin prej lotsh e mpi si druja e malit. Fatmiri ju afrue e e vrejti mirë e mirë e i tha:
    • – Oh syni i vllaut, sa hije t’paskan petkat e nusnisë!
    • – Po gjysh, po gjysh, – ja pritne gratë. Disa tuj pa Dashmiren ashtu t’mpime i thoshin në vesh:
    • – Mos ki marre oj moter, se edhe na jemi kenë një herë si ti, që je sod! Dashmira s’bzante. Fatmiri tuj dalë u tha:
    • – Ashtu, ashtu, vreni mos ti mejnë.
    • – Mos ki kujdes, – ja pritne gratë. Fatmiri tuj ferkue duert hiken e hinë nder miq, e me një herë ju fal t’gjithve me një gotë raki:
    • – Per t’mirë bashkë o miq! Miqt ja pritne me një gojë:
    • – E mira t’gjetë e t’baftë mirë!
    • – Hej miq, besa, skenki tuj pi gja. Heni, merrni gotat n’dorë! Per t’mirë! Per t’mirë!
    • Kercitëte në t’tana anet. Kur gerthiti njani pa pritë pa kujtue:
    • – Aj t’faltë Perendia, e t’baftë harë!
    • U shkrepen në gaz t’gjithë. – Fatmir, Fatmir mos u trazo pash Perendinë, po hec e pusho pak.
    • – Jo, jo mos ma mbani kujdesin mue, – u tha ai. E me këto fjalë u fut m’rreth e si u ndreq mirë, foli:
    • – Hej miq, a t’kendoj; apo kendoni, e mos t’rrini t’shuket!
    • – Mirë fole besa. Po, po t’kendojmë, – thanë m’një gojë.
    • – Heni pra!
    • U ndan nja dy vetë që ja dishin kanges e filluen megjithë za:
    • Lis mas lisit, thanë mas thane,
    • Me shpejtsi dy shyta m’shkuene,
    • Syni si shikote malit pranë,
    • Tuj kerkue ku kaluen.
    • Të pa zemer, as me m’soditun,
    • Ktheu m’thanë, se per ty nuk jemi
    • Ne ni tjeter na ka grabitun
    • I zemres sate fati s’jemi!
    • Ktheu, ktheu, mos m’trazo.
    • ktheu e lyp tjetër kend,
    • Me tjeter fat atë zemer gzo
    • Me fatë tonë ne na le.
    • Per ju unë masi nuk kjeshë,
    • Tjeter besa se kerkoj
    • Vëçse ai s’ka me m’qeshë
    • Gjithë sa ditë n’ketë jetë t’rroj.
    • – Ju lumtë goja, – t’gjithë më një za thane.
    • – Lum kjofshi, -u pergjegjne.
    • – Pushoni tash djelmosha, merrni gotat e lagni fytin. Merrni! Qe besa m’knaqet, e ju knaqtë zemra!
    • – Biena buken109, Fatmir.
    • – Mos u merzitni, mos u merzitni, – u tha ky.
    • – Mjaft u argtuem, – ja pritne tjeret, -Tash bina buken.
    • – Me i herë pra, – u tha Fatmiri. E shkoj.
    • ———–
    • 76). Tirqësh- Tirqit.
    • 77). kcyen – kercyen.
    • 78). kandisi – rregulloi
    • 79). godi – marveshje
    • 80). shemit – pragu i deres.
    • 81). m’shnjerzue – me me turperu.
    • 82).t’shtiet – shtirjet.
    • 83).varra – plaga (fizike ose shpirterore)
    • 84). t’shema – shemba, qe nuk ta ndryshova
    • 85). gurtzmush- germushe, gerthet.
    • 86).kreje – (prej) koke.
    • 87). darim- bdarim, humbim.
    • 88). s’prate -nuk pushonte.
    • 89). bitse – pothuajse.
    • 90). T’vaditme – me pervoje.
    • 91). skejnilet – coshet, skutat.
    • 92). korrilat – patat e egra.
    • 93).sogorisë – rremije njrzore, kallabalek.
    • VII. KASHATA N’FYT
    • Meni64 kanga, urime e brohorime. U shtrue tryeza, e mbas dokjes, i zoti i shpisë, u tha miqvet:
    • – Mirë se ju ka pru Zoti! Ja priten t’gjithë:
    • – Mirë se t’gjejmë!
    • Porsa u vu gjella e parë, luejti gota e truezes rrjesht tuj u falë t’zotshpisë. E hodhne rakinë e u ndien tuj thanë:
    • – Me nderë tane Fatmir! Ky ja prite:
    • – Me nderë kjoshi, e mirë se u ka prue Zoti!
    • – Ndimona Zot! Thanë e luget per bishti i zhytne n’gjellë.
    • Sherbetoret i bishin gjellat nja mas njahes d.m.th: mish t’zie, karavilena, ferlikun m’lakna e ne e mbrame kosin.
    • Mbasi u nginë, xune me u ngrejtë, herë njani, herë tjetri tuj i mshi durtë e tuj thanë:
    • – Fale o Zot. E t’zot t’shpisë:
    • – Tu shtroftë per t’mirë e me gazmend, Fatmir! Ky u pergjegjte:
    • – E mira ju gjetët, ju pastë ba mirë!
    • Tjertë persri tuj la durt, ja perktheshin:
    • – Per t’mirë Fatmir! E ky u pergjegjte:
    • – Ju bafte tul e vjam! (Kjo menyrë e t’thanunit perdorohej nder miq per gaz dashtniet).
    • Masi u fryne65, u ndreqne seitcilli në vende që i perkitshin, mandej i qëten per fushë shakujtë66 e disa tsalieqtë67, e me gjithë ato kamisha68 që u rrishin nder gishta, e mbushen oden me tym, aq që u dukte varun si mjegull. Pushuen pakez burrnimi, sa i kthyen në hi ato krande t’thata, që nder gishta u xixlloshin, e sa hangren bukë grania. Masanej u rreshtuen varg e ja hine valleve. Ma t’paren valle ja falen t’zotshpisë e tjerve mrapa.
    • Vjen rreth kanga me ju fal.
    • – Kuj doni me ju falë?
    • Un t’zon ja kam gjet
    • Te zotshpisë per shumë vjet.
    • Fatmiri i bien me pushkë69. Kush mos t’i pergjegji këti t’falmit me pushkë, mbasi posë t‘zotshpisë, kanga u falet edhe tjerve rresht, athere asht dokja me e vu n’gaz me këto vjersha:
    • Çit ni pushkë t’lumtë ajo dorë,
    • E mos e banë veten-horr
    • Per pesë pare – fyshek qorr.
    • Ja xune tjertë m’tjeter anë e ashtu me kora shkoshin tuj i njef fjaltë e valleve tjera, burra herë gra.
    • Të gjitha këto valle kjen percjellë me brohorim, sidoemos gratë t’cillat janë ma t’regjuna n’këto punë si t’lafitmit prej kcimit 70.
    • Veç zemra e fatzezës Dashmirë gjimote, e lotet e idhta i derdhte m’atë vetmi odet.
    • Prane71 vallet e filluen me u shpernda, mbasi zune me ju hi verbtsia nder sytë si burrave ashtu gravet, që si lishin ma me qëndrue në kamë. Edhe qelloj një natë e vransinueme, që kje per gjumë, e per gjumë t’ambel. Gratë u dane. Burrat, do mbetne aty ku ndodhne t’shtri andej e kendej per odë, e do tjerë u mshifne nder oda tjera. Veç e gerhatmja, se tjeter gja su ndiete ma n’shpi.
    • Me nderë i davoi Fatmiri, i cilli gjithkuej i ndejti m’kamë. Kerrkuej s’i dha shkak ankimit. Me t’hangerme me t’pime, me t’shtrueme e me t’mlueme t’gjithë i pajtoj. Marë miqsia ra në gjumë t’gazmendit. E si në shpi t’Bardhokut!….
    • Porse krajat! Fatmirin tonë se muer gjumi. Tash sa filloj me i ndie trazimet shpirti e zemra e tij. Ai gazmend i pak ma para e knaqte, tash a tuj i dalë per hundesh, e ajo bukë si gur n’lokth i bahet. Gjithkush flete n’gjumë t’amel e ky u sillte si një egersinë e shitueme. Shpirti i ti u gjetë nder mendime t’zeza, e kerrkund pushim, kerrkun paçë s’gjite. Rrifte krahnorin, por vonë, vonë ju çilen sytë me pa t’zezen, që e ka rrethue.
    • Të gjitha ndodhit ju betitshin nder sy, ashtu që e banë me kalue atë natë me sytë çel, e me sytë çel e gjeti drita.
    •           VII. TSAKORJA M’RRAJË
    •       (Thika m’asht)
    • Terrinat e nates e mbluen token, e aq trashë, që gishtin nder sytë sun e dashe72. Qyteti mbarë pati ra n’pushim të gjumit. Kerrkund dritë s’shifshe, po n’kte shpi që e kena në gojë. M’kte vetote73 kah i herë në t’rrallë një dritë por e zburitnue në mnyrë t’shkelzimit të hanes, kur prej reshë t’errta mlohet. Perjashta s’kishe ç’me pa, pos një vransinet, që ta shtite mneren në shpirt. Shkoshin retë porsi t’i shtynte një dorë e pakapshme, e m’atë menyrë u perziheshin që lindja me perendimin, e juga me verin u dukshin të mbushun me idhnim, e setcilla pjesë u armatiste74 me rrfeja me shkrep mbi shoqa-shoqen, e kah tu dilte per doret m’u shfry. Retë të trazue kështu ngitshin n’ma të madhin vrap mu rrok me shoqe-shoqen.
    • Më tjetren anë edhe deti gjimote e per atë gjamë u perplaste m’shkrepa, si ta ndiente edhe ai atë gjamë dhimbet per Prezë t’kandshme, e per atë vashë, që do ta mlote futa e zezë n’ma të miren kohë të jetes.
    • Kjo natë plot marazi75 i qëti n’mendim njerzit e u kputi gjujt prej friget. Luta: “Pshtona o Perendi!”, sado gojvet njerzishtë pa u ndimun e perkthymuna. Qysh ai t’perpjekuni i qiellsë e i tokes shumë kend e la t’hutue në mend, e t’trishtue në shpirt.
    • Ajo vrandsimë s’vonoj edhe shumë, na pruni t’parin hov, shiu zu me shnjue rrpina-rrpina; e kjo kje që i gzoj shumë zemrat, tuj mendue, se me t’shfrymit e këti shiut do t’dilte moti i mirë. E me kenë me veshtrue njeri kishte me sjellë prapë, që a mbarë, por Perendia mbretnon e dashunimi i Ti do të kryhet! Ma vonë ja filloi shiu, si me kusia, bite në mal e në koder vesha-vesha, që i bani nderi prroskat ma të vegjel me u shtue e me ba një zhurmë si të ishin lumei të rrebtë, tuj permbledhë drujtë, gur e gjithçkaf që ishin perpara.
    • Zemra e mjerë e Dashmires, do të jetë dridhë si purteka e malit, mbasi atë natë t’rrebtë me sy qëlë e kaloj. Shpirti i saj do t’i ketë perngja detit, kur ky prej batiet vlonë. Kush dinë me kallzue, se sa herë i ka lujtë lart ato duartë e njoma para t’Madhitjetes m’atë natë të trishtueshme, që ta shporrte kso jete e mos ta lite me pritë e me pa tanë mizoriet, që do t,i mbarote ndë kokë t’sajna. I terqethej shtati kur i bishin në mend puntë e zeza që e pritshin!
    • E Fatmiri a e shkote me mende punen e ksaj darzmes, se si do tu marote? Hej, hej! Ja brete zemren aj krymi e ballafaqe u dukte, se gazi i tij nuk rrjedhte nga zemra. Dierstë e ftofta e mloshin, gjithsaherë pat çilë atë gojë ju dridhte zani, fjala i jitëte n’fyt. Shpirti i tij e dinë se sa herë do të ketë bubrrue vet me vedi: “Oh ditë e mjera ditë! Ditë fatzezë!” … Dneste prej loçkes t’zemres, por kot, por vonë…! Porse bitse u afrue ai filli n’tsillin do t’marohen ato punë, që kanë pasë m’u marue mbi t’shueten Dashmirë!
    • Bumullima, vetima e shkreptima e percuellen atë natë, që njerit t’gjallë si pat metë shpresë, se do ta shifshin driten e dites re, sytë e tyne a mos kuptoshin se terrnat e asaj natë do tu ktheshin n’terrinat e amshueshme.
    • Edhe një herë gdhine t’gjallë! Dita si mos ditë! Se i cilli i kishte sytë kah malreztë76, tuj vrojtë pale a mund shifshin ndoj shej të dites mirë, mbasi neshtrasha77 e mirë duket n’mjes. Kerkundi shej s’u dukte. Kujt ja lishin fajin? Dashmires, Dashmires, m’ni gojë thoshin. E pse, se ajo ka grrye kusiat e tamblit e prandaj e ndjek ky farë moti78. Me kte shkak kujtoshin me i flladitë zemrat shoktë e Fatmirit ashtu mos t’u merrte per gojë dhimja e Fatmirit edhe e atynve, që ja sullen vendit gjithë ketë trishtim, sikurse mbramë n’tvertet…
    • Zjarmi i Perendisë me deshirë u prite, mbasi aj vetë asht i zoti me nxe e me shkri gjithë ç’ti dalin perpara! Tek mas, zu hova-hova me fry një erë, që gjithë pemve t’randueme prej shiut i kthej në t’bredhun e n’zhurmim, e tuj u focue filluene pemtë me maje e rrajë n’lekundë.
    • Murra, murra79, britshin tsa, aj do t’na pastroj motin, e gazmendi i jonë do t’pertrihet. E pernjimend s’njati e duel moti si pishë, që askush se pat mendue. E darsmoret ja hine kanges persri, gratë m’njan anë e burra m’tjetren. Kanga andej, zhurma e pushkve kendej, aq kerciste, që prej tsingrimit t’pa prashem të veshve s’ndiente kush fjaltë e shoqit.
    • Fatmiri tuj pa se u afrue koha e t’percjellmit të Dashmires, nuk mund xete vend, por herë andej e herë knej u mundote me i ndreqë puntë, se e tsillen në vend t’vetë.
    • Ushtoj gjama e pushkes prej shpisë t’Mirit, shej i t’nisunit per vashen.
    • Fatmiri i la gjitha puntë tjera e shkoj me pa Dashmiren per të paren e t’mbramen herë – me petka nusniet. Hini n’odë e me një herë pveti:
    • – E, a jeni gadi? Se bitse na mbrrine krushqët e Dashmires?!
    • – Kurrgja tjeter. Veç me dalë. Po presim, -ja pritne gratë.
    • Dashmira që mje m’ketë hov si një foshnjë n’prehen s’ames, tuj pa se puna e darsmes ishte gadi, me kundershtim t’sajna ja neveriten shpirtin fjaltë e mbrame t’Fatmirit që u tha granisë, ju perplasi t’gjithve nder sy:
    • – Ju t’gjithë jeni gadi, por une sjam gadi!
    • Fatmirit ju lidh goja e mbeti i mpitë, as tsak s’un bani. Grania ju mbledhen atherë e i thanë:
    • – Çpo flet mori Dashmir, eja m’vedi. Bane gjamë një herë. Dashmira u pergjegji:
    • – Shka m’thotë zemra, ato flas. Kurr e kurr!
    • – Mos bi, ja pritne gratë, mos e marro80 t’anë vlla e vehten, me ja ncjerrë idhnim e mos i lsho perqiellen shpisë tyt eti!
    • – Gjysh më ka marrue emë vlla, e sod donë edhe mue me m’rrzue në atë qyshni, por Dashmira e gjallë s’do t’martohet!
    • – A të lanë mentë, gotse, eja n’vedi e mos thuj ato fjalë
    • – Jo, ment i kam ma t’shendosha se ju.
    • – E nuk po trembesh me i hi ksajë valles?
    • – Aspak!
    • Mueren e dhanë gratë. Dashmira ç’ato se ç’ato fjalë i perkthete. I plasi tamthi Fatmirit e ju suell granisë:
    • – Lene një herë, se i ranë trutë n’qafë, m’bahet. Ma vonë do ta pvesë, se çfarë mendoj kur foli ksisojt!  -I tha këto fjalë e u duel syshë.
    • Sa duel Fatmiri, ju lshuen m’shpinë grania s’mjerës Dashmirë, porsi egersina n’stervintë.  E njana me një fjalë, tjetra me i tjeter e lodhen, e lodhen nderi që e merziten. Dashmira që ja pat shtri qafen vdekes e që s’dote me ditë per asgja, u tha granisë:
    • – Mori motra, t’gjitha fjaltë ju shkojnë kot. A ka gja ma e ligë se vdeka? Jo! E  pra me duer hapet pres vdeken, e per t’shkue skam m’atë shpi që doni me m’dhanë!
    • – Tashti që t’gjitha puntë janë gadi? -Ju kthyen grania.
    • – Po tashti, po, se perpara nuk deshti me ma veshtrue fjalen em vlla!
    • – Mos o bi, mos u turr n’gojë t’ujkut. Masi sa tuj t’que kush, -ja pritne grania. -Je e re, e pse do me hanger kryet tand para kohes?
    • – S’më tremb gja, -u tha Dashmira, -s’më tremb vdeka dot.
    • Çysh, m’kurrni mendyrë s’mund ja mbushen menden Dashmirs. T’gjitha fjaltë e tyne i muer era. Zemra e Dashmirs ashtu kje ftofë, që se tremte asgja n’jetë e mendimi i rrebtë i vdekjes s’ja nxete kryet, nsa mzdrakun thesi.
    • N’kupë të qiells u ndite zhurma e krushqve, që vishin per Dashmiren. Shpinë e Bardhokut si ta kishte mblue zia s’dytit… S’u ndie kangë as gzim. Meni gazmendi. Fatmiri me do dashmirë duel në t’parëshpijet per me pritun krushqët. Dritaret e shpisë u mbushen si miza per kercu prej grashë e fmishë. Krushqët mrrine e Fatmiri i priti me mirsi e nderim. Hine mbrenda. U ndejten e mbas dokjes pushuen.
    • Te e mbramja u ngrejten, duelen t’gjithë në t’parëshpijet, ku u ndaluen me pritë vashen e me u nisë.
    • Vasha, që pat ba vehten t’vdek s’ndigjoj me dal e mu nisë per atë rrugë… Zhurmë e rrebtë u ndie. Një zanit pvetshin: “- Shka a? Shka u ba?” Krushqit marë u mpinë aty ku ndodhen, porse u dogji puna. Do tjerë pa ditë ene se ç’ishte, filluen me mjerue shpinë e Bardhokut, atë shpi bujare. Fatmiri që ndodhi perjashta me miq, s’u trazue një herë, por rrite si mos t’ishte gja. Kur pau se njati puna, i la miqt e t’gjithë, e si i marrë mendsh, u turr mrena, e hini nder gratë që i rrishin perrreth vashes tuj e lutë që t’dilte, e mos t’i lite krushqët me pritë, pertsoptoj, e nderi do nder gra i perplasi edhe i shtroi me ftyrë per dhe. Në atë turr ju afrue Dashmires tuj thanë: “- Ku a, ku a ajo zemergurja?!” Vashes si mbetë pika e gjakut, kur e ndjeu zanin e Fatmirit, që n’atë mendyrë bertiti. Ai u turr edhe e rroku per dore, tuj i thanë:
    • – O Dashmirë, s’deshte me dalë me shoqet, si e lypë vendi, ets tash, se me dorë teme t’qes në ftyrë të botes e t’krushqve, që perjashta rrinë tuj t’pritun ty.
    • Grania u shtruen per dhe para Fatmirit tuj e lutun, që ta mbante veten e mos t’kishte atë percjellë81, si vasha, vehtes e shpisë mbarë.
    • Ky kerrkuni si dha vlerë, por me gjithë motren tuj e tjekë rrshanas duel perjashta.
    • Shoqnia mbarë, që ndodhi aty mbetë pa mendë n’ketë punë, e t’prekun në zemer thoshin:
    • – Proh o Perendi, qe zezë bindosi!
    • Mbasi u ba kjo e zezë që sa permendun, nder sytë e gjithve, Fatmiri i tha Dashmires:
    • – A ma mirë kështu, a t’vishe me shoqet Dashmirë.
    • Ksaj i shkoshin lotë per faqe rrkaj, e s’mundë pergjegji, as ashtu as kështu.
    • Shoqnia t’habitun si bite n’mendë me hi ndermjet, e me folë ndoj fjalë t’mirë, o per Fatmirin, o per vashen e mjerë, krushqit edhe mbeten me gojë hapet.
    • Te e mbramja ju suell krushqvet Fatmiri e u tha:
    • – Merrni gjanë tuej e me kamë t’marë e paçi!
    • Su duel koha krushqve me i pergjegjë urimeve t’Fatmirit, kur veç e terhoq doren Dashmira e filloi me folë me një trimni, që rrallë gjindet me flokgjatat, e që i la habitë t’gjithë.
    • – Ma mirë t’i marojë ditet e mija këtu se sa n’rreth t’atynve njerzvet. Beses si bi mohit, dashtnisë t’folun s’ja kthej shpinen me ditë se misht e shtatit ma hjekin me dana!
    • Fatmirit i kcej mendja. Ju suell shpinen krushqvet e miqesisë e u zhduk. S’vanoj veç kur u pa me ni pushkë n’dorë si një bishë e unshme u turr m’u fry m’gjak të ksaj. E m’atë paradi82 u ndishin një vikam83:
    • – Ndale doren Fatmir, ndale doren!
    • E i duelen para. Ky i lshue m’atë turr’ njerzish e do tu i perplasë e tuj shtye e ju afrue Dashmires tsillen para kohes e la fuqia, e i bumulloj permi kryet me një za që veç fyti i perbindes mund e qitëte:
    • – E moter, ja m’je gjegj fjales tash, jo se jeta e jote maroj!
    • Dashmiren që e paten lanë ndjesitë prej friget, se qiti fjalen, por nder sytë e gjithve pushote e shtrimun mbi tokë t’zezë.
    • Fatmiri muer persri e i tha:
    • – Fol, fol, o moter, a me shkue ke burri, a me hanger kte pluhun t’zi… Njenen dysh zgjidhe!
    • E tuj folë kështu, ftyra e Fatmirit rrite tuj pritë prej gjakut t’prishë deri që mrrini mu ba si futa e zezë. Dashmires i erdhen pakë ndjesitë e me një za që gjimimet ja kputshin fjaltë pergjegji:
    • – Per… para… m’ke o vlla… dora… e jote ma shkurtoftë … jeten. Beses… të shejtnueme si bie… mohit!
    • Veshtë e t’gjithve u ndalen me veshtrue zanin e vashes e shpirt i gjallë s’u ndie m’atë hov t’heshtimit. I pashpirti, Fatmiri e ngrefi pushken e ja mbajti mu asaj zemres që digjej m’dashtni. Kur ushtoj krisma e pushkes, si tu shembte një pjesë e botes nder grreza t’pasosme e gjaku i fatzezës Dashmir filloj me ferfullue n’tana anet tuj njomë atë tokë të zezë. Dora e vllaut ja shkurtoj jeten. Fshajti njëherë, e me një t’dridhun t’zanit i tha vllaut:
    • – Fatmir… o Fatmir… pse m’çarte84!. Oh! -I thekem u ndigjuen fjaltë e Dashmires, që s’met një pa derdhun lot, deri që edhe Fatmiri desht i pshtoj doret pushka e me lot per ftyrë ju afrue Dashmires e pveti:
    • – E moter a je kanden tash?! E pa mbarue këto fjalë i hypen dnestë, që se lanë ma me fol.
    • Dashmira edhe një herë i çeli sytë që paten fillue me ju terratue edhe i pergjegji vllaut:
    • – Vlla, kandem kishe kishe me kenë; kesh ta di se ai tsillin e pata dasht,… mbas vdeks eme, … me ketë jetë nuk ka me dashtë… tjeterkandë!.
    • Këto fjalë kjenë t’mbrame, që goja e Dashmires i foli, e per jetë ju myllë megjithato sytë e kandshem!
    • Fatmirit s,ju pa fija85.
    • Krushqit u kthyen si erdhen. Morija e njerzve mbet tuj ja ankue krajaten Dashmires. Aq që mje n’kupë t’qielles mbrrite gjama. Ne mrame t’mbetmit86 e Dashmires e mueren do nder do ma t’afert edhe e çuen mbrenda, ku sa burrnimi, sa grania u rreshtuen rreth ati t’mbetunit, tuj vajtue e tuj njef t’gjitha ndodhnitë që Dashmires i paten ra prej vdeks t’prindes mje m’ketë hov.
    •            X,  SHTOJSË
    • Tek e kemi nder sy o shqyptar t’dashtun një të ndodhun, që Besa e Dashtnija e fillueme e idhnia e zemra e verbueme e mbaruene…
    • Zemra e djegun e Dashmires kje ngadhnjye prej flakes t’fuqishme t’dashtnisë, e kjo kje pshtetë n’besë të dhanun e n’dashtni t’folun. Per mos me i ramun n’shkelm beses e dashtnisë, s’ju gjegj kshillit t’pa rrugë të vllaut megjithë që pra ju kercnote.
    • Syni s’ju trmbë Dashmires. Qafen ja shtrini vdekes. Gjygjin e rrebtë prej gojes Fatmirit e priti me trimni t’padiftueshme, e prej dores atij me fitue atë ndeshkim mosnjerit, veç me i rujtun t’pa fyme ato dy punë që njerin e banë njeri. Merrni msim prej kësaj vashes o burra shqyptarë!
    • Merrni ketë trimneshë, o vashat e dheut Shqyptarë! Rrefenjua foshnjeve tuaja o mama Shqyptare! Sidomos m’ju nana e n’dorë tuj asht pshtetë e mira edhe e zeza e fmisë dhe e atdheut mbarë!
    • Me tamel t’gjinit tuj rritet fmia edhe mesimin e parë e thith prej zemrave tuja. Perendia i dytë i fmisë asht prindja e n’mendyrë të pasqme e ama, mbasi kjo hov e hov fmisë i gjindet njit. Zemra e ambel e nanes i dridhet në krahnuer gjithsaherë ta ndjejë gjemimin e foshnjes vetë, ajo e shterngon në krahnuer, aj digjet n’dashtni per te, e kjo dashtni e perflakshme e shtynë me ja çap kerthinit kashaten e vetë. Vehten e lenë keq, veçse do ma pa fmien e vetë mirë. Me një fjalë si ta msojnë mama fmien ashtu m’kamë t’vogla, e kështu kur të rritet punon.
    • Me kallxue pse kur t’vorfnohet fmia prindsh87, shpesh gadi perhera u hypë krajata e zezë edhe ja kthejnë shpinen Perendisë, ashtu edhe atdheut.
    • Prandaj, se s‘u tingllon n’vesh aj zani i kandshem i t’et e i s’ames.
    • U llaskarue fmia, s’ka mamë që e çorton.
    • Ju turr s’keqes fmia, s’ka mamë që e kshillon.
    • U ba i pabesë fmia, s’ka mamë që t’ja zblojnë shemtimin e pabesisë e bukurien edhe çmimin e besës.
    • U idhnue fmia, s’ka mamë që ja pajton zemren.
    • I hypi fmisë roesë88 e smires t’shoqët, s’ka mamë që t’ja diftojnë t’zezën e smires; e tjera ksosh.
    • Ta kemi per pasqyrë Fatmirin e Dashmiren që i kena n’gojë – vllau e motra që ndryshuan nder vedi si ngjyra e bardhë e e zeza. Njani t’gjitha msimet e mames i harroj e tjetra e shtroj jeten per to. Fatmiri harroi Perendinë, harroi besen e dashtnien e prandaj t’gjithave mbrrini me ju ra shkelm. I harroj msimet e mames, e prishi vehten, vrau t’motren. Ofshe!
    • Gjakun e vet e derdhi!
    • E Dashmira? Pse u ba theroria e vdekes kjo vashë trimneshë? Prej t’mbajtmes t’besës e t’dashtnisë. Sado që ndodhi e re, prandaj u shue n’kohë t’bukuris së vetë, besa e shejtnueme, dashtnija e folun kjenë që e quan m’atë kambë!…
    • Udobishtë mund bahet vasha mamë, por ma vshtirë mund bahet mamë njajo vashë që nuk e ka t’zierrun në zemer ato dy sende, që i permndme e që janë “Besa e Dashtnija”. Një mamë do t’jetë, o një vashë që don me kenë mamë do t’jetë sikurse e lyp Perendia e sikurse e lyp atdheu. Kur shkelzein m’te këto dy sheje t’larta ta majmë pa ndryshim se edhe bima do ti pergjasin. Asht një fjalë që s’ndrron!
    • Besa, perse asht një që gjithkush e mban, herdo kurdo, do t’ja gzojnë zemren. Sikurse mund t’shofim n’dhe tonë t’shqyptarisë. Besa e rujti, besa e nderoj, e besa se la që t’ju harrote emni. E lidhmja e ksaj bese që rrnoi nder ne shqyptarë, na mbajti që s’na mueren neper kamë mixoritë tonë…
    • Besa e jonë kje shkamb per t’huejt, e gjithato që u turren, n’fuqi të lidhun me besë u perplasen m’ketë shkamb, pa mujt me na ba gja!…
    • Ashtu pra Fatmiri pse deshti me bjerr besen e gjetë t’zezen, e Dashmira pse e ruejti pshtoj prej s’zezash!
    • Dashtnija; Dashmira per t’gjithë atdhetaret nepte jeten, t’gjithë i ka pasë n’zemer; por fatin e vetë n’mendyrë t’posaçme e pat dashtë. E sikurse urdhnon Perendia!…
    • Deshi atë vend ku pushtetia e Perendisë kje pelqye me ba, që ta shifte driten e parë t’jetes. Deshti atdheun, se asht shkambi i deres vetë, deshte atdheun, se natyra e dishrote per t’mirat e bimes e t’fatit, që m’te i ka gjetë e fitue, edhe i gjenë e i fiton; deshti atdheun mbasi shkaf do t’jetë që e madhnon, lumnon e zbukuron, gjithë ajo madhni, lumni e bukuri, gjithë ndera e lavdi që i shkojnë atij, i perkasin edhe atyne, që pushojnë e bien m’te. Deshti atdheun, perse jeta e ti asht jeta e jonë, e mira o e zeza e ti, asht e mira o e zeza e jonë. T’gjitha pra na perkasin shtatin!
    • Dashmira pagoj me kryet, pse deshti me i ruejtë këto msimet e prindes. Dora e Fatmirit, dora e vllaut ja shkurtoj ditet e jetes, dora e ksajë fmisë t’keqe t’asaj prindes mirë. Dashmira pshtoj e Fatmiri meti simoskush. Met per me hjekë ma zi se hoç.
    • *           *           *
    • Sytë që kanë pamun Fatmirin e goja që ka folun me te mu n’atë “Fushë t’kandshme t’Prezes”, që unë si fillim t’këti kallzimit aq e paç madhnue, veshtroni, se shka m’ka diftue që m’duket shumë e vjefshme ligjerata e tija me e shkrumun n’ketë “Mnerë”
    • Ndeshka ky dishmitari n’Fatmirin, e mbasi e paka si t’hutue per gjansi t’asaj Fushes, i thoka:
    • – A je burr!
    • – Tu njat jeta, zotni!
    • – Kah je nisë e po do me shkue?
    • – As vetë s’jam tuj ditë!
    • – Pse, a thue t’paska gjetë ndoj e zezë?
    • – Edhe e madhe, besa!
    • – Po, po më dukesh si ftyrë vrame!
    • – Ej tu njat jeta! E si mos t’dukem ftyrë vramë, masi edhe mue m’duket vrantë gjithkah ti sjelli sytë!…
    • – Pash besen, m’difto çka t’ka bindos!
    • – S’kam gojë, or tu njat jeta me t’a diftue punen e krajaten teme, mbasi sa herë e mendoj, bahem me lafitë mendsh!
    • – Diftona, diftona, porse edhe mue m’duket  mas t’pames, se do t’jetë një dhimtë e madhe që t’mundon.
    • – Besa m’njofte! Paq pasë një moter, or tu nitjeta, e kjo shumë e urtë edhe e bukur shumë. Ma pat lypë shumkush e un kerrkujna s’ja paç da fjalen. Ksaj ju kje veshë zemra n’dashtni t’një djalit që kje i mirë, – e besa duhet me folë drejtë, -se e kena zotin- kje edhe i pasun e i nderue prej t’gjithve.
    • Unë ja xuna rrugen, e s’deshta me e lanë që t’merrte atë djalë, por ja gjeta një tjeter, i tsilli m’pat verbue me fjalë t’mira, veç t’ja nepshe atij. Mrrini koha, t’gjitha puntë u bane gadi per atë martesë, megjithë që ene motra pat sosë para me vdekë, se me shkue m’atë fat. Krushqit u pshtuellen, darsmoret brohroishin n’shpi t’eme, tek e mbramja e qitem shpiet per me ja dhanë t’zot. Kjo kje veshë me petka nusnijet, s’ndigjoj me shkue, mue m’ktsej mendja e tuj kujtue se ma lishoj marren m’shpi, mora pushken. Oh i mjeri un!… Edhe e vrava, n’ftyrë t’asaj sagorisë. Mbasi e vrava mbeti e gjallë, e mue ma bajti zemra edhe m’atë fill t’rrebtë t’hjekmit edhe e pveta:
    • – O moter, a je kanden tash? Ajo e mjera m’pergjegji me një za t’pervajshem, që si mue edhe rrethuesave u kputi zemrat prej dhimbet.
    • “Kande, kishe me ken
    • Kesh ta di
    • Se aj tsillin e pata dasht
    • Mas vdeks eme
    • Me ket jet nuk ka me dasht
    • Tjeter kend”!
    • Këto fjalë i tha e i mbylli sytë perjetë.
    • – Ofshe per ty ç’paske ba.
    • – E tu njat jeta, u ba ma. Aj faj asht tuj m’mundue që kerrkund vend s’und jam tuj xanë!
    • – Ej mnerë, mnerë! Si ta bajti zemra me krye atë shemtim?!
    • – Edhe un bindem tash, tu njat jeta!
    • – E sa keq kenke ma?
    • – Zotin n’qiell, e vetë m’tokë!
    • – Jo, jo. Uf, Zoti t’ndieftë ore vlla!
    • – Tu njat jeta!
    • – Mos u ligshto, pra e zeza t’paska ndjek, e ske që banë tash!
    • – Perendia t’ndimoftë, or zotni që ma flladite ketë zemer pak!
    • – T’lasha me Tinzot!
    • – Me Tinzot vafsh e kjofsh, e tu njatjeta!
    • Dishmitari i nderue n’shpejt e lshoi kalin me gjithë vrap per atë fushë t’gjanë, e Fatmiri i ngritë e uli kryet e u nisë per atë fushë që as vetë s’dinte kah me ja majtë.
    • E per mos me e trazue n’krajatë t’vetë – Fatmirin e mjerë – a ma me rrugë t’i thona Fatzi – i tsilli i pergjiste detit t’trazue prej valesh, per shkak t’zezave që e gjeten, mendova edhe unë me e lanë t’lirë per atë shtek që kje nisë e krejtë ketë t’ndodhun i mneruemun n’shpirtë e me ftyrë t’ligat prej lotsh!
    • ———————————————-
    • 3). Autori mbrenda tekstit në kllapa shkruan: “Po i shkruej ni disa valle këtu, sa per të kalue kohjet e pse mu duken si t’hishme, e mbasi i kemi m’gojë”, Vargjet folklorike të mëposhtme i ka shkruar anash tekstit.
    • Po Vjen Nusja n’ato boka
    • Dredh fistanin topa topa
    • Topa topa me shiritë
    • Balli nuses po ban dritë
    • Si sahati per mjesditë
    • – – –
    • Bini molla gem holla
    • Qët ni pushk ty t’lumt dora
    • A po qet ja të shava
    • Pushka jote me flori
    •         – –  –
    • Elbasani lugje lugje
    • Del në derë moj lule kuqe
    • Moll e kuqe sheg e amel
    • Besa besë s’t ndrroj me mamen
    • Mama e amel si sheqeri
    • Eja t’rrim ku rrin skyfteri
    • Ke skyfteri rraza rraza
    • Eja t’rrim, ke rrin fellaza.
    • Moj fellazë, moj mori
    • Balli jot per flori.
    • – – –
    • Kenon zogla e mellia
    • Me larushk e me dvellia,
    •            A ndigjon ç’po thot e mjera:
    • – Kush ta ket gruen e keqe,
    • Kurr n’mort mos e thirr,
    • Se mort ka nat e dit.
    • Kush ta ket gruen e mir,
    • Kush në darsem mos e thirr,
    • Se darsem ka nat e dit.
    • – – –
    • Ulu mal të dali hana,
    • Mali u ul, hana s’dul.
    • Ku kje hana që vonoj,
    • Tridhet dit pertej Stamollin.
    • ç’ishte atje, kha mos kjoft
    • Shite e motra të vellan,
    • Blen kalin me gjith shal,
    • Blen kupen e rrgjanit,
    • Kali, oj plasi n’grazhd,
    • Kupa oj plast me gjak.
    • – – –
    • Mushe goten plot e plot,
    • I bjen detit not e not,
    • Det o det i ngrati det,
    • Ja po m’myt, ja po t’çet?
    • Do të çes në Berat!
    • Ku t’më ndodhet mama e grat
    • Kje t’m’kjani me ftyr t’ligat!
    • – – –
    • Lulezo, lulezo qarri,
    • O Stamoll t’u dhasht zjarri,
    • Që ma man taten atje,
    • Gjitha shoqet jan me tat,
    • Un e mjera rrij e kjaj.
    • – – –
    • Mal n’mal e deg m’degë
    • Tsaharie moj syzezë
    • Moj syzezë deli t’yt zot!
    • Thuj t’em zot t’ndalet m’udh,
    • Sa ta veshi petkun n’koll.
    • Moj syzezë, moj faqefryt,
    • Moj syzezë me ke do t’rrish,
    • Me Lal “F”. mustak t’zi.
    •           Laç- Sebaste, 1902.
    • AQSH, Tiranë, Fondi 58, dosja 43.
    • ————
    • FJALORTH.
    • Bie mohit – mohim.
    • Binduem – tmerruar.
    • Bubrrote – murmuriste, belbëzonte.
    • Bujt – bujqët.
    • E shutë – e shkretë, e hutuar.
    • Emen t’mlue – pseudonim.
    • Evshe (mos u ba) – ofshamë.
    • Grresa – ngatërresa.
    • Jermue – hutuar.
    • Korrilat – patat e egra.
    • Krajata – mundime, dhimbje shpirtnore.
    • Kamish- çibuk, llullë.
    • Kranue – pemët kur nxierrin sythet.
    • Ligatë (ftyrën) – lag fytyrën.
    • Malreztë – malet e revet.
    • Me i dukne – me i shpërnda në pjata.
    • Mirakame – mirqenie.
    • Mu pihat – me u rehatu, me u vendos.
    • Murra-ni – era e veriut.
    • Në të lehtë – gjendje të fikëti.
    • Odë – dhomë.
    • Pa rresht – pa ndarë, vazhdimisht.
    • Parodi-a – rrëmujë-a.
    • Rregshgë – plaçkë ë vjetër.
    • S’deshë – çveshë.
    • Serue – egërsuar.
    • Shquta e kresë – shamia e kokës.
    • Shtiet – gergasat.
    • Sogjt – sukat.
    • Tremegët – i trembur.
    • Ftuturoj – turfulloj.
    • Udobisht – natyrshem.
    •                                                                 Tirane, 2000.