23 Nentor 2024

Nga: Elmas Bogdani

Më 19 dhjetor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese do të përcaktojë përfundimisht nëse aktet e përftuara nga aplikacioni “SKY ECC” për llogari të hetimeve nga SPAK, duhen konsideruar të ligjshme ose jo. Teksa gjykatat e tjera me radhë kanë rrëzuar pretendimet e personave nën hetim apo të pandehur, për pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e tyre, biznesmeni strategjik Pëllumb Gjoka e dërgoi çështjen në Kushtetuese. Seanca mbahet më 19 dhjetor në orën 10:00 në Dhomë Këshillimi.

Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se që nga momenti kur kjo çështje është regjistruar, Gjykata Kushtetuese është përballur me një situate të paprecedent, ku presionet ndaj saj po intensifikohen nga figura të fuqishme të botës së krimit dhe politikës. Personazhe të përfshirë në dosje të rëndësishme penale dhe politikanë, emrat e të cilëve janë përmendur në përgjimet e platformës së komunikimit të koduar “SKY ECC,” po bëjnë përpjekje maksimale për ta rrëzuar këtë mjet si provë në proceset gjyqësore.

Kush janë të interesuarit?

Në qendër të kësaj fushate të koordinuar janë disa prej figurave më të fuqishme të krimit të organizuar, të përfshirë në vrasje, trafik droge, armësh dhe aktivitete të tjera të paligjshme. Po ashtu, politikanë me ndikim, emrat e të cilëve janë përmendur në përgjimet e “SKY ECC,” po investohen për të shpëtuar veten dhe për të mbrojtur aleatët e tyre. Burimet bëjnë me dije se shumë nga këta personazhe janë të përfshirë në dosje që përmbajnë informacione të ndjeshme mbi marrëveshje kriminale dhe korrupsion të nivelit të lartë. Presionet ndaj gjyqtarëve janë të shumanshme dhe shumëdimensionale, duke përfshirë përpjekje për të ndikuar gjyqtarët përmes kanaleve informale, duke i joshur me favore materiale dhe shuma marramendëse parash.

Pse është “SKY ECC” kaq e rëndësishme?

“SKY ECC” është një platformë komunikimi e përdorur nga rrjete kriminale për të shkëmbyer informacione të koduara. Pas thyerjes së sigurisë së saj nga autoritetet ndërkombëtare, mijëra mesazhe dhe biseda u zbuluan, duke siguruar prova të forta kundër grupeve kriminale dhe individëve të përfshirë në aktivitete të paligjshme. Në Shqipëri, kjo platformë ka nxjerrë në pah marrëveshje të fshehta midis politikanëve dhe rrjeteve kriminale dhe dëshmi për korrupsion në nivele të larta qeveritare dhe institucionale, ku është e implikuar Policia e Shtetit media, madje edhe vetë personazhe nga drejtësia. Nëse “SKY ECC” rrëzohet si provë, shumë nga këto çështje do të bien, duke i dhënë mundësi të akuzuarve t’i shpëtojnë drejtësisë.

Pasojat e mundshme

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese kundër përdorimit të “SKY ECC” si provë do të kishte pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar, pasi do të përforconte perceptimin publik se drejtësia është e kontrolluar nga politika dhe krimi. Nga ana tjetër shumë dosje kyçe që bazohen në provat e “SKY ECC” do të dështojnë, duke shpëtuar figura të rrezikshme, si në krim, por edhe politikë. Në këtë situatë delikate, është jetike që autoritetet kombëtare dhe partnerët ndërkombëtarë të monitorojnë dhe mbështesin integritetin e procesit të drejtësisë në Shqipëri. Presionet dhe ndërhyrjet duhet të denoncohen hapur, ndërsa gjyqtarët qëndrojnë në vijën e parë të luftës për një drejtësi të pavarur. Gjykata Kushtetuese, duke qëndruar në këtë udhëkryq historik, ka përgjegjësinë të tregojë vendosmëri dhe guxim përballë presioneve, për të mbrojtur jo vetëm drejtësinë, por edhe të ardhmen e demokracisë shqiptare.

Gazeta Sot