Shtrenjtohet çmimi i vajit të lulediellit, arrin rekordin e 330 lekë/litër
Shtrenjtohet çmimi i vajit të lulediellit, arrin rekordin e 330 lekë/litër
10 Mars 2022
Çmimi i vajit “Floriol” i importuar nga Hungaria për muajin mars u tregtua me pakicë 330 lekë/litër nga 249 lekë/litër që u shit në shkurt. Në të njëjtat nivele rritje për muajin mars ka shënuar edhe vaji i misrit (31%) shitet 340 lekë/litër nga 260 lekë/litër që është shitur më parë.
Drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Erbiron sh.p.k”, e cila ka ekskluzivitetin e importit të vajit të botiluar hungarez “Floriol”, Tedi Maraj, tha për “Monitor” se aktualisht po furnizohen me çmim 1,8 euro/litër, pa përfshirë kostot e larta të transportit dhe TVSH-në. Sipas tij rritja e çmimit është ndikuar së tepërmi nga mbyllja e importeve pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, panikut të krijuar në tregjet europiane për gjetjen e furnizimeve dhe shtrenjtimi i tarifave të transportit.
“Për shkak të luftës Rusi-Ukrainë shumica e grosistëve të vajit në Europë i janë drejtuar Hungarisë për importe. Për shkak të mungesës të importeve nga Rusia dhe Ukrainë, kërkesa e lartë e Europës e ndikuar edhe nga paniku, po synohet të përballohet më tepër nga Hungaria dhe shtetet e tjera të Europës. Shumë kompani nga Italia dhe Kosova madje kanë kërkuar të bëjnë vajin nga ne, për shkak edhe të bllokimit të importit nga Serbia, por e kemi të pamundur t’i furnizojmë, pasi parësor është tregu vendas. Aktualisht çmimi i furnizimeve të vajit nga Hungaria është 1,8 euro/litër, pa përfshirë transportin dhe TVSH-në”, nënvizon z. Maraj.
Importuesit paralajmërojnë vështirësi për furnizimin e vajit nga muaji prill, pasi Hungaria ka njoftuar rritjen e çmimit në 2,8 euro/litër, ndërsa tarifat e transportit janë rritur 40%. “Për muajin mars kemi siguruar furnizim me çmim 1,8 euro/litër. Nuk do të ketë mungesë në treg. Për muajin prill furnizimi me vaj luledielli parashikohet të jetë shumë i vështirë për shkak të shtrenjtimit të lartë të çmimit. Në kahun tjetër edhe tarifat e transportit janë shtrenjtuar.
Para muajit janar 2021 tarifa e transportit për 1 tren (15 vagona) me vaj luledielli kushtonte 28,000 euro. Aktualisht çmimi është 46,000 euro. Prioritet për kompaninë është furnizimi me vaj luledielli për konsumatorin shqiptar, pavarësisht kostove të larta”, thotë përfaqësuesi i kompanisë “Erbiron”.
Importet e “Vajra dhe dhjamëra kafshore apo vegjetale” nga Rusia u rritën me 10% në 2021-n në krahasim me një vit më parë, sipas të dhënave të INSTAT, duke përbërë 17% të totalit. Në të njëjtën linjë u rritën importet nga Hungaria (3,5%), Italia (4%), ndërsa importet nga Ukraina pësuan rënia 7%.
Rusia, Ukraina, Hungaria, Serbia dhe Bullgaria janë furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar me vaj ushqimor luledielli. Më pas e ndjekin edhe shtete të tjera të Europës, si Italia, Gjermania dhe Greqia, por në sasi më të vogël. Në Shqipëri, aktualisht nuk punon asnjë rafineri e përpunimit të vajit grexho (vaj i papërpunuar). Kompanitë vetëm sa ambalazhojnë me logon e tyre vajin e përpunuar të importit./D.Azo
Nga Gazeta Panorama