Shtyhet seanca për Berishën, ja kur do të vendoset nëse do të gjykohet ish-kryeministri
16 Dhjetor 2024
Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar Korrupsionit ka shtyrë për në datën 6 Janar 2025, shqyrtimin e çështjes së privatizimit të ish kompleksit Partizani.
Gjatë seancës së sotme sipas gazetares Klodiana Lala, prokurorët e SPAK kanë paraqitur një përmbledhje të hetimeve të realizuara, ku përfshihet ish kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe kompania e Fatmir Bektashit. Më datë 6 janar 2025, GJKKO do të vendosë nëse kjo dosje hetimore e SPAK do të kalojë në proces gjyqësorë.
Ish-kryeministri është marrë i pandehur me akuzën “korrupsion pasiv” nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe çështja ka shkuar në gjykatë për shqyrtim. I pandehur për të njëjtën vepër penale është marrë edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për përfitimin e të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.